2014-01-21 13:11:10

Papa: të mbesim të vegjël, për të bashkëbiseduar me Zotin


Të mbesim të vegjël, për të bashkëbiseduar me madhështinë e Zotit. Kështu tha Papa Françesku, në Meshën e Mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës. Papa pohoi se Zoti mban me ne një marrëdhënie personale e nuk bën kurrë dialog me masën. Zoti zgjedh gjithmonë më të vegjlit, atë që ka më pak pushtet, sepse shikon përvujtërinë tonë.
Zoti dhe të vegjlit. Papa Françesku e përqendroi homelinë e sotme tek ky binom dhe nënvizoi se “marrëdhënia e Zotit me popullin e tij është marrëdhënie personale” është “gjithmonë, person me person”. Pastaj shtoi: “Ai është Zoti dhe populli ka një emër”, “nuk është një bashkëbisedim ndërmjet të pushtetshmit dhe masës”. Është një dialog personal.
“Dhe, në një popull, secili ka vendin e vet. Por Zoti u flet njerëzve të tillë. Masës, kurrë. Gjithmonë flet në mënyrë personale, me emra. Dhe zgjedh personalisht. Tregimi i krijimit është një figurë, që na bën të shohim këtë gjë: vetë Zoti, me duart e veta, me zejtari, bën njeriun dhe i jep një emër: ‘Ti quhesh Adam’. E kështu fillon marrëdhënia ndërmjet Hyjit dhe personit. Ka edhe diçka tjetër: është marrëdhënia ndërmjet Hyjit dhe ne në vegjëlve: Hyji, i madhi, dhe ne, të vegjlit. Hyji, kur duhet të zgjedhë njerëzit, edhe popullin e vet, gjithmonë zgjedh të vegjlit”.
Hyji, vijoi Papa, e zgjedh popullin e vet, sepse është “më i vogli”, ka “më pak pushtet” se popujt e tjerë. Ndërmjet Hyjit dhe vogëlsisë njerëzore zhvillohet një dialog. Edhe Zoja do të thotë: “Zoti e pa përvujtërinë time”. Zoti ka zgjedhur të vegjlit. Në leximin e parë të sotëm, vërejti Papa Françesku, “shihet qartë kjo sjellje e Zotit”. Profeti Samuel qëndron para djalit të madh të Jeseut dhe mendon se është “e kundërta e tij, sepse ishte një burrë i gjatë, i madh”. Por Zoti, theksoi Papa, i thotë “mos shih as pamjen e tij të jashtme, as gjatësinë” dhe shton: “Unë e kam përjashtuar, sepse ajo që shohin njerëzit nuk ka rëndësi”. Në të vërtetë, tha më tej Papa, “njeriu sheh pamjen e jashtme, por Zoti sheh zemrën. Zoti zgjedh sipas kritereve të veta”. Dhe zgjedh “të dobëtit dhe të butët, për t’i ngatërruar të pushtetshmit e tokës”. Në fund, pra, “Zoti zgjedh Davidin, më të voglin”, që “nuk kishte rëndësi për të atin”. “Nuk ishte në shtëpi”, ishte “duke ruajtur dhentë”. E pra, pikërisht Davidi “u zgjodh”:
“Të gjithë ne jemi zgjedhur nga Zoti me anë të pagëzimit. Të gjithë jemi të zgjedhur. Na ka zgjedhur një nga një. Na ka dhënë një emër dhe na shikon. Jemi në dialog, sepse kështu i pëlqen Zotit. Edhe Davidi, pastaj, u bë mbret dhe gaboi. Ndoshta ka bërë shumë gabime, por Bibla tregon dy gabime të mëdha, dy nga ato të rëndat. Çfarë bëri Davidi? U përvujtërua. U kthye i vogël e tha: ‘Jam mëkatar’. Kërkoi falje dhe bëri pendesë”.
E pas mëkatit të dytë, vijoi Papa, Davidi i tha Zotit: “Më ndëshko mua e jo popullin. Populli nuk ka faj, jam unë fajtor”. Davidi “e ruajti vogëlsinë e vet, me pendesë, me lutje, me lot”. “Kur mendoj këto gjëra, këtë dialog të Zotit me vogëlsinë tonë”, shtoi Ati i Shenjtë, “e pyes veten ku është besnikëria e krishterë”:
“Besnikëria e krishterë, besnikëria jonë, qëndron pikërisht në ruajtjen e vogëlsisë sonë, që të mund të bashkëbisedojë me Zotin. Ruajtja e vogëlsisë sonë. Për këtë arsye përvujtëria, butësia, ëmbëlsia, janë shumë të rëndësishme në jetën e të krishterit, sepse janë roje e vogëlsisë, së cilës i pëlqen të shikojë kah zoti. E do tëjetë gjithmonë dialogu ndërmjet vogëlsisë sonë dhe madhështisë së Zotit. Zoti, me ndërmjetësinë e Shën Davidit, edhe me ndërmjetësinë e Zojës, që i këndonte Hyjit me gëzim, sepse kishte parë përvujtërinë e saj, na dhëntë hirin, që të ruajmë vogëlsinë tonë përpara tij”.








All the contents on this site are copyrighted ©.