2014-01-17 16:16:35

Mikrofoni i Papës: në 546 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut


Kur përkujtojmë një njeri të dashur në përvjetorin e vdekjes, simbas zakoneve tona të lashta, shkojmë ndër varre. Po njeriu, që duam të përkujtojmë sot, nuk ka varr. Varri i tij u hap pak pas vdekjes, e eshtrat u përdorën si hajmali pavdekësie. Ndërsa figura e tij vigane u riduk në bronz në sheshet e trojeve arbnore e të qyteteve të mëdha të botës, që shpëtuan falë shpatës së tij. Në Romë mund ta takojmë në Sheshin Albania, gjithnjë mbi kalin e bronztë, Atlet i Krishtit, roje e përjetshme e Evropës së krishterë. Po në Qytetin e Amshuar ka edhe një kënd tjetër, ku mund ta takojmë: Sheshi Skënderbej. Nisemi, prandaj, me mikrofonin tonë, për një bisedë simbolike. Përshkojmë rrugët e rrugicat e ngatërruara si pëlhurë merimange të Romës së lashtë e të re, nga Sheshi i mrekullueshëm Navona, te Shatërvani i Trevit. Që këtu, duke përshkuar rrugën Lavatore, ndalemi tek një rrugicë e ngushtë dredha-dredha, me shtëpi të larta, të lashta, në të dy krahët. Është Rrugica Skanderbeg, e zhytur në heshtjen e plotë të muzgut romak. Shkelim mbi atë kalldrëm, ku 546 vjet më parë gurët lëshonin shkëndija nën rrahjen e potkonjve të kuajve e muret tundeshin nga parakalimi i një grushti trimash, që vinte të trokiste në portën e Papës, për të shpëtuar me Të, qytetërimin evropian. Arrijmë. Na duket sikur shkelim në troje të trashëguara nga etërit, në sa i afrohemi Sheshit Skanderbeg. E aty na pret vetë Kryetrimi, portreti i të cilit, ndër më të ngjashmit, na shikon nga qemeri i portës. Ndodhemi para pallatit Skënderbe, dikur bujtinë e han, sot muze i makaronave. Jemi mësuar të intervistojmë politikanët tanë, që vijojnë të trokasin në portën e Papës, qysh kur u shemb komunizmi. Na duket, prandaj, e arsyeshme të bisedojmë edhe me Skënderbeun. Të sigurt se ka gjithnjë diçka të re për të thënë. Na fton të hyjmë aty, me një hije të lehtë ironie në fytyrën ende të re, duke parë makaronat e të gjitha tipeve, që e rrethojnë, në vend të shpatave, heshtave e kuajve. E pyesim për vizitën e tij të fundit në këtë vend.
Na përgjigjet: “Të kthehemi në vitin 1463. Lidhja Shqiptare nënshkroi një paqe fiktive. Po unë e lajmërova Papën se isha gati ta filloja luftën kurdoherë ta shikonte të nevojshme. Menjëherë pas, Piu II u bëri thirrje gjithë të krishterëve të rroknin Kryqin kundër turqëve. Po pak iu përgjigjen kësaj thirrjeje për të filluar kryqëzatën, të ngatërruar, siç ishin, me zënkat e tyre të përjetshme, veç meje e Mathias Korvinit të Hungarisë. Papa u nis për Raguzë. Por fati nuk desh ta kryente veprën e nisur: vdiq rrugës, e bashkë me të, u varros edhe shpresa e fundit e një fronti të përbashkët kundër armikut otoman”.
“Po Ju, ku ndodheshit në atë kohë?” - vijojmë.
“I dëshpëruar nga apatia dhe verbimi i botës së krishterë, i veshur si ushtar i thjeshtë, erdha këtu, ku jemi tani. Një vargan i gjatë kardinajsh e ipeshkvijsh kishin dalë të më prisnin. Kjo rrugë, tani krejt e heshtur, atë natë tundej nga brohoritë plot entuziazëm të turmës së madhe të romakëve”.
“E pastaj?”.
“Pastaj, në Bazilikën e Shën Pjetrit u mbajt një kremtim madhështor. Papa Piu II më dha, me dorën e vet, një shpatë nderi, të bekuar. Por si ndihmë financiare u mblodhën vetëm 7000 dukatë.
M’u desht të kthehesha menjëherë për t’i dalë zot Krujës së rrethuar. Ishte fitorja ime e fundit”1.
Kështu tha Skënderbeu dhe, duke ia ngulur përsëri sytë mikrofonit tonë, shtoi:
“Mikrofoni i Papës... Edhe një herë Papa më jep mundësinë t’i kujtoj botës ca të vërteta, që më duket se i ka harruar. Nësa në Atdhe, në vend që të më kujtojnë, vijojnë të më përgojojnë. Historianët e sulltanit hapin përsëri qitapet, në të cilat historia është e shkruar përmbys. Po fatmirësisht, në krah tjetër, Papët vijojnë të hapin portat e arkivave, ku ruhet historia e vërtetë e njerëzimit. Për atë që kërkon ndershmërisht të vërtetën!”.
Tha kështu, e heshti. E ne nuk mundëm të mos kujtojmë Papën Kalisti III, që e përmblodhi me pak fjalë rëndësinë historike të luftës së këtij Burri, që na shikonte ashtu, i rrethuar me makaronat italiane, të cilat në kohë të tij do t’i kishte pranuar me kënaqësi si ndihmë humanitare për popullin e vet, gjithnjë unshëm:
“Si një pendë e patundshme, Ai ndaloi furinë e sulmeve turke dhe i pengoi ta pushtonin Evropën kristiane. Emër i madh, që meriton të përmendet në Tempullin e Kujtimit”.

Takimi ka përfunduar e ne kthehemi, nëpër të njëjtën rrugë, duke menduar me vete: “Ç’do të ndodhte sot me Evropën, po të mbetej ballë për ballë urdive të vjetra e të reja, me një shpatë, një mburojë e një pritë të vetme, atë të popullit të vogël shqiptar e të njërit nga politikanët e tij, që erdhën njëri pas tjetrit në krye të vendit, që nga vdekja e Atletit të Krishtit?”.
1 Tajar Zavalani, Historia e Shqipnís, Drini Publications LTD, 1957, fq 202-204







All the contents on this site are copyrighted ©.