2014-01-13 15:41:00

Letër e Papës Françesku, kardinajve të rinj: kardinalati nuk është gradim, pranoje me përvujtëri e thjeshtësi


Kardinalat nuk do të thotë gradim, as nderim, as stoli: është thjesht shërbim, që kërkon t’i hapësh mirë sytë e ta zgjërosh zemrën. Kështu shkruan Papa Françesku në një letër, drejtuar 19 kardinajve të rinj, pasi dha dje njoftimin për emërimin e tyre. Por, ta lexojmë së bashku letrën e Papës, kardinajve:
“Në ditën kur bëhet publik emërimi yt si pjesëtar i Kolegjit Kardinalor, dëshiroj të të dërgoj një përshëndetje të përzemërt, duke të siguruar, njëherësh, për afërsinë e lutjen time. Dëshiroj që, si i përfshirë në Kishën e Romës, i veshur me virtytet e me ndjenjat e Zotit Jezus (Rom 13,14), të më ndihmosh me dashuri vëllazërore në shërbimin tim ndaj Kishës universale.
Kardinalat nuk do të thotë gradim, as nderim, as stoli: është thjesht shërbim, që kërkon t’i hapësh mirë sytë e ta zgjërosh zemrën. E, ndonëse duket si paradoks, kjo mundësi për të parë më larg e për të dashur universalisht me më shumë forcë, mund të fitohet vetëm duke ecur në udhën e Zotit: udhë e uljes, e përvujtërisë, duke marrë formën e shërbëtorit(cfr Fil 2,5-8). Prandaj të kërkoj, a më mirë të lutem, ta marrësh këtë emërim me zemër të thjeshtë e të përvuajtur. E, ndonëse duhet ta bësh me gëzim e hare, bëje në mënyrë që kjo ndjenjë t’i rrijë larg çdo shprehjeje të mendësisë së botës, çdo festimi të huaj për frymën ungjillore të thjeshtësisë, të përkorjes, të varfërisë. Mirupafshim, pra, më 20 shkurt, kur do të fillojmë dy ditët e reflektimit kushtuar familjes. Mbetem në dispozicionin tënd e, të kërkoj një nder: të lutesh e t’i bësh edhe të tjerët të luten për mua.
Jezusi të bekoftë e Virgjëra e Shenjtë të mbroftë.
Vëllazërisht,

Nga Vatikani, 12 janar 2014









All the contents on this site are copyrighted ©.