2014-01-22 11:16:44

“Gjeneva 2”: Kishat e krishtera të Sirisë nisin fushatën e lutjes


Udhëheqësit e Kishave të krishtera në Siri nisën një fushatë të re lutjesh, në mbështetje të përpjekjeve për paqe, që do të bëhen në Konferencën e Gjenevës 2, duke uruar fundin e luftës dhe ndërmarrjen e hapave konkretë drejt pajtimit kombëtar. Në një mesazh dërguar agjencisë Fides, Patriku melkit i Damaskut, Gregori III Laham, i fton të krishterët sirianë të mblidhen në lutje për suksesin e Konferencës dhe u bën thirrje të gjithë të krishterëve të botës të bashkohen me këtë qëllim: “Të lutemi për pajtimin e vërtetë në Gjenevën 2”, thotë në mesazh, ku thekson se “çelësi për suksesin e konferencës është pajtimi kombëtar i mbështetur në fenë, në të drejtat themelore të njeriut, në fytyrën e mirëfilltë dhe në vlerat e veçanta të popullit sirian”.
Nga Gjeneva 2 pritet vendosja e një “qeverie tranzicioni”, që mund të përfshijë përfaqësues nga qeveria aktuale dhe nga grupimet opozitare. Ndër vështirësitë e shumta, me të cilat përballet Konferenca e Gjenevës 2, është vështirësia për të kuptuar e për të vendosur kush e përfaqëson me të vërtetë popullsinë sirianë dhe cilët janë vendet, që duhen ftuar për të marrë pjesë. Siç vë në dukje një shënim dërguar agjencisë Fides nga organizata “Middle East Concern” (Mec), me seli në të gjithë Lindjen e Mesme, “dhuna pllakos gjithnjë në pjesën më të madhe të Sirisë, duke vdekje, lëndime dhe trauma, përveç vështirësive serioze për furnizimin me ushqim dhe përkujdesje mjekësore. Kriza humanitare është sot një problem të paktën aq i madh sa dhuna e shkaktuar nga konflikti, ndërsa janë dokumentuar gjëra të kobshme të kryera nga veprimtarë të ndryshëm në vend”. Meddle East Concern kujton plagën e rrëmbimeve dhe rastet e veçanta të përndjekjes, domethënë “dhunën për arsye fetare ndaj të krishterëve”. Kjo OJQ i fton të gjithë besimtarët e botës të bashkohen në lutje me të krishterët sirianë, që Konferenca t’i japë fund krizës në Siri dhe që të deleguarit të mbajnë parasysh, mbi gjithçka, nevojat e popullit sirian. Një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe gjendjes së rëndë të të shpërngulurve, si brenda truallit kombëtar, ashtu edhe në vendet kufitare.








All the contents on this site are copyrighted ©.