2014-01-13 13:23:54

Papa Françesku: dashuria e Hyjit e ndreq historinë tonë


Dashuria e Hyjit i ndreq gabimet tona, historitë tona prej mëkatarësh, sepse nuk na lë kurrë vetëm, edhe pse ne nuk e kuptojmë këtë dashuri. Kështu tha Papa, gjatë kremtimit të Meshës në Shtëpinë e Shën Martës, këtë të hënë të parë të kohës Gjatë Vitit.RealAudioMP3

Jezusi thërret Pjetrin, Andrenë, Jakobin dhe Gjonin: janë duke peshkuar, por i braktisin menjëherë rrjetat dhe e ndjekin. Duke komentuar Ungjillin e ditës, Papa nënvizon se Zoti dëshiron t’i përgatisë nxënësit e vet për misionin e ri: “Është veçori e Hyjit, e dashurisë së Hyjit” – pohon Papa – “të përgatisë udhët... të përgatisë jetët tona, për secilin prej nesh. Ai nuk na bën të krishterë vetvetiu, por na përgatit. Na përgatit udhën, përgatit jetën tonë, ngaherë”:

“Duket sikur Simoni, Andrea, Jakobi, Gjoni janë zgjedhur në mënyrë përfundimtare. Po, janë zgjedhur! Por ata, në këtë çast, nuk kanë qenë besnikë në mënyrë përfundimtare! Pas kësaj zgjedhjeje kanë gabuar, i kanë bërë Zotit parashtrime jo të krishtera, e kanë mohuar Zotin. Pjetri në shkallë sipërore, të tjerët nga frika: janë trembur e ua kanë mbathur këmbëve. E kanë braktisur Zotin. Zoti përgatit. E pastaj, pas ringjalljes, Zotit i është dashur ta vijojë këtë udhë të përgatitjes deri në ditën e Rrëshajëve. Edhe pas Rrëshajëve, disa prej tyre, Pjetri, për shembull, ka gabuar dhe Palit i është dashur ta ndreqë. Por Zoti përgatit”.

Kështu, vijon Papa, Zoti na përgatit prej shumë brezash:

“E kur gjërat nuk shkojnë mirë, Ai përzihet në historinë tonë, e rregullon gjendjen dhe ecën me ne. Të mendojmë breznitë e Jezu Krishtit, këtë listë: këtij i lindi ai, atij i lindi ai, atij i lindi ai... Në atë listë të historisë ka mëkatarë e mëkatare. Po si ka vepruar Zoti? Është përzier, ka ndrequr udhën, i ka rregulluar gjërat. Të mendojmë të madhin David, mëkatar i madh e, pastaj, shenjt i madh. Zoti e di! Kur Zoti na thotë ‘Me dashuri të madhe të kam dashur’, e thotë në lidhje me këtë. Zoti na ka menduar ne prej shumë brezash, secilin prej nesh!”.

“Më pëlqen të mendoj – pohon Papa – se Zoti ka ndjenjat e një çifti që pret fëmijë: e pret. Na pret gjithmonë në këtë histori dhe pastaj na shoqëron gjatë historisë. Kjo është dashuria e amshuar e Zotit; e amshuar, por konkrete! Dashuri zejtare, gjithashtu, sepse ai, pak nga pak, na e bën historinë, pak nga pak, na e përgatit udhën, secilit prej nesh. E kjo është dashuria e Hyjit”, që “na thërret që ngaherë e nuk na braktis kurrë. T’i lutemi Zotit, që ta njohim këtë ëmbëlsi të zemrës së tij”. Kjo, saktëson Papa, është “punë e fesë” e nuk është e lehtë ta besojmë këtë:

“Sepse racionalizmi ynë thotë: ‘Po si, Zoti, me të gjithë njerëzit që ka, më mendon mua? Më ka përgatitur udhën mua!’. Me nënat tona, gjyshet tona, etërit tanë, gjyshërit e stërgjyshërit tanë... Zoti vepron kështu. Kjo është dashuria e tij: konkrete, e amshuar dhe edhe zejtare. Të lutemi, duke kërkuar këtë hir, për të kuptuar dashurinë e Hyjit. Por nuk kuptohet kurrë! Ndjehet, qahet, por për ta kuptuar këndej, nuk e kuptojmë. Edhe kjo na tregon sa e madhe është kjo dashuri. Zoti, që na përgatit me kohë, ecën me ne, duke përgatitur të tjerët. Është gjithmonë me ne! Të kërkojmë hirin për ta kuptuar këtë dashuri të madhe”.








All the contents on this site are copyrighted ©.