2014-01-19 12:59:40

Liturgjia e së dielës II gjatë vitit A


Jezusi e shlyen mëkatin e botës
Shprehja “Qengji i Hyjit” sjell në mendjen e dëgjuesve hebrenj dy shëmbëllime të ndara, por që në fund përkojnë: shëmbëllimin e Shërbëtorit të Jahvesë, i cili shfaqet si “qengji që e çojnë në thertore, si delja e heshtur përballë qethtarëve të vet” (Is 53,7), dhe shëmbëllimin e qengjit të flisë së pashkëve.RealAudioMP3
Jezusi, qengji çlirimtar
Po të ndjekim kronologjinë e Gjonit, Jezusi u dënua me vdekje në vigjiljen e festës së bukëve të pambrujtura, pra në vigjiljen e Pashkëve, mbasdite, në atë orë në të cilën, sipas urdhëresave të ligjit, në tempull flijoheshin qengjat. Pas vdekjes nuk ia thyen këmbët, si të dënuarve të tjerë, dhe në këtë fakt ungjilltari sheh realizimin e një urdhërese rituale, që kishte të bënte me qengjin e pashkëve (Gj 19, 36; khs. Dal 12,46). Me fjalë të tjera Jezusi, Krishti, është qengji i pashkëve të reja që, me vdekjen e tij, përuron dhe vulos çlirimin e popullit të Hyjit. Në këtë dritë duhet parë leximi i parë, që flet për misionin e Shërbëtorit të Jahvesë. Shumë shpejt Kisha primitive do të gjejë në Krishtin trajtat e këtij profeti të përshkruar sipas Isaisë. Teksti është një pjesë prej këngës së dytë të katër këngëve të Isaisë, që flasin për “Shërbëtorin e Jahvesë”.
Shërbëtori është figurë simbolike, që mishëron tërë fatin e ardhshëm të një populli dhe që, përmes misionit së vet në histori, e zbulon Hyjin si shpëtimtar e çlirimtar. Detyra e shërbëtorit të Jahvesë nuk ka të bëjë vetëm me kthimin nga Babilonia dhe çlirimin e hebrenjve të ikur, por merr përmasa ekumenike, universale. Vetë çlirimi historik i Izraelit mund të shihet si shenja e parë e shpëtimit dhe e çlirimit përfundimtar, me përmasa kozmike, “deri në skajet e tokës”. Duk parë Shërbëtorin e Jahvesë në Jezusin, “Qengjin e Hyjit, që shlyen mëkatin e botës”, bashkësia e hershme shpreh besimin e vet në Krishtin, çlirimtarin dhe shpëtimtarin e botës.
Shpëtimi sot
Njeriu modern duket vërtet i bindur se është zoti i fateve të veta. Sot ekziston një formë e re e shtrimit dhe e jetimit të problemit të shpëtimit. Njeriun e sotëm e miklon një shpresë e re tokësore. Qendra është zhvendosur nga Hyji tek toka e, në fund, tek vetë njeriu: vërtetohet një zhvendosje rrënjësore e interesave, një revolucion i vërtetë kopernikan, në universin shpirtëror të njeriut. Ai nuk e shikon më veten si një shtegtar, që përshkon me nxitim luginën plot me lot të kësaj bote, krejtësisht i prirë drejt tokës së premtuar e të përtejme. Njeriu i sotëm bëhet gjithnjë e më i lidhur me vendin e vet. E ka zëvendësuar çadrën e lëvizshme me shtëpinë e rëndë prej guri. Kufijtë e vetëm, që njeh, janë ato tokësorë e kohorë. E ka ndërruar shpresën teologale me një shpresë njerëzore e tokësore.
Jetës së tij i japin një kuptim të ri misioni dhe vizioni i ri për botën: misioni i zotërimit të saj të ngadalshëm, por të pandalshëm. Besnikëria ndaj tokës dhe shqetësimi për ndërtimin e qytetit tokësor kanë fituar kundër shpresave dhe vramendjeve eskatologjike. Në themel të kësaj lufte vigane qëndron besimi në njeriun. Njeriu nuk e pret më shpëtimin nga jashtë, por e ndërton me duart e veta.
