2014-01-16 14:29:07

Papa: T'i japim popullit të Zotit bukën e jetës, jo gjellë me helm


Shkandujt ndodhin në Kishë, kur marrëdhënia me Hyjin dhe me Fjalën e tij nuk është e vërtetë. Kështu, meshtarët e korruptuar, në vend që të japin bukën e jetës, i japin gjellë të helmuar popullit të shenjtë të Hyjit. Kështu tha Papa Françesku në homelinë e mëngjesit, gjatë meshës në Shtëpinë e Shën Martës.RealAudioMP3
Duke komentuar leximin e ditës dhe psalmin përkatës, që flasin për shpartallimin e izraelitëve nga ana e filistejve, Papa vërejti se populli i Hyjit në atë kohë kishte braktisur Zotin. Thuhej se fjala e Hyjit ishte “e rrallë” në atë kohë. Prifti i vjetër Eliu, ishte i vakët e bijtë e tij ishin të korruptuar, “e trembnin popullin dhe e fshikullonin” . Izraelitët, për të luftuar kundër filistejve, përdornin arkën e besëlidhjes, por e përdornin di diçka magjike, si “një gjë e huaj”. Dhe shpartallohen. Arkën e marrin armiqtë. Mungon feja e vërtetë në Hyjin, në praninë e tij reale në jetë:
“Kjo pjesë nga Shkrimi i Shenjtë na bën të mendojmë si është marrëdhënia jonë me Hyjin, me Fjalën e Hyjit: a është marrëdhënie formale? A është marrëdhënie nga larg? A hyn Fjala e Hyjit në zemrën tonë, a na e ndryshon zemrën, a e ka këtë fuqi, apo jo? Mos është nj marrëdhënie formale, gjithçka në rregull? Por zemra mbyllet ndaj asaj Fjale! E na bën të mendojmë për disfatat e shumta të Kishës, për disfatat e popullit të Hyjit, sepse nuk dëgjon Zotin, nuk e kërkon Zotin, nuk e lejon Zotin ta kërkojë. E pastaj, pas tragjedisë, lutja, kjo lutje: ‘O Zot, po çfarë po ndodh? Na bëre të përçmueshëm për të afërmit tanë. Tallje e shpoti për ata që na rrethojnë. Na bëre përrallë para njerëzve. Popujt tundin kokën para nesh’”.
Pastaj Papa kujton shkandujt e Kishës:
“A kemi kund turp? Sa shkanduj, që nuk dua t’i përmend një nga një, por të gjithë i dimë... E dimë ku janë. Skandalet. Disa prej tyre kanë kushtuar shumë para: ashtu duhet! U dashka bërë kështu... Turpi i Kishës! A kemi ndjerë turp për ato shkanduj, për ato disfata të meshtarëve, të ipeshkvijve, të laikëve? Fjala e Hyjit, në ato shkanduj, ka qenë e rrallë; tek ata burra e tek ato gra, Fjala e Hyjit ka qenë e rrallë. Nuk kishin lidhje me Hyjin. Zinin një vend në Kishë, një vend me pushtet, edhe të rehatshëm. Por Fjalën e Hyjit, jo! ‘Po unë mbaj një medalje’; ‘Po unë mbaj kryqin’... Po, si ata që mbanin arkën! Pa marrëdhënie me Hyjin dhe me Fjalën e Hyjit! Më vjen ndër mend fjala e Jezusit për ata që japin shkandull... E këtu është dhënë shkandull: rënia e plotë e popullit të Hyjit, gjer në zvjerdhje, në korruptimin e meshtarëve”.
Papa Françesku e përfundon homelinë duke iu drejtuar popullit të Hyjit:
“Të shkretët njerëz! Të shkretët njerëz! Nuk u japim për të ngrënë bukën e jetës. Nuk u japim të hanë – në ato raste – të vërtetën! U japim deri edhe gjellë me helm, disa herë! ‘Zgjohu, pse fle, o Zot!’ Kjo duhet të jetë lutja jonë! ‘Zgjohu! Mos na largo përgjithmonë! Pse e fsheh fytyrën tënde? Pse e harron mjerimin dhe shtypjen tonë?’ T’i lutemi zotit, që të mos e harrojmë kurrë Fjalën e Hyjit, e cila është e gjallë, që ajo të hyjë në zemrën tonë, e të mos harrojmë kurrë popullin e shenjtë e besnik të Hyjit, i cili na kërkon gjellë të fortë!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.