2014-01-15 16:39:32

Papa në audiencën e përgjithshme: Pagëzimi na bën të gjithë hallka në zinxhirin e hirit


Pagëzimi është dhurata, përmes së cilës, që prej njëzet shekujsh, feja përçohet brez pas brezi. Është dhuratë, që ka nevojë për një ‘protagonizëm të ri’ misionar nga ana e të krishterëve. E pohoi këtë, sot paradite, Papa Françesku, në praninë e 30 mijë vetëve, mbledhur rreth tij në Sheshin e Shën Pjetrit për takimin tradicional të së mërkurës. Audiencën e dytë të vitit 2014 Ati i Shenjtë ia kushtoi pikërisht Sakramentit të Pagëzimit. Më pas, thirrja e Papës drejtuar të krishterëve të Tokës së Shenjtë e të Jordanisë, të cilët i ftoi t’i përballojnë persekutimet me forcën e fesë.RealAudioMP3


Japoni. Fillimet e viteve 1600. Kisha e re në vend sulmohet rreptë. Nis një persekutim i tmerrshëm. Kush e dëshmon besimin në Krishtin, rrezikohet të gjejë vdekjen. Mijëra japonezë vriten, ndërsa priftërinjtë misionarë dëbohen nga vendi. Papa Françesku e tregoi këtë histori simbolike, për të ndriçuar katekizmin e tij të sotëm, duke i bindur, me shembuj konkretë, ata që e dëgjonin, për pushtetin dhe forcën e pathyeshme të hirit të Pagëzimit. Tregoi histori martrizimi, me fund të lum, 250 vjet më pas:
Atëherë bashkësia u tërhoq në klandestinitet, duke e ruajtur fenë e duke u lutur në fshehtësi. E kur lindte ndonjë fëmijë, e pagëzonin babai ose nëna, sepse të gjithë ne mund të pagëzojmë. Kur, dy shekuj e gjysëm më pas, misionarët u rikthyen në Japoni, mijëra të krishterë dolën nga nëndheu e Kisha mundi të lulëzojë përsëri. Shpëtuan, falë forcës së Pagëzimit. E madhe kjo, e? Populli i Zotit transmeton fenë, pagëzon bijtë e vet e shkon përpara!”.
Kjo bashkësi në Japoni e përballoi martirizimin falë flakës së fesë, që mbeti e ndezur nga ati, tek biri. E kjo, vijoi Papa, ndodh gjithnjë, gjithkund, që kur Jezusi i nisi dishepujt e vet për të pagëzuar, në emër të Tij:
Në të vërtetë, ashtu si jeta transmetohet brez pas brezi, kështu brez pas brezi, përmes rilindjes nga gurra e Pagëzimit, transmetohet edhe hiri (...). Është një zinxhir në transmetimin e fesë përmes Pagëzimit, e secili nga ne është hallkë e këtij zinxhiri, një hap përpara, gjithnjë, si ujët e lumit, që vadit. Kështu edhe hiri i Zotit e po kështu, feja jonë, që duhet t’ua përçojmë bijve tanë, t’ua përcjellim fëmijëve, që edhe ata, kur të rriten, të mund t’ua transmetojnë bijve të tyre”.
Por historia e lashtë e Japonisë dhe e japonezëve të martirizuar për Krishtin, na jep edhe një mësim tjetër: kush është i pagëzuar, për vetë natyrën e vet, është edhe misionar. Populli i Zotit, shpjegoi Papa Françesku, është Popull dishepull, sepse e merr fenë; e edhe misionar, sepse e transmeton fenë. Prandaj, ngulmoi Ati i Shenjtë, na duhet një ‘protagonizëm i ri’ në gjirin e të krishterëve të sotëm. Ndërmjet të cilëve, shtoi, i ndjekur nga duartrokitjet e besimtarëve, mund të ndodhë edhe që mësues të jetë pikërisht ai, i cili mbahet kryesisht si dishepull:
Por disa nga ju do të thonë: ‘Atë, ipeshkvijtë nuk janë nxënës, ipeshkvijtë dinë gjithçka; Papa di gjithçka, nuk është nxënës’. Eh, edhe ipeshkvijtë e Papa duhet të jenë nxënës, të jenë dishepuj, sepse po të mos jenë dishepuj, nuk mund të bëjnë mirë, nuk mund të jenë misionarë, nuk mund ta përcjellin fenë. E kuptuat? A e kuptuat këtë? Është e rëndësishme: të gjithë ne, dishepuj e misionarë”.
E në këtë korp të bërë një, ku hyhet përmes Portës së Pagëzimit e ku përmasa e bashkësisë nuk është thjesht kornizë, vlen edhe një rregull tjetër:
“Askush nuk mund të shpëtojë vetëm. Kjo ka shumë rëndësi: askush nuk e shpëton vetveten, jemi bashkësi besimtarësh, jemi popull i Hyjit e në këtë bashkësi shijojmë bashkërisht bukurinë e një dashurie, që na prin të gjithëve, por që, njëkohësisht, na kërkon të jemi ‘kanale’ të hirit njëri për tjetrin, pavarësisht nga kufizimet tona e mëkatet tona”.
Papa u rikthye tek historia e Kishës në Japoni edhe në përshëndetjet drejtuar grupeve të ndryshme, të pranishme në Sheshin e Shën Pjetrit, duke iu drejtuar posaçërisht besimtarëve të Tokës së Shenjtë e të Jordanisë, të cilëve u kujtoi edhe një herë sjelljen e atyre që, 400 vjet më parë, ditën të qëndrojnë si burrat, në emër të Krishtit:
“Vështirësitë e persekutimet, kur jetohen me besim e shpresë, e pastrojë fenë, e kalisin. Të jeni, prandaj, dëshmitarë të vërtetë të Krishtit e të Ungjllit të Tij, bij të mirëfilltë të Kishës, gjithmomë gati për t’i dhënë përgjigje, me dashuri e respekt, kujt ju kërkon arsyen e shpresës suaj”.
Këto fjalë, shkëputur nga Letra e parë e Pjetrit, tingëlluan në Shesh si finale e fuqishme, kushtuar të gjithë atyre, që vuajnë, sepse janë njerëz të drejtë. Të lumtë ju, jehoi përsëri zëri i Shën Pjetrit, në zërin e Pasardhësit të tij, të lumtë ju! Mos kini frikë, mos u trazoni fare nga sulmet e atyre, që flasin keq për jetën tuaj në Krishtin. Është shumë më e pranueshme të vuash duke bërë mirë, se të gëzosh duke bërë keq!Në përfundim të katekizmit Papa përshëndeti edhe përfaqësuesit e regjimentit “Heshtarët e Aostës’, një nga repartet më të lashta e më të famshme të kalorësisë italiane, që i ndihmuan shumë emigrantët e Lampeduzës. Ju porosis të gjithë, përfundoi Papa duke iu drejtuar grupeve në Shesh, ta jetoni me bujari impenjimin tuaj kishtar, që Zoti t’jua mbushë zemrën me atë gëzim, të cilin vetëm Ai di ta japë.








All the contents on this site are copyrighted ©.