2014-01-22 12:17:51

Siri: OJQ-të kërkojnë që të krishterët të përfaqësohen në “Gjenevën 2”


Të mbështetet pjesëmarrja e një delegacioni të pakicës së krishterë në negociatat e paqes për Sirinë, të cilat të mbahen në konferencën e Gjenevës 2, duke filluar që sot: kjo është kërkesa e OJQ-së “CitizenGO”, apelit të së cilës, sipas agjencisë Fides, i janë përgjigjur udhëheqësit e Kishave dhe OJQ-të e akredituara pranë zyrës së OKB-së në Gjenevë. Në apelin dërguar agjencisë Fides, lexohet: “Bashkësia e krishterë e këtij vendi të Lindjes së Mesme ka qenë, dhe ndoshta është ende, grupi fetar më i goditur nga lufta civile në vijim, në të cilën kryengritësit islamikë i kundërvihen regjimit të Bashar al-Assad-it. Pas këtij konflikti pothuajse trevjeçar, rreth 2,6 milionë sirianë të krishterë janë ende viktima të përndjekjes, dhunës dhe shantazheve, që vënë në rrezik vetë ekzistencën e bashkësisë së krishterë siriane”.
Në këtë skenar, “fuqitë e mëdha botërore dhe Kombet e Bashkuara, që janë duke hapur tryezën e negociatave të paqes mes grupeve në konflikt, nuk kanë menduar të ftojnë asnjë përfaqësues të pakicës së krishterë (rreth 12% e popullsisë) në konferencën e paqes në Gjenevë”. Për këtë arsye “CitizenGO” dhe disa OJQ të tjera mbështesin veprimin e “Christin Coalition for Syria”, i cili propozon ndalimin e menjëhershëm të armiqësive dhe mbështet miratimin e një Kushtetute demokratike, ku respektohen pakicat e shumta etnike e fetare, që jetojnë në rajon. Me qëllim që këto pohime të dëgjohen, thotë teksti i apelit, “delegatët e organizatës duhet të pranohen në negociatat e paqes në Gjenevë, gjë që deri tani është u mohuar gjithnjë”. Kërkesa bëhet me bindjen se “liria fetare është e para ndër të drejtat themelore të caktuara nga Deklarata universale e të drejtave të njeriut” dhe kujton se në shumë raste “të krishterëve sirianë u mohohet e drejta elementare e ushtrimit të lirë të besimit të tyre fetar”.








All the contents on this site are copyrighted ©.