2014-01-13 13:26:18

Malajzi: të krishterëve u ndalohet përdorimi i fjalës “Allah”


Atë Lawrence Andrew (Lorens Endrju), meshtar malajzian dhe drejtor i gazetës katolike “Herald”, e përjavshme dioqezane e Kuala Lumpurit, është nën hetimin e drejtësisë malajziane dhe rrezikon të paditet e të gjykohet për “kryengritje”. Padia lidhet me përdorimin , nga ana e katolikëve, të fjalës “Allah”, për të treguar Hyjin.
Sipas Kishës vendase, kundër tij janë depozituar 109 padi, sepse, në një artikull të botuar më 27 dhjetor në gazetën “Herald”, ka pohuar se besimtarët katolikë kanë të drejtë të vijojnë ta përdorin fjalën “Allah” për të përmendur Hyjin. Në këtë artikull, Atë Lawrence Andrew citon një lutje të krishterë të para njëqind vjetëve, në gjuhën maleze, në të cilën përdorej emri “Allah”, i ndaluar për të krishterët me një vendim të gjykatës së apelit në vitin 2003. Kjo ngjarje i ndez edhe një herë reflektorët mbi debatin rreth përdorimit të emrit “Allah” nga ana e jomyslimanëve. Radio Vatikani foli me islamologun dhe docentin e egzegjezës kuranike të Universitetit Papnor Gregorian, Adname Mokrani:
Fjala ‘Allah’ nuk është një fjalë tipike islamike. Është një fjalë arabe, që do të thotë ‘Hyj’. Pra, përdorej para se të ekzistonte profeti Muhamet, para Kuranit, dhe në Arabi përdoret në të gjitha përkthimet biblike në arabisht, përgjatë historisë. Edhe diçka tjetër: myslimanët jo arabë përdorin fjalë të tjera. Për shembull, të krishterët indianë përdorin fjalën ‘Hoda’, edhe në urdu, që do të thotë: ‘Hyj’. Edhe në disa gjuhë perëndimore, në përkthimet e Kuranit, thuhet ‘Dio’ në italisht, ‘God’ në anglisht, ‘Dieu’ në frëngjisht... E pra, ky stërshenjtërim i fjalës ‘Allah’ e ky privatizim nga ana e një bashkësie fetare, më duket absurd, sepse bie në kundërshtim me historinë, me larminë kulturore në botën islamike dhe në botë.
Mbi Atë Lawrence rëndojnë 109 padi: mbi ç’bazë mbështeten këto padi?
Sipas meje baza e vetme është injoranca: mosnjohja e historisë, mosnjohja e kulturës arabe. Kjo do të thotë të bësh beteja të kota për të ngjallur shqetësim, për të krijuar një klimë të nderë, dhe kjo nuk është tjetër, por vepër e fundamentalizmit.
Hapja e hetimeve mbi Atë Andrew vjen pas një ngjarjeje tjetër: sekuestrimi i 300 Biblave, nga ana e policisë së shtetit, sepse përmbanin fjalën ‘Allah’. Biblat u kthyen më vonë.








All the contents on this site are copyrighted ©.