2014-01-22 16:01:32

Kisha në botë


Java e Lutjes për Bashkimin e të krishterëve në Lindjen e Mesme
Java e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve na kujton edhe, e sidomos, të krishterët, që banojnë në hapësirën nga lugina e lumenjve Tiger dhe Eufrat, deri në brigjet e Nilit. Pikërisht në këto vise endet sot Krishti i varfër, i vuajtur! Këtu është sot Zoti. Ecën përkrah mijëra refugjatëve, që kërkojnë të shpëtojnë kokën. Ikën bashkë me ta nga Siria, për të gjetur shpëtim. Këtu Krishti ka ende uri, ka etje, ngrin nga e ftohta e dimrit, gjakoset nga të gjitha llojet e armëve. Prej këndej, gjatë kësaj Jave Kishat e Lindjes së Mesme mblidhen çdo ditë së bashku, agjërojnë e luten. Është sintezë e një viti ekumenik, lutja e tyre.
Përfaqësuesit e Kishës Katolike dhe të Kishave Ortodokse Lindore, Kisha të lashta, u mblodhën disa herë gjatë viti 2013, në Romë. U thelluan studimet për bashkim, duke vënë theksin mbi martirizimin dhe monakizmin e Kishës së të krishterëve të parë, shembulli i të cilëve vlen për të gjitha kohët.
U dialogua kryesisht për tri tema: historia e Kishës, ekleziologjia dhe dëshmia e përbashkët. Diskutuan e u lutën së bashku Kisha latine, Kisha siro-malabareze e kisha katolike siro-malankareze.
Ndërkaq Komisioni i përbashkët i Kishës Katolike e i Kishës siro-ortodokse malankareze mbajti takimin e 16-të pranë qendrës patriakale Puthencruz.
Takimet ekumenike dhe shkëmbimi i vizitave ndërmjet Kishave Katolike e Ortodokse të Lindjes së Mesme na kujtojnë se dialogu nuk mund të ndahet nga jeta e Kishave. Dialogu teologjik krijon ura besimi e miqësie reciproke.

Kongres kushtuar “Problematikës së vlerave të familjes”, në Republikën Demokratike të Kongos
Sot, në Kinshasa, në Republikën Demokratike të Kongos, Sekretari i Këshillit Papnor për Familjen, imzot Jean Laffitte, mori pjesë në një kongres, kushtuar “Problematikës së vlerave të familjes në shoqërinë kongoleze”, organizuar nga“Communauté Famille Chrétienne”, nën drejtimin e Konferencës ipeshkvnore të Kongos.
Imzot Lafitte mbajti fjalën e hapjes së Kongresit, duke u përqendruar tek tema: “Vlerat familjare dhe gjendja e familjes sot”. Sekretari i Këshillit Papnor për Familjen do të mbajë edhe edhe fjalën e mbylljes, më 25 janar, duke vlerësuar arritjet e takimit të madh kushtuar familjes.

SHBA: Dita e lutjes për jetën e fëmijës së palindur
Sot, në SHBA ishte ditë lutjeje. U lutën të gjithë ata, që besojnë në Zotin e jetës, për krijesën më të brishtë të Tij: ferishten, që nuk ka lindur akoma, që pret të dalë në dritë e që e mbysin pa e parë këtë dritë. Kështu e përkujtuan dashuronjësit amrikanë të jetës, përvjetorin e vendimit të Gjykatës së Lartë që, më 22 janarin e vitit 1973, legalizoi abortin.

U paraqit sot botimi i dytë i vëllimit “Refugjatët, mërgimtarët, të shpërngulurit”U paraqit sot në Romë, pranë Qendrës Astalli, botimi i dytë, i rishikuar, i vëllimit, titulluar “Refugjatët, mërgimtarët, të shpërngulurit; histori e shkurtër e së drejtës së strehimit në Itali”. Fjalën e hapjes e mbajti imzot Giancarlo Perego, drejtor i përgjithshëm i Fondacionit Migrantes. Me interes, vëllimi, për të gjithë ata, që vijojnë të kërkojnë strehë të huaja, mbasi e kanë humbur strehën në vendet e tyre.







All the contents on this site are copyrighted ©.