Françesku në Engjëllin e Tënzot u jep zemër emigrantëve dhe i dënon “tregtarët e mishit
njerëzor”
Ndjekja e Jezusit na bën më të lirë, më të gëzueshëm”. Kështu u shpreh Papa në lutjen
e Engjëllit të Tënzot në Sheshin e Shën Pjetrit, përplot me besimtarë të bashkësive
të ndryshme etnike, në Ditën e sotme botërore, kushtuar emigrantit e refugjatit, me
temë: “Drejt një bote më të mirë”. Françesku u lut në mënyrë të veçantë për të gjithë
ata, që kalojnë vështirësi, duke kujtuar se e keqja mundet vetëm me dashuri.
“Ja qengji i
Zotit, ai që shlyen mëkatin e botës”. Kështu shprehet Gjon Pagëzuesi për Jezusin,
kur e shikon duke ecur në mes të turmës, pranë lumit Jordan. Nga ky takim, i përshkruar
në faqen e sotme të Ungjillit, vërejti Papa, kuptojmë se Jezusi erdhi në botë me një
mision të mirëpërcaktuar: për ta çliruar nga skllavëria e mëkatit, duke marrë mbi
vete të gjitha fajet e njerëzimit: “Në ç’mënyrë? Duke dashur. Nuk
ka mënyrë tjetër për ta mundur të keqen e mëkatin, veç dashurisë, që të shtyn të
dhurosh jetën për të tjerët”. Jezusi u ngarkua me vuajtjet tona deri në
atë pikë, sa të vdiste i mbërthyer mbi kryq: “Ai është qengji i vërtetë i
Pashkëve, që zhytet në lumin e mëkateve tona, për të na pastruar”. Është
njeriu, që vihet në radhë me mëkatarët për t’u pagëzuar, edhe pse nuk ka fare nevojë.
Njeriu, që Zoti e dërgoi në botë, si qengj të gatitur për fli: “Kjo figurë
e qengjit mund edhe të na çudisë; një gjë e gjallë, që nuk dallohet sigurisht për
forcë e as për qëndrueshmëri, merr mbi shpatulla një barrë kaq dërrmuese”. Masa
vigane e së keqes zhbëhet e zhduket nga një krijesë e ligshtë, e brishtë, që arrin
deri në flijimin e vetvetes: “Qengji nuk është sundues, është i butë;
nuk është agresiv, është paqësor, nuk tregon thonjtë as dhëmbët, kur e sulmojnë, por
duron, nënshtrohet. E kështu është Jezusi. Kështu është Jezusi, si qengji”. Çfarë
do të thotë sot të jesh dishepull i Jezusit, Qengjit të Hyjit? “Do të thotë
të vësh pafajsinë, në vend të ligësisë; dashurinë, në vend të forcës, përvujtërinë,
në vend të mburrjes; shërbimin, në vend të autoritetit”. Nuk duhet jetuar
si qyteti i rrethuar, shpjegoi Papa Françesku, por si qyteti mbi mal, i hapur, mikpritës,
solidar. E kjo… “Do të thotë të mos mbyllemi në vetvete, por t’ua
propozojmë Ungjillin të gjithëve, duke dëshmuar me jetën tonë se ndjekja e Jezusit
të bën të lirë e të mbush me gëzim”. Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot,
Papa u drejtoi një përshëndetje të posaçme të gjithë emigrantëve dhe refugjatëve në
Itali e në të katër anët e botës, në Ditën e tyre botërore: “Të dashur
miq, ju jeni pranë zemrës së Kishës, sepse Kisha është popull në shtegtim drejt Mbretërisë
së Hyjit, që Jezusi e solli ndër ne. Mos e humbni shpresën për një botë më të mirë!
Ju uroj të jetoni në paqe në vendet, që ju mirëpresin, duke ruajtur vlerat e kulturave
të viseve tuaja”. Më pas, një falënderim të gjithë atyre, që i mikpresin
emigrantët: “Dëshiroj t’i falënderoj ata, që punojnë me emigrantët,
që i mikpresin, i shoqërojnë në çastet e tyre të vështira, i mbrojnë nga ata, të cilët
i Lumi Skalabrini i quante ‘kasapë mishi njerëzor’, që duan t’i skllavërojnë emigrantët”. E,
në mënyrë të veçantë… “… dëshiroj të falënderoj Kongregatën e misionarëve
të Shën Karlit, etërit e motrat skalabriniane, që i shërbejnë aq mirë Kishës, duke
u bërë emigrantë, me emigrantët”. Së fundi Sheshi i Shën Pjetrit u pushtua
nga jehona e uratës së shtegtarëve, që thanë njëzëri një FalemiMëri, si përgjigje
ndaj ftesës së Françeskut: “Në këtë çast mendojmë për emigrantët, që janë
shumë, shumë. Për refugjatët e vuajtjet e tyre, për jetën e tyre, shpesh pa punë,
pa dokumente e me shumë dhimbje; prandaj ta themi gjithë së bashku një uratë për emigrantët
e refugjatët, që jetojnë në gjendjet më të rënda e më të vështira: FalemiMari…”.