Paqartësitë dhe mungesa e baraspeshës në botën e sotme
Ndoshta sot njeriu e kupton se është ngutur së tepërmi për të shpallur pavarësinë e vet të plotë dhe për të thënë se Zoti nuk ekziston, ose nuk duhet. Dehja me progresin e ka bërë njeriun të verbër, vetëm për pak kohë, përballë mungesës të përhershme të baraspeshës në botë dhe përballë fenomeneve të reja, shqetësues për vetë risinë e tyre. Bota paraqitet ende plot me probleme të pazgjidhura. Zgjidhen disa probleme, por mbesin të tjera, zgjidhja e të cilëve duket e largët ose edhe e pamundur, ndërsa lindin probleme të reja, të krijuar nga vetë progresi, nga shkenca dhe nga teknika.
Shkenca dhe teknika, megjithatë, edhe pse kanë si pikësynim shpëtimin e njeriut, janë vetëm njëra prej mënyrave për ta arritur, madje janë ana më primitive, më e papërpunuar dhe e cekët e zgjidhjes së problemeve njerëzore; problemet, për të cilat shkenca dhe teknika nuk kanë asgjë, ose pak për të thënë, mbeten njësoj. Ndërkohë, njeriu e ka kuptuar se progresi teknik është, në thelb, i dykuptimtë, domethënë i hapur qoftë për mirë, qoftë për keq, si për shpëtimin, ashtu edhe për rrënimin e njeriut. Përvoja djegëse e dy luftërave botërore, kampet e shfarosjes, rrënimet e frikshme të bombave atomike, shkarjet e shkaktuara në ekologji, ndotja atmosferike, parashikimet e zymta dhe apokaliptike të atyre që shqyrtojnë të ardhmen, e shtrojnë problemin e shpëtimit me përmasa më të gjera e më të thella.
(Atë Alberto Maggi OSM)
Gjoni i jep Ungjillit të tij ritmin e krijimit të botës, sipas librit të Zanafillës. Për këtë arsye, pjesa e Ungjillit të sotëm fillon me shprehjen “Ditën tjetër”. Është dita e dytë dhe ungjilltari do t’i numërojë ditët derisa të arrijë tek dita e shtatë, dita e krijimit të botës, me dasmën në Kanë, ku kumtohet besëlidhja e re.
Tani, Gjon Pagëzuesi, “ditën tjetër, kur pa jezusin duke ardhur drejt tij, tha: ‘Ja qengji i Hyjit’”. Gjon Pagëzuesi shikon tek Jezusi qengjin e Hyjit. Çarë nënkuptohet me këtë qengj? Është qengji i pashkëve, ai qengj, që Moisiu e urdhëroi popullin e vet të hante natën e Pashkës, sepse mishi i tij do t’u jepte forcën për të kryer udhën drejt çlirimit dhe gjaku i tij do t’i shpëtonte hebrenjtë nga vdekja, që do të sillte atë natë në Egjipt engjëlli shkatërrimtar.
Pra, mishi për të gjetur forcën për të ecur drejt lirisë dhe gjaku që çliron nga vdekja. Gjon Pagëzuesi sheh tek Jezusi qengjin e Hyjit. Ungjilli e përshkruan disa herë Jezusin si qengjin e pashkëve. Për shembull vdekja e tij do të ndodhë pikërisht në atë orë në të cilën në tempull flijoheshin qengjat për pashkë; Jezusit nuk do t’i thyenin asnjë asht, siç ishte vendosur për qengjin e pashkëve, të cilit nuk duhej t’i thyenin kockat. Pra Gjoni sheh tek Jezusi qengjin e Hyjit, atë, mishi i të cilit do të japë aftësinë dhe forcën për të nisur udhën drejt lirisë, drejt çlirimit dhe daljes, dhe gjaku i të cilit do të na shpëtojë jo nga vdekja fizike, por nga vdekja përfundimtare. Do t’i japë atij që do ta pranojë këtë gjak jetën, e cila ka forcën për ta mundur vdekjen.
