2014-01-14 17:03:42

Imz. Parolin takon Sekretarin e Shtetit të SHBA-së John Kerry


Dje, në Vatikan, u takuan Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Imzot Pietro Parolin, dhe sekretari të Shtetit të SHBA-së, John Kerry. Kreu i diplomacisë amerikane po zhvillon këto ditë një sërë vizitash diplomatike, për të mbështetur një marrëveshje për paqen mes izraelianëve e palestinezëve dhe mbarëvajtjen e konferencës “Gjeneva 2” për paqen në Siri, që do të mbahet më 22 janar. Mbi takimin mes Parolin-it e Kerry-t, të dëgjojmë deklaratën për shtyp të drejtorit të Sallës së Shtypit të Vatikanit, Atë Federico Lombardi:RealAudioMP3
“Sot paradite Sekretari amerikan i Shtetit erdhi për vizitë në Vatikan dhe takoi Sekretarin e Shtetit, Shkëlqesinë e Tij Imz. Parolin. Takimi qe shumë i rëndësishëm; qe gjithashtu i gjatë, sepse zgjati një orë e dyzet minuta. Morën pjesë, bashkë me Sekretarin amerikan të Shtetit, Ambasadori amerikan pranë Selisë së Shenjtë dhe tre anëtarë të stafit të Sekretarit të Shtetit; nga ana e Vatikanit, Sh. T. Imzot Parolin, që është Sekretari i Shtetit, sekretari për marrëdhëniet me Shtetet, Sh. T. Imzot Mamberti dhe dy zyrtarë të tjerë të kurjes, kompetentë për argumentet e trajtuara.
Takimi qe shumë i frytshëm e shumë i pasur edhe nga përmbajtja. Argumentet kryesore, që u trajtuan, qenë, natyrisht, çështjet e Lindjes së Mesme, veçanërisht gjendja siriane, që do të trajtohet gjatë këtij muaji në Gjenevë. Natyrisht, u paraqitën shqetësimet dhe dëshirat e Selisë së Shenjtë, të shprehura edhe gjatë fjalimit të Papës me Trupin Diplomatik: dëshira për një zgjidhje paqësore të konfliktit dhe angazhimi për ndihmat humanitare ndaj popullsive të sprovuara. U mor në shqyrtim tema e negociatave ndërmjet Izraelit e Palestinës, duke inkurajuar vijimin e tyre, shpresojmë, me një përfundim të mirë.
Gjatë bisedimeve u fol edhe për Afrikën. Jemi në dijeni të gjendjes në Sudan, që është bërë kaq dramatike gjatë kohëve të fundit, dhe shpresojmë se ndërmjetësimi i nisur për një marrëveshje mes palëve të sjellë përfundime të mbara.
U prek edhe tema e Shteteve të Bashkuara dhe, nga ana e Vatikanit, u shpreh shqetësimi i Selisë së Shenjtë, në sintoni me ipeshkvijtë amerikanë, për temat që kanë të bëjnë me rregulloret e reformës shëndetësore, në lidhje me garancinë për lirinë fetare të kundërshtimit për arsye të ndërgjegjes. U fol edhe për planin e Presidentit për të luftuar kundër varfërisë dhe për përmirësimin e gjendjes së shtresave më të varfra të popullsisë.
Atmosfera ishte – siç e thashë në fillim – pozitive; takim konstruktiv, i rëndësishëm, kohëzgjatja e të cilit e tregon vetë çfarë rëndësie kishte.








All the contents on this site are copyrighted ©.