P. Kovalçik, për 20-vjetorin e Katekizmit të Kishës Katolike: U kryqëzua, vdiq
Vijojmë shfletimin e Katekizmit të Kishës Katolike, në 20-vjetorin e botimit. Sot,
reflektimi i 27-të i ciklit, përgatitur nga jezuiti, atë Dariush Kovalçik. Titullohet:
“U kryqëzua, vdiq”.
Jemi mësuar me fjalët e Besojmës: “Jezu Krishti
pësoi nën Poncin Pilat, u kryqëzua, vdiq e u varros”, pa e ndjerë fuqimisht se ky
pohim është shkandull. Pse Zoti hyn në histori në këtë mënyrë? E si është e mundur
që një Hyj i gjithëpushteshëm të na dëftohet në të Kryqëzuarin? Katekizmi pohon;
“Vdekja e dhunshme e Jezusit nuk ishte fryt i rastit, në një mpleksje të pavolitshme
rrethanash. Ajo i përket misterit, planit të Hyjit” (n.599). Kjo do të thotë
se protagonistët e ngjarjeve ungjillore nuk ishin ekzekutues pasivë të një improvizimi
hyjnor. Hyji parashikon, por nuk e zhduk lirinë e njeriut. Hyji e parashikoi se
dashuria e tij e mishëruar do të refuzohej dhunshëm. E megjithatë, Ai nuk u tërhoq
nga historia njerëzore, por shprehu solidaritetin e Tij ndaj njeriut mëkatar. Zoti
na do, edhe kur sillemi si armiq të tij. Katekizmi citon fjalët e Shën Palit: “Hyji
e dëftoi dashurinë e vet për ne, sepse ndërsa ishim ende mëkatarë, Krishti vdiq për
ne”(Rom 5,8). Jezusi nuk zbret nga kryqi për t’i ndëshkuar të këqinjtë, por
lutet: “Fali, o Atë, se nuk e dijnë ç’po bëjnë!”(Lk 23,34). E kjo është dashuri
e vërtetë, ‘deri në fund të fundit’ (Gjn 13,1). Në të Kryqëzuarin shikojmë
gjithëpushtetin e Hyjit, gjithëpushtet i dashurisë e i mëshirës. Vdekja e Krishtit,
siç na e kujton Katekizmi, është flijim, që e bën njeriun të rikthehet në bashkim
me Zotin (cfr n. 613). Gjithsesi nuk duhet menduar se Biri u flijua për të
fashitur zemërimin e Atit. Ishte flijim për dashuri. Hyji është i shenjtë. Si i tillë,
nuk mund ta pranojë mëkatin. Për ta shpëtuar mëkatarin, i mori mbi vete mëkatet e
tij. E duke e kryer këtë akt, i dhuroi njeriut faljen, pajtimin e ringjalljen për
jetën e pasosur.