2014-01-22 14:02:03

Papa në audiencën e përgjithshme: ndarjet ndërmjet të krishterëve janë “shkandull” për t’u kapërcyer


Emri i Krishtit krijon bashkim e unitet; ndarjet ndërmjet të krishterëve janë shkandull. Në sa vijon Java e Lutjes për Bashikimin e të Krishterëve, Papa reflektoi pikërisht për këtë bashkim në katekizmin e audiencës së përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit.RealAudioMP3

“Nismë shpirtërore, tejet e çmuar”, përmes së cilës bashkësitë e krishtera bëhen një në lutje, që prej më se njëqind vjetësh. Kështu e quajti Papa Javën e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve, që do të përfundojë të shtunën e ardhshme, në të kremten e Kthimit të Shën Palit Apostull. E nënvizoi edhe Papa, duke kujtuar këtë kohë, kushtuar lutjes për bashkimin e gjithë të pagëzuarve, sipas fjalëve të Krishtit: “Që të gjithë të jenë një”. Temën e këtij viti, frymëzuar nga pyetja, që u drejton Shën Pali të krishterëve të Korintit: “Vallë, a qenka Krishti i ndarë?”e formuluan Kishat dhe bashkësitë kishtare të Kanadasë, kryesuar nga Këshilli Ekumenik i Kishave dhe Këshilli Papnor për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve:
“Natyrisht Krishti nuk ka qenë kurrë i ndarë. Por duhet ta pranojmë sinqerisht e me dhimbje se bashkësitë tona vijojnë të jetojnë të ndara, gjë që duhet parë si shkandull. Ndarja ndërmjet nesh, të krishterëve, është shkandull! S’ka fjalë tjetër: shkandull!”.
Por pavarësisht nga vuajtjet dhe përçarjet, që vijojnë akoma, Ati i Shenjtë kujtoi se të gjithë të krishterët kanë një të përbashkët, që e përjashton ndarjen: kanë një Krisht të vetëm:
“Emri i Krishtit krijon bashkim e unitet, jo ndarje! Ai erdhi për të na bashkuar, jo për të na ndarë. Pagëzimi e Kryqi janë elemente qendrore të dishepullatit të krishterë, që e kemi të përbashkët. Ndarjet, ndërkaq, e zbehin besueshmërinë dhe suksesin e impenjimit tonë për ungjillëzimin, duke krijuar rrezikun ta zbrazin Kryqin, ta zhveshin nga gjithëpushteti i Tij”.
Papa i nxiti besimtarët të ecin në gjurmët e Shën Palit, duke i pranuar me gëzim dhuratat e Zotit, të pranishme në bashkësitë e tjera dhe i ftoi të gjithë të kënaqen sinqerisht me hiret, që u ka dhënë e vijon t’u japë Hyji edhe të krishterëve të tjerë:
Gjë e bukur të pranosh hirin, me të cilin Zoti na bekon e, akoma më shumë, të gjesh në të krishterët e tjerë diçka, për të cilën kemi nevojë, diçka, që mund ta marrim si dhuratë nga vëllezërit tanë e nga motrat tona”.
Në hullinë e materialit ndihmës, përgatitur sivjet nga grupi kanadez, Papa e përfundoi audiencën, duke i nxitur bashkësitë e krishtera të takohen, për të kuptuar atë, që njëra palë mund ta marrë, herë pas here, nga pala tjetër:
Kjo kërkon diçka më shumë. Kërkon lutje, shumë lutje, kërkon përvujtëri, kërkon reflektim e kthesë të vazhdueshme. Të ecim përpara në këtë rrugë, duke u lutur për bashkimin e të krishterëve, që ky shkandull të zhduket e të mos jetë më ndërmjet nesh”.
Në përshëndetjet shtegtarëve, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa, duke iu drejtuar, ndërmjet tjerëve, besimtarëve të gjuhës arabe, posaçërisht atyre që kishin ardhur nga Egjipti, uroi që feja të mos jetë shkak ndarjesh, por mjet njësimi e bashkimi me Zotin e me vëllezërit:
Kujtimi i emrit të Zotit nuk duhet të bëhet shkak për mbyllje, por rrugë që e hap zemrën për dashurinë, që bashkon e pasuron. T’i lutemi Zotit t’u japë të krishterëve hirin e unitetit, hirin ta jetojnë larminë si pasuri e ta shikojnë tjetrin si vëlla, që duhet pritur me dashuri”.
Në fund Ati i Shenjtë përshëndeti pjesëmarrësit në takimin e koordinatorëve rajonalë të Apostullimit të Detit, kryesuar nga kardinali Antonio Maria Veglio, duke i porositur të bëhen zë i punonjësve, që jetojnë larg të dashurve e përballojnë vazhdimisht situata të vështira e të rrezikshme.










All the contents on this site are copyrighted ©.