Papa pagëzon 32 fëmijë: të transmetosh fenë është trashëgimi më i bukur
Transmetojani fenë këtyre fëmijëve. Është trashëgimi më i madh, që u lini. Kështu
u shpreh Papa Françesku në Meshën e kremtuar sot paradite, në Kapelën Sikstine, gjatë
së cilës u dha Sakramentin e Pagëzimit 32 fëmijëve: 18 vajza e 14 djem. Të vegjëlit
patën fatin të pagëzohen nga Papa, ditën kur Kisha kremton Solemnitetin e Pagëzimit
të Zotit. Kjo është hera e parë, për Papën Françesku. Ndërmjet bashkëkremtuesve, edhe
Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kryeipeshkvi Pietro Parolin.
Përcjellja e
fesë fëmijëve të pagëzuar! Kjo ishte baza kryesore, mbi të cilën u ngrit homelia e
Atit të Shenjtë, bisedë atërore, mbajtur lirisht në kornizën mahnitëse të Kapelës
Sikstine e cila, me kryeveprat e veta, plotëson atë, që goja njerëzore nuk arrin dot
ta thotë. Duke e shoqëruar njeriun, që e viziton, në viset e Besëlidhjes së Vjetër
e të Re, edhe në skenën e Pagëzimit të Krishtit në lumin Jordan, dalë nga peneli i
Peruxhinos. Këtu Papa u dha pagëzimin fëmijëve të vegjël, që iu paraqitën në krahët
e prindërve, shoqëruar nga nunët e nunat, të cilëve Ati i Shenjtë iu drejtua me fjalët: “Ju
jeni ata, që transmetojnë fenë, transmetuesit; ju keni detyrën t’ua përcillni fenë
këtyre fëmijëve. Është trashëgimi më i bukur, që do t’u lini: feja! Mjafton vetëm
ky trashëgim. Sot çojeni në shtëpi këtë mendim: ne duhet të jemi transmetues të fesë.
Mendojeni këtë, mendoni gjithnjë si t’ua transmetoni fenë fëmijëve”. Jezusi
nuk kishte nevojë të pagëzohej, por teologët e parë, kujtoi Papa në homeli, thonë
se me korpin e Tij, me hyjninë e Tij, në pagëzim Zoti i bekoi të gjitha ujërat, që
të kishin fuqi për të dhënë Pagëzimin. Prej këndej, para se të ngjitej në qiell, Jezusi
na porositi të shkojmë në të katër skajet e botës për të pagëzuar, vijoi Papa Françesku.
Që nga ajo ditë e deri më sot, kjo formon një zinxhir të pakëputur, që vijon të zgjatë
hallkat e veta, brezni pas breznie. E këta foshnja, që po pagëzohen, janë hallka të
reja të këtij zinxhiri: “Ju, prindër, keni një djalë a një vajzë
për të pagëzuar, por pas disa vjetësh, do të kenë këta një bir a një nipçe, për të
pagëzuar... Kështu është zinxhiri i fesë!”. Mbi Kapelën Sikstine ndjehej
fort atmosfera solemne e festive, stolisur me ndonjë gugatje a vaj fëmije. E kënga
e foshnjave regjistrohej, si çdo vit në këtë Solemnitet, mbi këto mure të pashoqe,
ngatërruar me mijëra zëra, që lanë gjurmët të pashlyeshme këtu, ku punuan njëherësh
dora e Zotit e dora e njeriut: “Sot këndon kori, por kori më i bukur është
ky i fëmijëve, që bëjnë zhurmë… Disa do të nisin të qajnë, sepse nuk ndjehen rehat,
ose sepse kanë uri: nëse kanë uri, ju, nëna, jepuni të hanë, qetë-qetë, sepse ata
janë sot protagonistë”.