Pra, sipas Gjonit, funksioni i qengjit të Hyjit është “ai që shlyen mëkatin e botës”. Nuk flitet për mëkatet e botës, që do të ishin mëkatet e njerëzve, por për mëkatin e botës. Ekziston një mëkat që i paraprin ardhjes së Jezusit dhe e pengon bashkimin e Hyjit me njeriun. Ky mëkat është refuzimi i dhuratës së plotësisë së jetës, që Hyji ia ofron njerëzimit. Ky refuzim vjen si rrjedhojë e pranimit të një sistemi ideologjik dhe fetar, në kundërshtim me vullnetin e Hyjit.
Gjon Pagëzori e përkufizon Jezusin si “Ai për të cilin thashë: ‘Pas meje vjen një njeri’”. Pra tani për tani paraqitet vetëm si njeri. Thotë se nuk e njihte, por se kishte ardhur “për të pagëzuar me ujë, që Jezusi të shfaqej para Izraelit”.
Izraeli do të ketë qenë gjithmonë një grup i vogël, që i ka ndenjur besnik Zotit, besëlidhjes, premtimeve të tij dhe në librin e profetit Sofoni lexojmë: “Do të lë të jetojë mes teje një popull i përvuajtur e i varfër, një mbetje e Izraelit, që do të besojë në emrin e Zotit”. Kësaj mbetjeje i takon premtimi i Zotit. Por ky premtim, që tani është për Izraelin, më vonë, me Jezusin, do t’i drejtohet nga Izraeli gjithë njerëzimit.
“Gjoni dëshmoi e tha: ‘Pashë Shpirtin’”. Fakti që thotë Shpirtin, në të shquar, tregon se ka parë tërësinë e Shpirtit, domethënë energjinë hyjnore, plotësinë e forcës së Hyjit, pra dashurinë, “duke zbritur si pëllumb nga qielli”. Duhet kujtuar se pëllumbi na kujton qoftë Shpirtin, që flatronte mbi gjithësinë e krijuar, në tregimin e Zanafillës, qoftë dashurinë e pëllumbit për folenë e vet: “E qëndroi me të”.
Është e rëndësishme nënvizimi që i bën ungjilltari faktit se Shpirti jo vetëm zbret mbi Jezusin, por qëndron me të. Çfarë do të thotë? Përjetimi i Shpirtit është i mundur për shumë vetë, por vetëm ai mbi të cilin qëndron Shpirti, mund t’ua japë të tjerëve. Kjo do të jetë veprimtaria e Jezusit, që do ta shohim tani.
“Unë nuk e njihja, por ai që më ka dërguar për të pagëzuar me ujë, më tha: ‘Ai mbi të cilin do të shohësh Shpirtin duke zbritur e duke qëndruar’”. Ja, pra, ungjilltari e thekson përsëri se Shpirti, domethënë forca, fuqia e Hyjit, jo vetëm zbret mbi Jezusin, por qëndron me të. Vijimi i saktë është ky: “... Ai pagëzon me Shpirtin e Shenjtë”.
Ungjilltari e vë shprehjen “ai që shlyen mëkatin e botës” përbri shprehjes “ai që pagëzon me Shpirtin e Shenjtë”. Ky mëkat nuk duhet shpaguar, por duhet çrrënjosur. Si? Jo me anë të luftës, jo me anë të dhunës. Gjoni shkruan në prolog se drita shndrit në errësirë. Drita nuk lufton me errësirën. Drita vetëm shndrit dhe errësira shpërndahet.
Veprimi, që bën Jezusi, është ai i pagëzimit me Shpirtin e Shenjtë. Nëse pagëzimi me ujë donte të thoshte zhytje në një lëng të huaj për njeriun, pagëzimi me Shpirtin e Shenjtë do të thotë ta lejojmë plotësinë e fuqisë hyjnore, që vjen prej Hyjit përmes Jezusit, të na depërtojë e të na mbushë. Pra, veprimi i Jezusit është ky: t’i japë çdo njeriu vetë jetën e vet hyjnore.
