2014-01-19 17:26:19

Dita e 100-të botërore kushtuar emigrantëve dhe refugjatëve: më se 275 milionë


Sot, për të njëqindtën herë, u kremtua Dita Botërore e emigrantit dhe e refugjatit, themeluar nga Benedikti XV, më 1914, kur shpërtheu Lufta I Botërore. Dita e njëqindtë, shoqërohet nga mesazhi i fuqishëm i Papës Françesku, me temë: “Emigrantët e refugjatët, drejt një bote më të mirë”.
Janë një ushtri e vërtetë, gjithnjë në lëvizje, refugjatët dhe emigrantët: më se 45 milionë, të parët; 230 milionë, të dytët. E 2013-ta shënoi numrin më të madh të viktimave ndërmjet atyre, që shpesh vdesin pa u ndjerë e pa u regjistruar në asnjë listë, në asnjë dokument. Humbasin pa shenjë, pa dukje. E kjo, sepse është e pamundur ta shënosh numrin e gjithë atyre, që rrëmbehen nga valët e deteve ose fundosen në rërën e shkretëtirave. E atyre që e humbin jetën pikërisht në përpjekjen e dëshpëruar për ta shpëtuar. Nuk është aspak e panjohur për shqiptarët, kjo përpjekje, ndoshta paksa e harruar, ndonëse kanë kaluar vetëm pak vjet nga koha kur flitej ditë për ditë për gomone të mbytyra, ngarkuar me njerëz të dëshpëruar, emrat e të cilëve nuk mund të shlyhen pa lënë gjurmë në historinë e një vendi, një pjesë e mirë e popullsisë të të cilit vijon të largohet, pasi ka humbur çdo besim e shpresë.
Ishin Kombet e Bashkuara që, në tetorin e kaluar, njoftuan se në vitin 2013 emigrantët përbënin 3,2% të popullsisë globale, 78 milionë më shumë, në krahasim me vitin 1990, 23 vjet më parë, ndërsa gratë janë 48%. Gjatë këtyre viteve ndryshuan edhe shkaqet e nisjeve. Kryesisht katastrofat natyrore si edhe konfliktet shkatrrimtare, si ai sirian, vijojnë të prodhojnë valë të vazhdueshme refugjatësh dhe emigrantësh. Ndonëse nuk mungojnë as shkaqet ekonomike, në një botë të mbërthyer nga kriza!Papa, në mesazhin kushtuar kësaj dite, kërkon që për këta njerëz të ndërtohet një botë më e mirë, në të cilën shpresa, respekti, mikpritja t’i kundërvihen refuzimit, diskriminimit, trafikëve të shfrytëzimit, të dhimbjes e të vdekjes. Papa i bën thirrje botës të krijojë kushte dinjitoze jetese për të gjithë, kërkon të kalohet nga kultura e përjashtimit, e hedhurinës, në kulturën e takimit. Mesazh shqetësues për shoqëritë e vendeve të pasura, port i refugjatëve dhe i emigrantëve, ky i Papës, që mbron me forcë të ikurit nga vatrat, nga pabarazitë e konfliktet, shkak kryesor i lëvizjeve në masë të njerëzve, që duke mos mundur ta durojnë më mbi kokë thundrën e hekurt, vihen për udhë “Drejt një bote më të mirë”, siç nënvizon Papa Françesku në mesazhin e kësaj Dite. Na përket të gjithëve!







All the contents on this site are copyrighted ©.