2014-01-10 13:56:15

Papa priti fisnikët e fronmbajtësit: t’i shërbeni Kishës pa u dukur, u tha


Papa Françesku priti sot paradite, fisnikët e Shenjtërisë së Tij dhe fronmbajtësit papnorë, të shoqëruar nga familjarët. Të dyja palëve, në audienca të ndryshme, Ati i Shenjtë u shprehu mirënjohjen për shërbimin ndaj Kishës e Vatikanit dhe i nxiti ta vazhdojnë punën, pa e njollosur qëndrimin e tyre me sjelljet e kësaj bote.RealAudioMP3

Kujtojmë se “fisnik” i Shenjtërisë së Tij është titulli më i lartë i nderit, që u jepet laikëve nga Vatikani, ndërsa “fronmbajtësit”, apo “sediarët” papnorë kanë origjinë më të lashtë, madje janë anëtarët e vëllazërisë më të vjetër të Romës, kushtuar shën Anës në vitin 1378. Fisnikët kanë për detyrë të shoqërojnë personalitetet, në vizitë në Selinë e Shën Pjetrit, siç parashikohet nga Motu Proprio i Papës Pali VI, i cili e themeloi këtë titull në vitin 1968. Atyre, Ati i Shenjtë u tha me ç’frymë duhet ta kryejnë këtë shërbim:
“Ashtu siç e thotë emri juaj, për këtë detyrë nevojitet finsikëri e mirësjellje, të cilat shërbejnë për t’i pritur njerëzit me dashamirësi. Këto cilësi njerëzore i kanë rrënjët e tyre lashta në një jetë të gjallëruar nga feja, e cila jep dëshminë e koherencës ungjillore, pa e njollosur me sjellje të kësaj bote”.
Tashmë jemi në përfundim të kohës së Krishtlindjes, vazhdoi Papa Françesku, por akoma ndjehemi të gjithë të prekur nga mrekullia e Zotit bërë fëmijë në Shpellën e Betlehemit. Kjo gjendje shpirtërore, nënvizoi, duhet të na karakterizojë gjithnjë, jo vetëm për Krishtlindje:
“Të jemi të vëmendshëm e të lutemi që kjo dritë e brendshme të mos shuhet, që të sjellim në jetën tonë të përditshme, familjare e profesionale, gëzimin e fesë, i cili shprehet përmes bamirësisë, mirëdashjes, butësisë”.

Më pas, Papa Bergolio u takua edhe me fronmbajtësit papnorë, të cilët dikur kishin për detyrë të mbanin fronin e Papës, ndërsa tani të presin njerëzit, që i bëjnë vizitë Atit të Shenjtë e ta ndihmojnë atë të ecë, në rast nevoje. Misteri i lindjes së Jezusit, u tha atyre, na nxit të dëshmojmë në jetë frymën e përvuajtërisë, të thjeshtësisë e të shërbimit, që na ka mësuar Zoti ynë. Nëse puna kuptohet në këtë mënyrë, mund të kthehet në një lloj apostullimi, që transmeton gëzimin e të qenit të krishterë. Papa vuri në dukje idealet, që frymëzojnë punën e sediarëve: dashuria për Kishën, mikpritja, durimi, qetësia e butësia në sjellje. Të gjitha këto, theksoi Ati i Shenjtë, janë një kartvizitë e mirë për ata, që hyjnë në Pallatin Apostolik për të takuar Pasardhësin e Shën Pjetrit:
“Për të gjitha këto ju falenderoj me përzemërsi, me të vërtetë! Ju falenderoj përzemërsisht dhe e ndjej veten në borxh me ju. Ju falenderoj edhe për ëmbëlsinë me të cilën merrni fëmijët për t’i sjellë tek unë, gjatë audiencave publike. E kam pyetur njërin prej jush: ‘Po ti, sa fëmijë ke? Sepse di si t’i mbash, eh? Shihet qartë!”








All the contents on this site are copyrighted ©.