Papa: Feja nuk duhet të jetë peshë mbi shpatullat e njerëzve
Katër modele besimtarësh, për t’u thelluar mbi dëshminë e vërtetë të të krishterit.
Në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës, Papa Françesku u frymëzua nga figurat
e paraqitura në leximet e ditës, për të nënvizuar se risia, që ka sjellë Jezusi, është
dashuria e Hyjit për secilin prej nesh. Papa na fton të ruhemi nga sjelljet hipokrite
ose legaliste, që i largojnë njerëzit nga feja.
Gjatë homelisë së sotme, Papa
Françesku u ndal tek katër modele të të krishterëve, duke u nisur nga leximet e sotme:
Jezusi, skribët, Eliu prift dhe bijtë e tij, edhe ata priftërinj. Ungjilli, tha Papa,
na tregon cili ishte “qëndrimi i Jezusit kur shpjegonte gjërat”, “mësonte si dikush
që ka autoritet e jo si skribët”. Këta të fundit, pohoi, “mësonin, predikonin, por
u ngarkonin njerëzve shumë gjëra të rënda mbi shpatulla, dhe njerëzit e shkretë nuk
mund të përparonin”: “E vetë Jezusi thotë se ata nuk i lëviznin këto gjëra as
me gisht, apo jo? E pastaj, u thotë njerëzve: ‘Bëni çfarë ju thonë, por jo çfarë bëjnë
ata!’. Njerëz të pasinqertë... Por gjithmonë këta skribë, këta farisej, i frushkullojnë
në një farë mënyre njerëzit, apo jo? ‘Duhet të bëni kështu, kështu e kështu’, u thonë
njerëzve të shkretë... E Jezusi tha: ‘Por kështu ju kyçni – ua thotë atyre! – derën
e Mbretërisë së Qiejve. Nuk i lini të tjerët të hyjnë dhe as ju nuk hyni!’. Është
një lloj, një mënyrë të të predikuarit, të të mësuarit, të të dëshmuarit të fesë...
E kështu, sa ka nga ata që mendojnë se feja është diçka e tillë...”. Në leximin
e parë, nga Libri i Samuelit, tha Papa, gjejmë figurën e Eliut, “një prift i shkretë,
i dobët, i vakët” që “i lejonte bijtë e vet të bënin shumë gjëra të shëmtuara”. Ai
rri ulur para një shtalke të Tempullit të Zotit dhe shikon Anën, një zonjë, “që lutej
si dinte e kërkonte një fëmijë”. Kjo grua, pohoi Papa, “lutej siç luten njerëzit e
përvuajtur: thjesht, por me zemër, me ankth”. Ana “lëvizte buzët”, siç bëjnë “shumë
gra të mira në kishat tona, në shenjtëroret tona”. Lutej kështu e kërkonte një mrekulli.
E Eliu plak e shikonte e thoshte: “Po kjo është e dehur!” dhe “e përçmoi”. Ai, vërejti
Papa, “ishte përfaqësuesi i fesë, drejtuesi i fesë, por zemra e tij nuk kishte ndjenja
të mira dhe e përçmoi atë zonjë”: “Sa herë populli i Hyjit ndjehet i padashur
nga ata që duhet të japin dëshmi: nga të krishterët, nga laikët e krishterë, nga priftërinjtë,
ipeshkvijtë... ‘Hë, të shkretët, nuk kuptojnë gjë... Duhet të bëjë një kurs teologjie
për të kuptuar mirë’. Po, pse e kam një farë simpatie për këtë njeri? Sepse në zemër
e kishte ende vajosjen, sepse kur ajo grua ia shpjegon rrethanat, Eliu i thotë: ‘Shko
në paqe e Hyji i Izraelit të dhëntë çfarë i ke kërkuar’. Del në pah vajosja priftërore:
i shkreti njeri, e kishte fshehur diku brenda vetes dhe përtacia... është njeri i
vakët. E pastaj përfundon keq, i gjori”. Bijtë e tij, vijoi Papa, nuk shihen
në pjesën e leximit të parë, por ishin ata që mbarështonin tempullin, “ishin zhvatës”.
“Ishin priftërinj, por zhvatës”. “Shkonin pas pushtetit, pas parave – tha Papa – i
shfrytëzonin njerëzit, përfitonin nga lëmoshat, nga dhuratat” dhe “zoti i ndëshkon
fort”. Kjo, vijoi pastaj, është figura e të krishterit të korruptuar, “e laikut të
korruptuar, e priftit të korruptuar, e ipeshkvit të korruptuar, që përfiton nga rrethanat,
nga privilegji i fesë, i të qenit i krishterë” dhe “zemra e tij përfundon me korruptimin,
siç i ndodh Judës”. Nga zemra e korruptuar, vijoi, del “tradhtia”. Juda e tradhton
Jezusin. Bijtë e Eliut janë modeli i tretë i besimtarit. Pastaj vjen i katërti, ai
i Jezusit. Për Jezusin njerëzit thonë: “Ky mëson si dikush që ka autoritet: ky është
një mësim i ri!” Po ku është risia, pyet Papa Françesku? Është “pushteti i shenjtërisë”,
“risia e Jezusit është se mbart me vete Fjalën e Hyjit, mesazhin e Hyjit, domethënë
dashurinë e Hyjit për secilin prej nesh”. Jezusi, theksoi Ati i Shenjtë, “e sjell
Hyjin pranë njerëzve dhe, për të bërë këtë gjë, afrohet vetë: u rri afër mëkatarëve”.
Jezusi, kujtoi Papa, e fal kurorëshkelësen, “flet për teologjinë me gruan nga Samaria,
e cila nuk ishte edhe aq engjëllore”. Jezusi, shpjegoi më tej, “kërkon zemrën e njerëzve,
i afrohet zemrës së lënduar të njerëzve. Jezusit i intereson vetëm njeriu dhe Hyji”.
Jezusi, vuri në dukje Papa Françesku, dëshiron që njerëzit të afrohen, ta kërkojnë,
dhe mallëngjehet kur i sheh si delet pa bari”. Dhe gjithë kjo sjellje, nënvizoi, “është
ajo falë së cilës njerëzit thonë: ‘Po, ky është një mësim i ri: është e re mënyra
si e bën!’”. Jo, tha Papa, nuk është i ri mësimi, është mënyra si e bën, e re. Është
tejdukja ungjillore: “T’i lutemi Zotit, që këto dy lexime të na ndihmojnë në
jetën tonë të krishterë: të gjithë. Secilin në vendin e vet. Të mos jemi legalistë
të kulluar, hipokritë si skrëbet e farisejtë. Të mos jemi të korruptuar, si bijtë
e Eliut, por të jemi si Jezusi, me zellin për t’i kërkuar njerëzit, për t’i shëruar
njerzit, për t’i dashur njerëzit e për t’u thënë: ‘Po nëse unë, kaq i vogël, bëj këtë
gjë, mendo si të do Hyji, si është Ati yt!’. Ky është mësimi i ri që kërkon Hyji prej
nesh. T’ia kërkojmë këtë hir”.