2014-01-21 13:12:59

Bashkimi i të Krishterëve. Imzot Spiteris: paria e Papës dhe sinodaliteti, temat më të rëndësishme me ortodoksët


Si rrinë bashkë paria e Pjetrit dhe “sinodaliteti”. Kjo është njëra ndër pikat më të spikatura të ballafaqimit ndërmjet teologëve katolikë e ortodoksë dhe gjithashtu njëra nga pikat më delikate të gjithë dialogut ekumenik ndërmjet dy kishave. E pohoi kryeipeshkvi i Korfuzit, Imzot Spiteris, anëtar i Komisionit të përbashkët teologjik për dialogun katoliko-ortodoks, që, gjatë këtyre ditëve të lutjes për javën kushtuar bashkimit të të krishterëve, është në kulmin e punës. RealAudioMP3

Dialogu me ortodoksët ka sjellë si fryt jo zbulimin e sinodalitetit – se sinodaliteti nuk mund të injorohet, është brenda vetë strukturës së Kishës, e ka dashur Zoti ynë – por kërkimin e institucioneve, që bëjnë të mundur ta jetojmë sinodalitetin në harmoni me parinë e Papës. Kjo, natyrisht, nuk është e lehtë. Duhet gjetur mënyra dhe, sigurisht, kjo është ajo që Papa dhe ipeshkvijtë dëshirojnë: bashkëjetesën e parisë së Pjetrit me një organ sinodal të përhershëm, i cili nuk është vetëm një organ sinodal – sinodi i ipeshkvijve, që mblidhet nganjëherë i i jep ndonjë këshillë Papës – por një sinodalitet faktik, veprues, që, bashkë me ipeshkvin e Romës, merr vendime për mbarë Kishën, në mënyrë të zakonshme. Pra, duhet gjetur mënyra. Nuk është e thjeshtë, por tema qendrore e takimeve të fundit me Komisionin e përbashkët është pikërisht ajo e parisë dhe sinodalitetit. Një tekst e kemi tashmë gati. Komisioni pritet ta miratojë në tërësi, në mbledhjen që do të mbahet më 15-23 shtator të këtij viti në Novi Sad, në Serbi. Shpresojmë se do t’ia dalim të kemi një tekst që do të ndihmojë edhe Kishat.
Ju flisni për vështirësitë e ecjes ekumenike dhe, për t’i tejkaluar, Papa na kujton rëndësinë e lutjes...
Po, ka vështirësi, por ka edhe gjëra shumë të bukura. Koncili II i Vatikanit, në dokumentin Ut unum sint, flet për dëlirjen e kujtesës historike. Mendoj se problemi është pesha e së shkuarës, që ndikon edhe sot e kësaj dite, më shumë sesa problemet e vërteta dogmatike. Tek e fundit, është gjithmonë e vërtetë: ka më shumë gjëra që na bashkojnë sesa gjëra që na ndajnë. Kemi nevojë për kthimin e zemrës, të ndërrojmë mendësi, për ta pranuar tjetrin edhe si të ndryshëm. Ndryshimet nuk janë kundërshtuese, por plotësuese. Këtë e përsërisim shpesh. E këtu, në Greqi, duhet të them se Papa Françesku ngjall shumë simpati. Gati çdo ditë gazetat flasin për të. Kjo është një gjë pozitive: është duke u ndryshuar mendësia, mënyra për ta parë tjetrin. Besoj se Shpirti i Shenjtë është duke punuar. Nuk duhet të na lëshojë zemra.








All the contents on this site are copyrighted ©.