2014-01-21 15:58:25

Malajzi: Atë Andrew kërcënohet me vdekje për çështjen e emrit “Allah”


Të krishterët duhet të jenë të fortë në fe, për t’u bërë ballë sulmeve të grupeve islamike për shkak të përdorimit të fjalës “Allah” gjatë ushtrimit të kultit. Paditë, denoncimet, shantazhet dhe djegia e fotografisë së Atë Lawrence Andrew-së, drejtorit të gazetës katolike “Herald”, “janë sulm kundër komunitetit katolik”. Kështu tha Imzot Purphy Pakiam (Mërfi Pakiam), arqipeshkvi i nderit i Kuala Lumpurit, që tani është administrator apostolik i kësaj kryedioqeze, në një letër baritore kushtuar temës së drejtësisë dhe paqes, në të cilën i kthehet edhe një herë çështjes së përdorimit të emrit “Allah” nga të krishterët. Kundër Atit Andrew janë ngritur 109 padi penale, sepse ai ka pohuar se “në kultin e besimtarëve katolikë, përdorimi i termit ‘Allah’, për te treguar Hyjin e të krishterëve, është i lejueshëm”. Gjatë ditëve të fundit meshtari është bërë objekt i kërcënimeve të shumta me vdekje. Në tekstin e letrës, të cituar nga agjencia Fides, kryeipeshkvi shkruan: “Kisha katolikë është gjithmonë në ballë të përpjekjeve për drejtësi e paqe. Si qytetarë, veprimet tona kanë qenë gjithmonë në respekt të së drejtës për zbatimin e fesë sonë, pa ndërhyrje e shantazhe, nën garancinë e Kushtetuta federale”.
Duke pasur parasysh rrezikun për zhvillime të dhunshme, veçanërisht kundër Atit Andrew, Imzot Pakiam pohon: “Është e gjë e vajtueshme, që disa grupe duan të organizojnë demonstrata të mëdha nëpër sheshe. Këto veprime shkaktojnë trazira të forta, ankth e deri edhe zemëratë tek qytetarët malejzianë. Miratimi i këtyre veprimeve nga ana e disa udhëheqësve politikë dhe heshtja e pashpjegueshme e disa të tjerëve, i hedh benzinë zjarrit, që, mesa duket, është duke u përhapur jashtë çdo kontrolli”. Kryeipeshkvi i bën thirrje politikës dhe shoqërisë: “Nuk mund të pranojmë apo të lejojmë që disa grupe të përhapin ndasi, përçarje dhe prishjen e harmonisë në shoqëri. U bëj thirrje besimtarëve katolikë të jenë të fortë, në këto vështirësi, dhe të vijojnë ta shpallin fenë e tyre me guxim e vendosmëri. Gjej ngushëllim duke parë malejzianë të të gjitha racave dhe feve, që bashkohen me ne, për çështjen e drejtësisë dhe të paqes”.
Pasi falënderon të gjitha ata që “e ndihmojnë Malejzinë për t’u bërë vend ku bashkësitë e ndryshme të mund të bashkëjetojnë në paqe, duke çmuar lart vlerat e përbashkëta të feve, por edhe ndryshimet”, kryeipeshkvi kujton se “meshtarët dhe laikët janë të thirrur për të mbështetur drejtësinë dhe paqen”. Pastaj bën thirrje “të lutemi për Atë Lawrence-in dhe të mos heqim dorë nga dialogu, duke ndërtuar ura pajtimi dhe duke iu kundërvënë atyre që e përdorin fenë për të përçarë kombin”.








All the contents on this site are copyrighted ©.