2014-01-16 14:29:32

Evangelii gaudium - Përmbledhja IV


Duke mbyllur kapitullin e parë të thirrjes apostolike Evangelii gaudium, pasi flet për nevojën për të rishikuar disa zakone, ndoshta jo më të dobishme për jetën kishtare dhe shpalljen e Ungjillit për njeriun e sotëm, Papa Françesku thotë se “Kisha ‘në dalje’ është një Kishë me dyer të hapura” (n.46). Hapja ka të bëjë me gatishmërinë e Kishës për t’i shoqëruar të gjithë, dhe me aftësinë për t’i shoqëruar njerëzit me hirin e sakramenteve, duke filluar nga pagëzimi, “dera” që u hap udhë sakramenteve të tjera. Edhe Eukaristia, thotë Papa, “edhe pse përbën plotësinë e jetës sakramentale, nuk është një çmim për të përsosurit, por një ndihmë bujare dhe ushqim për të dobëtit” (n. 47). Duhet pasur kujdes që të mos sillemi si kontrollues të hirit, sepse “Kisha nuk është doganë” (n. 47), por shtëpia e Atit ku secili mund të gjejë vendin e vet, edhe pse me mund.
Kisha është e hapur për të gjithë, por a duhet të privilegjojë ndokënd? Papa Françesku citon Benediktin XVI, që thotë: “të varfrit janë marrësit e privilegjuar të Ungjillit” (n. 48) dhe shton: “Duhet pohuar fort qartë se ndërmjet fesë sonë dhe të varfërve ekziston një lidhje e pazgjidhshme” (n. 48). Duke e ftuar Kishën në mënyrë të përsëritur për të dalë dhe për t’u ofruar të gjithëve jetën e Jezu Krishtit, Papa thekson se parapëlqen më shumë një Kishë të aksidentuar e të lënduar, sesa një Kishë të sëmurë, për shkak të mbylljes në rehatinë e vetësigurisë: “Më shumë sesa frika nga gabimi, shpresoj se na vë në lëvizje frika për të ndenjur të mbyllur në strukturat që na japin mbrojtjen e rreme, në ato norma, të cilat na shndërrojnë në gjykatës të rreptë; në zakonet në të cilat ndjehemi të qetë, ndërsa përjashta gjendet turma e uritur, e Jezusi na e përsërit pa pushim: ‘Ju vetë jepuni të hanë’ (Mk 6,37).” (n. 49).
Cila është shoqëria në të cilën Kisha e zhvillon misionin e saj? Në kapitullin e dytë të thirrjes apostolike Papa merr në shqyrtim gjendjen e botës, duke theksuar se në kohën tonë ka diagnoza me tepri, por mungojnë propozimet për zgjidhjen e problemeve, prandaj është e nevojshme ta lexojmë historinë në dritën e Ungjillit, për të bërë “përzgjedhje ungjillore”. Duhet të dimë të lexojmë shenjat e kohës me përgjegjësi të lartë, sepse “disa realitete të sotme, nëse nuk gjejnë zgjidhjen e duhur, mund të kurdisin procese çnjerëzimi, që është e vështirë të kthehen mbrapsht” (n. 51).
Përparimi i dijes ka sjellë shumë të mira në fushën e shëndetësisë, të arsimit e të komunikimit, por nuk duhet të harrojmë se “pjesa më e madhe e burrave dhe grave të kohës sonë jetojnë në pasiguri” (n. 52). Gjendja e pasigurisë shkakton pasoja të rënda, prandaj “gëzimi i jetës shuhet shpesh herë”, sepse “shtohen mungesa e respektit e dhuna” dhe “pabarazia bëhet gjithnjë e më e dukshme” (n. 52).
Duke hedhur vështrimin mbi gjendjen aktuale të botës, Papa Françesku rendit në fillim katër “jo” të qarta: “jo ekonomisë përjashtuese”, “jo idiolatrisë së re të parasë” “jo përdorimit të parasë për të qeverisur e jo për të shërbyer” dhe “jo pabarazisë, që prodhon dhunë”.
Duke i thënë “jo” ekonomisë përjashtuese, Papa shkruan: “Nuk është e mundur të mos përbëjë lajm fakti se një plak, i detyruar të flejë përjashta, vdes i ngrirë nga të ftohtët, e të përbëjë lajm rënia e dy pikëve në bursë” (n. 53). Papa përmend absurditetin e botës së sotme, në të cilën, nga njëra anë, ka teprica ushqimore, që hidhen në plehra e, nga ana tjetër, ka njerëz që vdesin nga uria.
Duke i thënë “jo” idhujtarisë së re të parasë, Papa thotë se njëri ndër shkaqet e pabarazisë mes njerëzve gjendet në marrëdhënien, që kemi caktuar me paranë. Ajo është kthyer në një “viç të artë”, në qendër të tregjeve të spekulimit financiar. Liria e tepruar e këtij tregu, ku shteti, “i ngarkuar për të mbrojtur të mirën e përbashkët” (n. 48), nuk mund të ndërhyjë, favorizon fitimet e një pakice dhe rrit largësinë ndërmjet pakicës së pasur e shumicës gjithnjë e më të varfër.
Duke i thënë “jo” sundimit të parasë, e cila duhet të shërbejë, Papa Françesku thekson nevojën për etikë në ekonomi, bën thirrje për një reformë financiare dhe shkruan: “Papa i do të gjithë, të pasur e të varfër, por e ka për detyrë, në emër të Krishtit, të kujtojë se të pasurit duhet të ndihmojnë të varfrit, t’i respektojnë e t’i mbështesin” (n. 58).
Duke i thënë “jo” pabarazisë, që prodhon dhunë, Papa thotë se, nëse kaq shumë njerëz përjashtohen nga sistemi, shërbimet e sigurisë nuk mjaftojnë për të ruajtur rendin, jo vetëm sepse të përjashtuarit mund të ngrenë krye, por sepse “sistemi shoqëror dhe ekonomik është i padrejtë që në rrënjë”, dhe shembet vetvetiu. Sikurse e mira përhapet vetvetiu, ashtu edhe e keqja përhapet vetvetiu dhe “të përjashtuarit shohin të rritet ky kancer shoqëror, që është korrupsioni, i rrënjosur thellë në shumë vende – në qeveri, tek sipërmarrësit, nëpër institucione – çfarëdo qoftë ideologjia politike e qeveritarëve” (n. 60).
Përballë kësaj gjendjeje jo të gëzueshme të botës, Kisha duhet të përcaktojë sfidat e veta, për përçimin e lajmit të gëzueshëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.