2014-01-22 12:45:12

Thirrje e Papës për Konferencën e paqes mbi Sirinë: të mos kursehen përpjekjet për t’i dhënë fund dhunës


Thirrje e Papës, sot paradite, në audiencën e përgjithshme, drejtuar Konferencës ndërkombëtare për mbështetjen e paqes në Siri, që nisi në Montreux të Zvicrës: takim, kujtoi Papa, i cili do të pasohet nga bisedimet, që do të zhvillohen në Gjenevë, duke nisur nga 24 janari. Papa Françesku, që i ka shumë për zemër fatet e popullsive tejet të vuajtura të Sirisë, u lut për ta:RealAudioMP3 “I lutem Zotit t’i prekë zemrat e të gjithëve që, duke kërkuar vetëm të mirën e popullit sirian, të vënë në prova të rënda, të mos kursejnë asnjë përpjekje për t’i dhënë fund sa më shpejt dhunës e konfliktit, që ka shkaktuar tepër shumë vuajtje”.
Për Sirinë, e cila gjatë tre vjetëve pa më se 130 mijë bij të vdekur e miliona të tjerë të shpërngulur, Papa kërkon hapa të vendosura drejt pajtimit, harmonisë e rindërtimit, me pjesëmarrjen e gjithë shtetasve, duke i ftuar që… :
“Secili ta shikojë tjetrin jo si armik, jo si kundërshtar, por si vëlla, për ta mirëpritur e për ta përqafuar”.
Ndërkaq duhet thënë se në Montreux tensioni është i lartë. “E sotmja është ditë shprese të brishtë, por konkrete”. Me këto fjalë e nisi fjalimin e tij Ban Ki-moon sekretar i përgjithshëm i OKB-së.
E ashpër, përgjigjja e delegacionit të Qeverisë siriane, i cili nuk i kurseu akuzat drejtuar edhe të pranishmëve që, theksoi, nuk kanë kërkuar asnjë farë rrugëzgjidhjeje për Sirinë.
Opozita, me zërin e kryetarit të Koalicionit kombëtar, u përgjigj, duke i ftuar të gjithë shtetasit sirianë ta braktisin regjimin.
John Kerry, sekretar i Shtetit amerikan, pranoi, në fjalimin e tij, se Konferenca e Motreux i ka të gjitha kartat në rregull për të hapur rrugën drejt paqes.
Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Ashton, kujtoi se ngjarjet në Siri janë ‘tmerrësisht të pashembullta”.
Shumë konkrete, ndërhyrjet e delegacionit italian e atij francez: kërkuan ndalimin e menjëhershëm të zjarrit dhe hapjen e korridoreve humanitare.











All the contents on this site are copyrighted ©.