2014-01-09 15:13:55

Letra drejtuar grave të Bibles. Libri i fundit i kardinalit Lajolo


Kisha post-Koncili, sfidat e sotme të fesë, politika e Selisë së Shenjtë për marrëveshjet me shtetet, diplomacia e Vatikanit, thirrja në Shkrimin e Shenjtë. Janë disa nga temat e shtjelluara në librin e ri të kardinalit Giovanni Lajolo, botuar nga Shtëpia Botuese e Vatikanit (LEV): Letrat drejtuar mikeve. Bëhet fjalë për nëntë letra, që lëvrojnë tema të ndryshme në lidhje me Kishën dhe Biblën, drejtuar simbolikisht grave biblike, që nga Sara, gruaja e Abrahamit, deri tek mbretëresha Ester, por që fillimisht i ishin drejtuar një grupi të përbërë nga disa njerëz të angazhuar në udhën e rritjes shpirtërore e kulturore.
Tri janë tematikat themelore të teksteve, që përfshihen në këtë botim dhe mund të konsiderohen si monografi të mirëfillta: Kisha (Kisha e post-Koncilit, disa sfida të fesë sonë, shenjat e kohëve dhe roli i Kishës); veprimtaria e Selisë së Shenjtë (veprimtaria diplomatike e Selisë së Shenjtë, marrëveshjet, mediat e Vatikanit, Shteti i Vatikanit, me një excursus historik dhe artistik të larmishëm, me të cilin autori bëhet udhërrëfyes i posaçëm brenda Qytetit të Vatikanit); personazhet biblike dhe marrëdhëniet e tyre me Hyjin, të cilëve kardinali Lajolu u kushton dy letra. E para shqyrton argumentin e thirrjes, që nga thirrja e Adamit dhe Evës, tek Abrahami, Moisiu, Davidi. Pastaj thirrja e tri grave: Ruta, Judita dhe Estera, si edhe e profetëve, nga Samueli tek Jona. Pra, Besëlidhja e Vjetër.
Në Besëlidhjen e Re gjendet thirrja e Gjon Pagëzuesit, e Marisë, e vetë Jezusit dhe e apostujve, ndër të cilët spikat Pali. Në fund thirrja e shenjtorëve. Kapitulli i fundit paraqet portretin e të gjitha grave biblike të përfshira në këtë vëllim, të cilave u drejtohet nga një letër (Sara, Rebeka, Rakela, Debora, Ruta, Ana, Judita, Estera).
Nuk bëhet fjalë për “mendime abstrakte”, thekson kardinali Lajolo në pasthënien e veprës, ku vë re se qëllimi i tij është të “ofrojë lëndë që nxit përsiatjen, (...) për ta lejuar shpirtin të përsiatet e, mundësisht, të hapet ndaj vështrimeve të reja”. Jam përpjekur – shpjegon autori – të jap disa të dhëna, referenca historike, nganjëherë juridike, disa herë të tjera biblike, më rrallë shkencore apo statistike, si të ishte më e përshtatshme për temën e trajtuar”.
Vëllimi çmohet edhe falë ilustrimeve origjinale të piktorit Franco Murer, që në fillim të çdo letre paraqet shëmbëllimin e figurës biblike të cilës i kushtohet, ndërs në fund paraqitet përshkrimi i një personazhi biblik mashkullor, edhe ai i cituar nëpër letrat e ndryshme.
Autori, kardinali Lajolo, ka mbajtur disa funksione në shërbim të Selisë së Shenjtë. Së fundmi ka qenë kryetar i Komisionit Papnor për Shtetin e Qytetit të Vatikanit dhe të Guvernatoratit (2006-2011). Në shtëpinë botuese LEV ka botuar librat: Maria, heshtja dhe fjalët (2011), Via crucis (2013) Mundim Ringjallje – Përsiatje mbi Ungjillin sipas Gjonit (2013).








All the contents on this site are copyrighted ©.