2014-01-15 14:25:33

Kardinali Tauran: Në Siri t’i jepet fund dhunës menjëherë e pa kushte


“Ndërprerja e menjëhershme e dhunës” në Siri është një “urdhër i prerë humanitar” dhe përbën “hapin e parë drejt pajtimit”. Ky është njëri prej pohimeve kryesore të komunikatës përmbyllëse të punimeve mbi krizën siriane, organizuar të hënën në Vatikan, në Akademinë Papnore të Shkencave. Radio Vatikani intervistoi në lidhje me këtë temë Kryetarin e Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, Kardinali Jean-Louis Tauran, i cili i hapi këto punime:RealAudioMP3
Para së gjithash, bëhet fjalë për një takim, qëllimi i të cilit ishte t’i dorëzonte Atit të Shenjtë pikëpamjen e ekspertëve, të diplomatëve dhe të merrte në shqyrtim mënyrën me të cilën Papa dhe bashkëpunëtorët e tij mund ta ndihmojnë përshpejtimin e ardhjes së paqes në Siri. Filluam me nënvizimin e rëndësisë së “Gjenevës 2”: bota pret diçka shumë pozitive nga ky takim, që është i dyti, kërkon hapa domethënës drejt paqes. Gjëja interesante është se shumë ekspertë thanë se, tek e fundit, shkaku i konfliktit në Siri janë mbi të gjitha ndasitë në Rajon. Prandaj, u vunë në dukje pesë pika konkrete, ndër të cilat armëpushimi dhe ndërprerja e dhunës...
Armëpushim i menjëhershëm e pa kushte...
I menjëhershëm e pa kushte, sigurisht. Pastaj ndihma humanitare dhe korridoret, me qëllim që ndihmat humanitare të mbërrijnë tek njerëzit, që kanë me të vërtet nevojë. Pastaj rindërtimi material, në fillim, dhe rindërtimi moral e shpirtëror i vendit. Në vijim, pajtimi me anë të dialogut ndër-kulturor e ndër-fetar. Të gjithë u shprehëm me ngulm se në Gjenevë duhet të jenë të pranishëm të gjithë aktorët e rajonit e më tej.
Të gjithë aktorët e rajonit: domethënë përfshirë Iranin?
Po, sepse pas marrëveshjes mbi armët bërthamore – që ka qenë një hap shumë pozitiv – shpresohet se kjo gjë mund të jetë “ngjitëse”. Është e domosdoshme që të jetë i pranishëm edhe Irani, në “Gjenevën 2”.
Çfarë peshe mendoni se do të ketë Selia e Shenjtë në “Gjenevën 2”?
Po mirë..., varet. Sot i dorëzojmë Papës përfundimet e punimeve dhe ai do të vendosë vetë çfarë gjesti mund të behet. Mendoj se Selia e Shenjtë do ta marrë një nismë, por cila mund të jetë, është e pamundur të thuhet sot. Është e sigurte se “Gjeneva 2” është një çast shumë i rëndësishëm: ose do të ketë rezultate, ose do të ndodhë katastrofa!
Selia e Shenjtë ka kërkuar edhe një herë, me forcë, që të ndalohet furnizimi i Sirisë me armë...
Po, armët dhe paratë që duhen për të blerë armë, sepse është një burim i pashtershëm: këto para duhet të përdoren për të ndihmuar viktimat...
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, u prit nga Sekretari i Shtetit Imzot Parolin e nga Sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet, Imzot Dominique Mamberti: a është një shenjë se Selia e Shenjtë e ka një peshë në vendimmarrjet e mëdha të botës? A e dëgjojnë me të vërtetë udhëheqësit e botës zërin e Selisë së Shenjtë?
Ah, që e dëgjojnë po, nuk ka asnjë dyshim. Por që pastaj të vijnë faktet, mirë, kjo nuk ndodh gjithmonë. Selia e Shenjtë është një fuqi morale, kjo nuk duhet harruar. Është një histori e tërë, një histori e tërë diplomatike, që e ka peshën e vet, kuptohet. E në përgjithësi e dëgjojnë. Popullariteti i madh i Papës Françesku i bën udhëheqësit politikë gjithnjë e më kureshtarë dhe disi të habitur nga ky popullaritet. Është e habitshme. Dje kam cituar fjalët e Papës Piu XI në prag të luftës së dytë botërore: ishte 24 gushti 1939, rreziku ishte pas dere, por kishte ende mundësi... “Asgjë nuk shkon dëm me paqen, gjithçka mund të shkojë dëm me luftën”. Po ta kishin dëgjuar mund të ishte shmangur vdekja e miliona njerëzve...
Mund të thuhet se diplomacia është në punë dhe se po i përshpejton përpjekjet, për të shmangur përkeqësimin gjithnjë e më tragjik të gjendjes në vend...
Përgjegjësinë e kanë udhëheqësit politikë dhe Kombet e Bashkuara. Kemi ngulur këmbë me forcë mbi rëndësinë e Kombeve të Bashkuara e kam mbetur shumë i kënaqur për këtë, sepse jam një mbrojtës i bindur i Kombeve të Bashkuara. Kapitujt 6 e 7 të Statutit të Kombeve të Bashkuara tregojnë shumë qartë çfarë duhet bërë kur kërcënohet paqja, si në këtë rast. Mendoj se është shumë e rëndësishme që përgjegjësit e shoqërisë të mos harrojnë se të gjithë e kanë firmosur Statutin e Kombeve të Bashkuara dhe se ky Statut ka si qëllim kryesor shmangien e luftës për brezat e ardhshëm. Tani, pas 70 vjetësh, kujtohemi se, një herë bëhet luftë e pastaj dialogohet: duhet bërë e kundërta. Pra, mendoj se është e rëndësishme të kujtojmë rolin kryesor të Kombeve të Bashkuara.
Selia e Shenjtë ka thënë se është e vendosur për mbrojtjen e të gjitha besimeve fetare dhe të gjitha bashkësive që jetojnë në Siri, me shpresë se ato do ta gjejnë mirëkuptimin. Si mendoni se duhet të lëvizë Kisha?
Të krishterët kanë përgjegjësi të veçantë në edukimin e rinisë, duke u mbështetur tek dialogu. Duhen ndërtuar edhe institucionet demokratike dhe duhet gjetur fryma e bashkëjetesës.
Çfarë merrni me vete nga takimi i 13 janarit?
Më ka lënë mbresa klima në të cilën i zhvilluam bisedimet, sepse rrallë herë kam parë kaq shumë miqësi e mirëbesim. Ka qenë shumë bukur. Kam takuar njerëz me shumë cilësi, specialistë të mëdhenj, të angazhuar me përpikëri për t’i shërbyer njerëzimit dhe çështjes së paqes, pa interes e me përkushtim. Pavarësisht nga konflikti, pavarësisht nga ndasitë, është e rëndësishme të vijojmë rrugën e negociatave dhe të dialogut.








All the contents on this site are copyrighted ©.