2014-01-14 15:13:51

Intervista e Papës Françesku me Atë Spadaron: lutja


Kalesa e fundit e intervistës së Papës Françesku me Atë Spadaron. Gjatë leximit të kësaj interviste jemi njohur me pasardhësin e Pjetrit, të ardhur “nga fundi i botës”, me zanafillën e thirrjes së tij, me interesat kulturore, letrare, artistike dhe, mbi të gjitha, me vizionin për Kishën. Sot Papa na tregon si lutet.
I drejtoj Papës pyetjen e fundit, mbi mënyrën e lutjes që i pëlqen më shumë.
“Çdo mëngjes lutem me Shërbesën e Orëve (Ufici). Më pëlqen të lutem me psalmet. Pastaj, në vijim, kremtoj meshën. Lus rruzaren. Gjëja që më pëlqen me të vërtetë është adhurimi në mbrëmje, edhe kur shpërqendrohem e mendoj tjetër gjë, ose kotem duke u lutur. Në mbrëmje, pra, ndërmjet orës shtatë e tetë, rri para të Shejtnueshmit për një orë në adhurim. Por lutem edhe me mendje, kur pres te dentisti ose në momente të tjera gjatë ditës”.
“E lutja, për mua, është lutje ‘kujtimtare’, plot me kujtesë, me kujtime, edhe kujtesë e historisë sime ose e asaj që ka bërë Zoti në Kishën e tij ose në një famulli të veçantë. Sipas meje është Kujtesa për të cilën flet Injaci në Javën e Parë të Ushtrimeve në takimin mëshirëplotë me Krishtin e kryqëzuar. Dhe e pyes veten: ‘Çfarë kam bërë për Krishtin? Çfarë bëj për Krishtin? Çfarë duhet të bëj për Krishtin?” Është kujtesa për të cilën flet Injaci edhe në Contemplatio ad amorem, kur kërkon të kthejmë në kujtesë të mirat që kemi marrë. Por mbi të gjitha unë e di se Zoti më kujton mua. Unë mund ta harroj atë, por e di se Ai më do, nuk më harron kurrë. Kujtesa është themeli i thellë i zemrës së jezuitit: është kujtesa e hirit, kujtesa për të cilën flitet tek Deuteronomi, kujtesa e veprave të Hyjit, që janë në themel të besëlidhjes ndërmjet Hyjit e popullit të vet. Kjo kujtesë më bën bir e më bën të ndjehem edhe atë”.
* * *
Vë re se do ta vijoja ende për shumë kohë këtë dialog, por e di se, siç kishte thënë Papa një herë tjetër, nuk duhet t’i “keqtrajtojmë kufijtë”. Kemi biseduar gjithsej gjashtë orë, gjatë tre takimeve më 19,23 e 29 gusht. Këtu kam parapëlqyer ta lidh bashkëbisedimin, pa i vënë në dukje ndërprerjet, për të mos humbur vazhdimësinë. Kemi bërë më shumë një bashkëbisedim sesa një intervistë: pyetjet kanë qenë një farë sfondi, që nuk e kanë futur intervistën në hullinë e ngushtë të parametrave të paracaktuar e të ngurtë. Edhe nga pikëpamja gjuhësore kemi kaluar lirshëm nga italishtja tek spanjishtja, pa i vënë re këto kalime të herëpashershme. Asgjë nuk ka qenë mekanike dhe përgjigjet kanë lindur në dialog dhe brenda një arsyetimi, që këtu jam përpjekur ta jap në mënyrë sintetike, ashtu si kam mundur.








All the contents on this site are copyrighted ©.