Papa delegaconit ekumenik: të përqendrohemi mbi qendrën e fesë, dashurinë e Zotit
“Duhet që dëshmia jonë të përqendrohet mbi qendrën e fesë sonë, mbi kumtimin e dashurisë
së Zotit”. Kështu u shpreh sot paradite Papa, duke pritur në audiencë një delegacion
ekumenik finlandez, me rastin e festës së Shën Henrikut, pajtor i Finlandës. Ati i
Shenjtë vuri theksin mbi rëndësinë e ekumenizmit shpirtëror e të dëshmisë së përbashkët
të të krishterëve, posaçërisht në kontekste, si ato të Evropës, ku Zoti kërkohet
e ndiqet gjithnjë më pak.
“Thua Krishti ishte i ndarë?”. Kësaj pyetjeje i dha
përgjigje Papa në fjalimin drejtuar të pranishmëve. E kjo pyetje është edhe në qendër
të Javës së Lutjes së sivjetme për Bashkimin e të Krishterëve. E njëjta pyetje, vijoi
Papa, na drejtohet sot edhe ne, posaçërisht përballë disa zërave, që nuk duan ta pranojnë
më si qëllim të realizueshëm bashkimin e plotë e të dukshëm të Kishës. Papa i inkurajoi
të pranishmit të mos heqin dorë nga përpjekjet ekumenike, si besnikë të vetë Zotit
Jezus, që iu lut Atit që “të gjithë të jenë një”: “Në kohën tonë, edhe udha
ekumenike si dhe marrëdhëniet ndërmjet të krishterëve po pësojnë ndryshime të ndjeshme,
së pari, sepse e dëshmojmë fenë tonë në rrethanat e një shoqërie e të një kulture,
ku është gjithnjë më pak i pranishëm kërkimi i Zotit dhe i të gjitha gjërave, që të
kujtojnë përmasën transhendente të jetës. E vërejmë, sidomos, në Evropë, por jo vetëm
këtu”.Pikërisht për këtë arsye, theksoi Papa, duhet që dëshmia jonë të përqendrohet
mbi qendrën e fesë sonë, mbi kumtimin e dashurisë, që Hyji e dëftoi në Krishtin, Birin
e vet”.