2014-01-09 15:13:24

Kisha në Botë


Filipine, kardinali Turkson hap punimet e konferencës kushtur ‘Pacem in Terris’.
Në Davo City të Filipineve, sot kardinali Turkson, kryetar i Këshillit Papnor të Drejtësisë e Paqes, hapi punimet e konferencës kombëtare të shoqatave të Universiteteve katolike. Takimi, kushtuar 50-vjetorit të Enciklikës së Gjonit XXIII “Pacem in Terris”, botuar më 1963, do të përfundojë të shtunën e ardhshme. Në fjalën e hapjes, kardinali Turkson zhvilloi temën: “Formimi i katolikëve të impenjuar në politikë: misioni i universiteteve katolike në këtë drejtim”.

Po në Filipine, sot u kremtua procesioni vjetor i Naxarenit të Zeshkët. Naxareni preku brigjet ishullore më 31 maj 1606, kur në Manila shkelën misionarët e parë agostinianë. Realizuar në Meksikë, paraqet Shëlbuesin, gjunjëzuar nën barrën e kryqit. Njihet si shtatore mrekullibërëse, që në çastin kur u duk në brigjet ishullore, pas djegies së anijes, mbi të cilën lundronte. Ishte e vetmja gjë, që nuk u prek fare nga flakët, të cilat bënë shkrumb e hi gjithçka tjetër. I mbështetur nga Selia e Shenjtë, ky devocion u thellua nën papninë e Inoçencit X, që themeloi kanonikisht Vëllazërinë e Jezusit të Naxarenit. Edhe Piu VII, në shekullin e 19-të, e nderoi Naxarenin e Zeshkët, duke i dhënë ndjesën e plotë atyre, që i luten me përshpirtëri.

Romë: Sot, në Sallën XI të Universitetit Katolik të Shën Anselmit, u mbajt një seminar publik me temë “Modele reflektimi në teologjinë bashkëkohore: mishërimi, zbulesa, arsyeja”. Seminari, që organizohet nën kujdesin e sektorit për specializim në histori e teologji, do të vijojë tri ditë: që sot e deri më 16 janar. Sot u fol për konceptin e mishërimit në shekullin e fundit. Nesër e pasnesër, mbi dy temat e tjera, me rëndësi të dorës së parë në diskutimet me karakter historik e teologjik të ditëve tona.

Siri: Kryeipeshkvi Zhak Behnan Hindo, me shqetësim të thellë, bën thirrje për parandalimin e rrezikut që e kërcënon Sirinë e ardhshme. Kujdes, shkruan, që Gjeneva2, të mos e shndërrojë vendin në shtet islamik. Të krishterët, shton, shpresojnë për Sirinë perspektiva demokracie, lirie, barazie. Por pikërisht kundër këtyre aspiratave janë islamikët, që pretendojnë t’i imponojnë vendit Sharinë, si burim i ligjshmërisë, duke e rëgjuar bashkësinë e krishterë në një pakicë të mbrojtur. Të krishterët do të jenë të kënaqur vetëm nëse i ashtuquajturi revolucion do t’i hapë rrugën demokracisë dhe lirisë së vërtetë. Por tani edhe grupet e opozitës, që paraqiten si të moderuara, janë bashkuar nën flamurin islamist.

Sudani i Jugut: Meshtarët katolikë e pastorët protestantë janë në vijën e parë të frontit për mbrojtjen e jetës së njerëzve, në rrezik vdekjeje. Sipas dëshmive, mbledhur nga don Mark Omolm, dërguar agjencisë Fides, disa rregulltarë të të dy etnive kundërshtare Dinka e Nuer, kanë shpëtuar jetën e dhjetra njerëzve, gjatë luftës ndërmjet fiseve, që po e mbyt në gjak Sudanin e Jugut. Rregulltarët hapën dyert e shtëpive e të kishave, për të shpëtuar të shpërngulurit e, kur s’ia dolën mbanë, u kujdesën për varrosjen dinjitoze të trupave të masakruar të njerëzve, edhe të fiseve kundërshtare. Kjo vepër konkrete për shpëtimin e jetëve njerëzore, meriton të bëhet publike, shkruan prifti katolik, për të nënvizuar me forcë rolin që mund të luajnë Kishat në ndërtimin e ardhmërisë së vendit.

Bangladesh: Kryeipeshkvi i Dakës u bën thirrje për pajtim pakicave të të krishterëve bengalezë, duke u kujtuar se janë burim shprese, në një mjedis ku mbretëron dhuna e pështjellimi. Imzot Patrik D’Rozario, përshkruan, për agjencinë Fides, situatën, një ditë pas zgjedhjeve politike të 5 janarit. Situata shoqërore e politike mbetet e nderë, pohon. Si të krishterë, nuk patëm probleme të posaçme, veç shpërthimit të një bombe pranë njërës nga kishat e Dakës, që shkaktoi pak dëme e asnjë viktimë. Qytetarët e krishterë bengalezë po e jetojnë këtë çast të trazuar të historisë së vendit, bashkë me të tjerët, duke u lutur e duke shpresuar. E kjo, sepse në zgjedhjet, me pjesëmarrje shumë të ulët, opozita u bojkotua, shenjë aspak e mirë për demokracinë në vend. Lind, kështu, rreziku t’i hapet rruga islamizmit militant, gjë që do të thotë çrregullime të reja, dhunë e mungesë stabiliteti. E deri kur?









All the contents on this site are copyrighted ©.