Ndërsa mbi Jezusin zbret forca e Hyjit, Shpirti i Shenjtë, veprimi i Jezusit është ai i pagëzimit me Shpirtin e Shenjtë: ‘i Shenjtë’ tregon jo vetëm cilësinë, shenjtërinë e këtij Shpirti, por veprimin e tij të shenjtërimit, domethënë vepra e ndarjes së atyre që e pranojnë këtë Shpirt nga sfera e së keqes, nga sfera e errësirës. Pra, verpimi i Jezusit është ai i dhënies së vetë Shpirtit të vet.
Një herë që njeriu e pranon këtë Shpirt, ai bëhet burim shpërthyes dhe dhuron gjithnjë e më shumë jetën hyjnore. Dhe pjesa e Ungjillit përfundon me këto fjalë: “Unë kam parë dhe dëshmuar se ky është Biri i Hyjit”. Ai që ishte shpallur vetëm si njeri, “pas meje vjen një njeri që është para meje”, tani zbulohet si bir i Hyjit. Pasi zbret plotësia e Shpirtit të Shenjtë, në Jezusin gjendet plotësia e gjendjes hyjnore dhe ai e zbulon krejtësisht realitetin e Hyjit.

Nga letra e Shën Injacit të Antiokisë, ipeshkëv e martir, drejtuar Efesianëve

Është detyra juaj t’i jepni lavdi në gjithçka Jezu Krishtit, që ju ka bërë të lavdishëm. Kështu, të bashkuar nën një dëgjesë të vetme, të nënshtruar ndaj ipeshkvit dhe kolegjit të priftërinjve, do të arrini shenjtërinë e përsosur.
Nuk ju jap urdhra, si të isha një njeri i rëndësishëm. Jam në pranga për shkak të emrit të tij, por nuk jam ende i përsosur në Jezus Krishtin. Vetëm tani filloj të jem një nxënës i tij dhe ju flas si nxënësve të mi. Kisha nevojë që të më përgatisnit për luftë ju, feja juaj, porositë tuaja, durimi dhe butësia juaj. Por, meqë dashuria nuk më lejon të hesht me ju, ju parapriva, duke ju bërë thirrje të ecim së bashku, sipas vullnetit të Hyjit.
Jezu Krishti, jeta jonë e pandashme, vepron sipas vullnetit të Atit, sikurse ipeshkvinjtë, të vendosur në të gjitha vendet, deri në skajet e tokës, veprojnë sipas vullnetit të Jezu Krishtit.
Prandaj, mundohuni të veproni në harmoni të plotë me vullnetin e ipeshkvit tuaj, sikurse edhe bëni tashmë. Vërtet, kolegji i nderuar i priftërinjve tuaj, i denjë për Hyjin, është i bashkuar me ipeshkvin në mënyrë të harmonishme, si telat në cetër. Duke bërë kështu, me bashkimin e ndjenjave tuaja dhe me harmoninë e përsosur të dashurisë suaj vëllazërore, do të lartohet një koncert lavdi për Jezu Krishtin. Secili prej jush të punojë për të qenë pjesë e korit. Në harmoni e marrëveshje dhe njëzëri me tonin e Hyjit, përmes Jezu Krishti, thurni himne Atit me një zë, dhe ai do t’ju dëgjojë e do t’ju njohë, falë veprave tuaja të mira, si gjymtyrë të Birit të tij. Qëndroni të bashkuar në mënyrë të paqortueshme, për të qenë gjithmonë pjesëtarë në gjërat e Hyjit. Nëse unë, për kaq pak kohë, krijova afërsi të thellë me ipeshkvin tuaj, një afërsi që nuk është thjesht njerëzore, por shpirtërore, sa më fatlumë duhet të jeni ju, që jeni të lidhur me të si Kisha me Jezu Krishtin dhe si Jezu Krishti me Atin, në harmoninë e bashkimit të plotë. Askush të mos e gënjejë veten: kush nuk është brenda shenjtërores, mbetet pa bukën e Hyjit. E nëse lutja e bërë nga dy njerëz bashkë është shumë frytdhënëse, sa më e fortë do të jetë ajo e ipeshkvit me mbarë Kishën?








All the contents on this site are copyrighted ©.