2014-01-09 15:12:30

Shtohet persekutimi i të krishterëve në 2013-tën


Persekutimi kundër të krishterëve vijon të shtohet. Për këtë flet, me emra, shifra e fakte, Treguesi botëror i persekutimeve 2014, që klasifikon 50 vende, me problemet më të mprehta në këtë drejtim. Treguesi u realizua nga shoqëria Portes ouvertes France, organizatë jo qeveritare, që ndihmon të krishterët e persekutuar. Gjatë një konference shtypi, mbajtur në Paris, drejtori Michel Varton, saktësoi se me fjalën persekutim kuptohet jo vetëm ushtrimi i dhunës fizike, por edhe i presioneve, ndalesave, diskriminimit, lidhur me motive fetare.
Shoqatë apolitike, themeluar në vitin 1976, Portes ouvertes France, e realizon Treguesin që nga viti 1997.

Në vitin 2013, lexojmë në Treguesin e Organizatës jo qeveritare, u vërejt shtimi i përgjithshëm i persekutimit. Në Afrikë, posaçërisht në brezin e Sahielit, mbi të krishterët u dynd një dimër i akullt, pikërisht në vendet, që gëzuan pranverën e shkurtër arabe. Vjen, më pas, Koreja e Veriut që, sipas treguesit, për të dymbëdhjetën herë radhitet e para në listën e vendeve, ku të krishterët jetojnë në kushtet më të rrezikshme e, natyrisht, edhe më të vështira ekonomike, kulturore e, sidomos, shpirtërore. Vendin e dytë e zë Somalia, ku farë e fise myslimanësh vijojnë t’i persekutojnë të krishterët. Situata nuk është përmirësuar aspak në viset, kur pati nisur të fryjë flladi i pranverës arabe. Në Siri e në Egjipt, sidomos. Siria kalon nga vendi i 11-të, në vendin e tretë të listës për persekutime fetare. Ndërsa zë vendin e parë për numrin e të krishterëve të vrarë (më shumë se Nigeria, sipas lajmeve të shtypit). Vjen, pastaj, Egjipti, vend ku të krishterët pësuan e vijojnë të pësojnë, më shumë dhunë se kudo tjetër.
Ekstremizmi islamik shikohet si faktori më tinzak. Shtimi i persekutimeve vërehet sidomos në shtetet e qeverisura nga forca politike, të cilat ngurrojnë ta luajnë rolin, që u takon, për t’i dhënë fund dhunës. Kujtojmë, në këtë drejtim, Somalinë, Sirinë, Irakun, Afganistanin, Pakistanin, Jemenin, e tani, edhe Republikën Qendroafrikane.
Vende të tjera, në të cilat të krishterët janë nën presion të vazhdueshëm: Maldivet, Arabia Saudite, Irani, Libia, Uzbekistani, Katari. Gjithë këto histori aktuale persekutimi, që përfshijnë qindra mijëra jetë të humbura tragjikisht, për botën; të dhuruara, për Krishtin, na i tregon Shoqata apolitike, e themeluar më 1976, Portes Ouvertes France!







All the contents on this site are copyrighted ©.