2014-01-11 17:05:19

Papa Françesku: “Feja e mund botën! Të krishterët gjysëm të bindur janë të krishterë të mundur”


“Kisha është plot me të krishterë të mundur, të krishterë gjysëm të bindur. Ndërsa feja mund të bëjë gjithçka. Feja e mund botën, por duhet ai guxim, që të bind ta lëshosh plotësisht vetveten në dorë të Zotit”. Këtë pohoi Papa Françesku, duke kryesuar, sot paradite, Meshën në Shtëpinë e Shën Martës.RealAudioMP3

Në qendër të homelisë së Papës, fragmenti i shkëputur nga Letra e Shën Gjonit, në të cilën Apostulli ngulmon mbi fjalën, që për të është shprehje e vetë jetës së krishterë: “Të mbetemi në Zotin, për ta dashur Hyjin e të afërmin”. E të mbetesh në Zotin, nuk është vepër njerëzore. Është vepër e Shpirtit Shenjt dhe e fesë sonë, që jep një rezultat konkret:
“Kushdo që mbetet në Zotin, është i lindur nga Zoti; kushdo që mbetet në dashuri, e mund botën e fitorja është e fesë sonë. Nga ana jonë, feja. Nga ana e Zotit, përmes kësaj “me mbetë’, Shpirti Shenjt, që e kryen këtë vepër hiri. Nga ana jonë feja. Feja e fortë. E kjo është fitorja, ngadhënjimi mbi botën: feja jonë! Feja jonë mund të bëjë gjithçka! Është fitore! E do të ishte e bukur ta përsërisim këtë edhe ne, sepse shpesh herë jemi të krishterë të mundur. E Kisha është plot me të krishterë të mundur, që nuk besojnë se feja është fitorja; që nuk e jetojnë këtë fe, sepse po të mos e jetosh këtë fe, vjen mundja. Ti mundesh e fiton bota, fiton princi i botës”.
Jezusi, kujtoi Papa, e lavdëroi shumë fenë e gruas kananease, së cilës nuk i pushonte rrjedhja e gjakut, ose të njeriut, që kishte lindur i verbër e që thoshte se kush ka fe sa një farë senapi, mund t’i tundë nga vendi edhe malet. Kjo fe, pohoi Papa, kërkon nga ne ta hapim zemrën e të besojmë:
“Fe do të thotë ta dëshmosh Zotin, por Zotin, që u na u dëftua, qysh nga koha e etërve tonë e deri më sot; Zotin e historisë. E Zoti është Ai, që e kujtojmë ditë për ditë në Besojmë. Një gjë është ta thuash Besojmën me gjithë zemër, e gjë tjetër ta përsëritësh si papagalli, apo jo? Besoj, besoj në Tënzonë, besoj në Jezu Krishtin, besoj… Por, a besoj në atë, që them? Është i vërtetë ky dëshmim i fesë, apo unë e them ashtu përmendësh, sepse duhet thënë? Besoj plotësisht, apor përgjysëm? Ta dëshmosh fenë! Të tërën, jo një pjesë! Krejtësisht! E këtë fe ta ruash të tërën, ashtu si arriti deri tek ne, nëpër udhën e traditës: gjithë fenë! E si mund ta dimë se e dëshmojmë mirë fenë? Një shenjë e kemi; kush e dëshmon mirë fenë, ka aftësinë të adhurojë, ta adhurojë Zotin”.
E dimë si mund t’i lutemi Zotit, si mund ta falënderojmë, vijoi Ati i Shenjtë, por ta adhurosh Zotin, ta lumnosh Zotin, është diçka më shumë. Vetëm kush ka fe të fortë, është i aftë për adhurim. E Papa Françesku shtoi: “Marr guximin të them se termometri i jetës së Kishës ëshë pakëz i ulët në këtë drejtim: kemi pak aftësi për të adhuruar, nuk kemi shumë, me përjashtim të disave…”. E kjo, sepse nuk e dëshmojmë me bindje fenë tonë, me bindje të plotë, por me gjysëm bindjeje. Prandaj, vijoi Papa, gjëja e parë që duhet bërë, është ta dëshmojmë me gjithë mend e me gjithë zemër fenë; e edhe ta ruajmë. Së dyti, duhet të besojmë plotësisht:“Burri e gruaja, që kanë fe, e lëshojnë plotësisht veten në dorë të Zotit: i besojnë! Pali, në një nga çastet e errëta të jetës së tij, thoshte: ‘E di mirë kujt ia kam besuar vetveten’. Hyjit! Zotit Jezus!’. Të besojmë! Kjo na hap portat e shpresës. E ashtu si dëshmimi i fesë na hap udhën e adhurimit e të lumnimit të Zotit, lëshimi i plotë në duart e Tij, na ngjall shpresat. Ka shumë të krishterë, që e hollojnë shpresën me ujë, kanë shpresë të holluar, të ligësht. E pse? Sepse nuk kanë as forcën e as guximin ta lëshojnë veten plotësisht në dorë të Zotit. Por nëse ne, të krishterët, besojmë, duke e dëshmuar fenë, edhe duke e ruajtur fenë, e duke i besuar plotësisht vetveten Zotit, do të jemi të krishterë fitimtarë. E kjo është fitorja, që mundi botën: feja jonë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.