Mesazh i patrikut Kirill drejtuar Konferencës "Gjeneva 2"
Në sa sot organizohej Konferenca e Paqes për Sirinë, në Motreux të Zvicrës, në prag
të “Gjenevës 2”, Patriku i Moskës, Kirill, u drejtoi një mesazh pjesëmarrësve, duke
u kërkuar të bëjnë të gjitha përpjekjet e mundshme për t’i dhënë fund menjëherë e
pa asnjë kusht armiqësisë, me bindjen se Siria duhet të mbetet shtet, në të cilin
duhen respektuar të drejtat dhe dinjiteti i njeriut, pavarësisht nga kombësia, etnia
e feja, Këtë e lexojmë në mesazh, ku nënvizohet edhe se siguria e liria fetare e të
krishterëve, që jetojnë në Lindjen e Mesme, duhen siguruar njëherësh me atë të të
gjithë qytetarëve të tjerë të vendit. Sipas kreut të Kishës ortodokse ruse, hapi i
parë urgjent, që duhet bërë, është lirimi i të gjitha pengjeve, duke përfshirë edhe
dy metropolitët ortodoksë Boulos-al Yazigi e Mar Gregorios Yohanna Ibrahim, të rrëmbyer
në prill të vitit 2013, si dhe pesë rregulltaret e kuvendit greko-ortodoks të Shën
Teklës në Maalula. Ndërsa Kisha ortodokse vijon të lutet e ta ndihmojë konkretisht
popullin e martirizuar sirian, kërkon edhe mobilizimin e mbarë bashkësisë ndërkombëtare,
për të nisur drejt viktimave të konfliktit, ndihma urgjente humanitare. Patriku Kirill
u drejtohet të gjithë njerëzve vullnetmirë, duke u bërë thirrje ta ndalojnë shkallëzimin
e dhunës e dorën e grupeve terroriste, të pranishme në vend. Së fundi, thirrja e fuqishme
drejtuar atyre, që janë njollosur me gjak të pafajshëm civilësh, për t’u dhënë menjëherë
fund krimeve, duke dëgjuar zërin e arsyes, që u flet edhe kriminelëve, pavarësisht
në se janë të gatshëm ta dëgjojnë.