2014-01-13 13:24:36

Imzot Tomazi: duke pritur “Gjenevën 2”, Selia e Shenjtë forcon impenjmin për paqe


Në mesazhin për vitin e ri, Papa Françesku nënvizoi se bota është e thirrur të formojë një bashkësi të përbërë nga njerëz, që e shikojnë njëri-tjetrin si vëllezër. Por kësaj thirrjeje i kundërvihet globalizimi i indiferencës, na kujton imzot Silvano Tomazi. Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë zyrës së OKB-së të Gjenevës, na flet sot për impenjimin e Selisë së Shenjtë në shërbim të paqes e të pajtmit, kujton temën e vëllazërimit, ndalohet tek lufta në Siri dhe impenjimet e nunciaturës për vitin 2014.
Ndërkaq situata në Siri mbetet e tensionuar. Ditët e fundit u vranë mbi 500 vetë në ndeshjet ndërmjet rebelëve dhe milicëve kaedistë. Në veri të vendit, në pritje të “Gjenevës 2”, që do të mblidhet më 22 janar, në Montreaux(Montro), dje, në Paris u mblodh takimi i ‘Miqve të Sirisë’. Miqtë po përpiqen të sigurojnë një qëndrim kompakt brenda opozitës. Por, të rikthehemi tek imzot Tomazi, në mikrofonin tonë:RealAudioMP3

Pyetje: - Konferenca e 22 janarit kushtuar Sirisë po afrohet: cilat janë problemet, që shtrohen për zgjidhje mbi tryezën e bisedimit?

Përgjigje: - Kërkimi i paqes në Lindjen e Mesme është impenjim i përhershëm i bashkësisë ndërkombëtare. Lufta, që vijon në Siri dhe shpërthimi i konflikteve në Irak e gjetiu, kërkojnë dyfishimin e përpjekjeve për t’i dhënë fund dhunës dhe vuajtjeve të miliona njerëzve. Situata është e ndërlikuar për shkak të kundërvënies së interesave të fuqive të mëdha, si Rusia e SHBA si dhe të garës për parí politiko-fetare ndërmjet Iranit e Arabisë Saudite ose ndërmjet shiitëve sunnitëve. E, në këtë panoramë kaq të shqetë jetojnë edhe të krishterët. Hapi i parë, në këtë situatë, është t’i jepet fund dhunës dhe rrënimit, në vijim. Ati i Shenjtë Françesku ka folur qartë për paqe të drejtë në Lindjen e Mesme ku, pas pak kohe, do të shkojë personalisht. Sipas shembullit të Tij, Akademia Papnore e Shkencave thirri një takim me pjesëmarrjen e specialistëve e të personaliteteve fetare, për të reflektuar së bashku e për t’i drejtuar këshilla të mundshme Konferencës “Gjeneva 2”, që duhet të mbahet në Gjenevë, më 22 janarin e ardhshëm. Do të jenë tok, ulur rreth tryezës së bisedimeve, të gjitha forcat politike, që kanë të bëjnë me konfliktin sirian…

Pyetje: - A ka ndonjë nismë të posaçme të nunciaturës, lidhur me takimin “Gjeneva2”?

Përgjigje: - Edhe Këshilli Ekumenik i Kishave organizon, më 16 e 17 janar, takimin me liderët fetarë të krishterë e myslimanë, për t’i mbështetur politikanët e për të dëshmuar sa urgjente është vendosja e paqes si dhe përfundimi i shpërnguljes së detyruar të miliona njerëzve, ndërmjet të cilëve, shumë fëmijë. E jo më pak, vrasja e qindra të tjerëve. Misioni i Selisë së Shenjtë në Gjenevë ka ndërhyrë disa herë për çështjen e Sirisë e vijon ta bëjë këtë, duke propozuar respekt e barazi për çdo qytetar, që duhet t’i gëzojë të gjitha të drejtat njerëzore para shtetit. Nuk ka etni, as fe, që mund ta pengojë barazinë para shtetit, i cili duhet të sigurojë respektimin e të gjitha lirive dhe të drejtave të njeriut. Vetëm kështu mund të vendosen paqja e bashkëpunimi në Lindjen e Mesme.

Pyetje: - Cilat janë impenjimet më urgjente për t’u përballuar në vitin 2014?

Përgjigje: - Edhe 2014-ta paraqitet vit impenjativ, si për punën e zakonshme të Këshillit për të Drejtat e Njeriut e të Konferencës për Çarmatimin, ashtu edhe për kërkesat humanitare, që lindin nga konfliktet në Afrikë e në Lindjen e Mesme, në vijim, duke shkaktuar dyndjen e valëve të refugjatëve në Republikën Qendroafrikane dhe në Sudanin e Jugut. Prania e Selisë së Shenjtë është pak a shumë zëri i ndërgjegjes. Parësor mbetet kërkimi i paqes, pa të cilën nuk mund të ketë asnjë lloj zhvillimi. Shqetësuese janë edhe problemet e lirisë fetare, punësimi i të rinjve, mbrojtja e fëmijëve, trafiku i njerëzve dhe emigracioni.









All the contents on this site are copyrighted ©.