2014-01-19 18:02:15

Papa shkon për vizitë në kishën e Zemrës së Krishtit, në Romë


Ditë e impenjuar sot, ajo e Papës Françesku. Pas Lutjes së Engjëllit të Tënzot në Sheshin e Shën Pjetrit, si zakonisht në mesditë, në orën 16.00, Ati i Shenjtë shkon për vizitë baritore në famullinë romake të Zemrës së Krishtit në zonën Kastro Pretorio pranë stacionit kryesor hekurudhor të Romës. Sapo mbërrin, Papa takohet me besimtarët e më pas, në një sallë të veçantë, me rreth 60 endacakë. Në një sallë tjetër, e presin rreth 100 refugjatë dhe përfaqësues të vullnetarëve të famullisë. Pastaj, takon fëmijët e pagëzuar gjatë vitit të kaluar, së bashku me prindërit, dëgjon rrëfimin e pesë vetëve dhe me të gjithë të pranishmit, kremton meshën. Ndalet më pas me të sëmurët, që i përshëndet një për një, së bashku me bashkësinë saleziane, së cilës i është besuar kisha. Takimi i fundit, me të rinjtë e famullisë së Zemrës së Krishtit.
Siç e thamë, kisha u është besuar salezianëve e madje, është ndërtuar nga vetë shën Gjon Bosko, i ngarkuar nga Papa Leoni XIII. Shenjti salezian arriti të mbledhë fondet e duhura nga lëmoshët e ofertat e besimtarëve katolikë dhe kisha qe gati për shugurimin nga ana e kardinalit të atëhershëm vikar, Lucido Parocchi, më 14 maj 1887. Benedikti XV, më 11 shkurt 1921, i dha kishës dinjitetin e Bazilikës së vogël. Mbi këmbanore, spikat shtatorja e madhe e Shëlbuesit, në bronx të praruar. Kjo është famullia e katërt e vizituar nga Papa Françesku: më 26 majin e kaluar pati shkuar në kishën e Shën Elizabetës e shën Zakarisë, më 1 dhjetor, në famullinë e shën Cirilit Aleksandrin e më 6 janar, në kishën e shën Alfons Maria de’ Liguorit për vizitën private në Shpellën e Betlehemit me personazhe të gjalla.







All the contents on this site are copyrighted ©.