2014-01-09 15:17:16

Intervistë me Legatin papnor, kardinalin Velasio de Paolis, mbi perspektivat e Kapitullit të jashtëzakonshëm të Legjionarëve të Krishtit


Filloi dje në Romë, Kapitulli i përgjithshëm i jashtëzakonshëm i Legjionarëve të Krishtit, i cili – siç ju kemi njoftuar – ka si qëllim rinovimin e thellë të Kongregatës, pas denoncimit, nga ana e Kishës Katolike, të krimeve të shumta e të rënda të themeluesit, Marcial Maciel. 61 meshtarët, që marrin pjesë në Kapitull kanë dy objektiva kryesore: zgjedhjen e eprorëve të rinj dhe miratimin e teksteve të reja kushtetuese. Gjithashtu, Kapitulli do t’u japë përgjigje pesë pyetjeve, që bëjnë sot mijëra njerëz, të cilët kanë ndjekur me ankth e keqardhje shkandullet e Marcial Maciel, nga abuzimet me të miturit, tek autoritarizmi e mosprespektimi i rregullave elementare të jetës së krishterë. Pikërisht pyetja e parë është “Ç’ndodhi me themeluesin?”, por pastaj edhe “A është kapërcyer sistemi autoritar i krijuar prej tij?”, dhe “Cila është karizma e Legjionarëve të Krishtit?”. Pyetje të tjera që presin përgjigje janë: “Si duhen ndihmuar viktimat e si duhet sjellë me ta?” dhe “Cila është e ardhmja e Legjionarëve të Krishtit?”. Të gjitha, reflektime, që do të bëhen në fazën e parë të Kapitullit të jashtëzakonshëm, i sapofilluar në Romë, siç shpjegon Legati Papnor për Legjionarët e Krishtit, kardinali Velasio de Paolis, në mikrofonin e drejtorit tonë të përgjithshëm, atë Federiko Lombardi, zëdhënës i Selisë së Shenjtë:
E kemi ndarë Kapitullin në tri etapa të mëdha. Faza e parë, verifikimi i udhës së bërë deri tani: një rrëmim në ndërgjegje – kështu e kemi quajtur – para akuzave, duke përcaktuar impenjimin për kapërcimin e vështirësive të krijuara. Parashikohet edhe një udhë pendese, e cila duhet jo vetëm t’i bëjë të njohura publikisht përgjegjësitë, por edhe ta ndihmojë secilin të mbartë vuajtjen për këtë situatë - kusht për rinovimin e Legjionit dhe për gjetjen e vendit të vet brenda Kishës.
Çasti i dytë duhet të jetë emërimi i eprorëve të Institutit. E faza e tretë, rishikimi i Kushtetutës, që duhet të jetë i lehtë, pasi kemi punuar shumë gjatë këtyre tri vjetëve e gjysëm. Është konsultuar e gjithë Kongregata dhe u kemi paraqitur pjesëmarrësve në Kapitull një tekst të bazuar në udhën e përshkuar. Shpresojmë të mos na kërkojë shumë kohë, pasi mund të kemi edhe ndonjë pengesë, pasi të gjithë kanë ndonjë dëshirë për propozime shtesë. Gjithsesi, teksti, që do të dalë nga Kapitulli, nuk do të jetë përfundimtar, sepse i duhet paraqitur Atit të Shenjtë, i cili e rishikon e pastaj e miraton përfundimisht.
Pikë themelore në gjithë këtë histori është lidhja ndërmjet themeluesit e karizmës, thirrjes së Institutit. Normalisht, për rregulltarët, karizma është e lidhur ngushtë me përvojën e me figurën e Themeluesit, ndërsa, në këtë rast, këto lidhje duheshin prishur plotësisht. Sipas jush, thirrja e Legjionarëve të Krishtit dhe e lëvizjes “Regnum Christi”, ku bëjnë pjesë edhe laikë, është e pavarur nga themeluesi, apo jo?
Ky argument është marrë në shqyrtim në rezultatet e paraqitura nga Vizitatorët (pesë ipeshkvij, para dërgimit të Legatit papnor), pasqyruar në aktet e mëvonshme. Nëse do të kishin vërejtur se Themeluesi ishte i pandashëm nga Instituti, çështja do të ishte mbyllur përfundimisht. Por Vizitatorët panë se Kongregata kishte thirrje, që ia vlente të jetohej. Në të vërtetë, në Bulën e emërimit, Ati i Shenjtë flet për rishikimin e thellë të karizmës, gjë që u përpoqëm ta bëjmë ne. E morëm në konsideratë këtë thirrje në kuadrin e një realiteti më të madh, rreth Themeluesit: atë të Regnum Christi-t. U pa se thirrja e lëvizjes “Regnum Christi” jetohej ndryshe, sipas vokacionit të laikëve, laikëve të shuguruar e rregulltarëve meshtarë. Unë preferoj të flas për “pasuri”, “trashëgimi” të Institutit: janë laikët e meshtarët, të cilët duan ta jetojnë me përshpirtërinë tipike të Krishtit, Misterin e Jezusit që shpall Mbretërinë e Hyjit. Pra, jo me tonet triumfaliste të kësaj bote, por duke pasur parasysh triumfin e Jezusit mbi Kryq. Pastaj, me anë të përshpirtërisë eukaristike e mariane, edhe me anë të apostullimit, duke e kumtuar ardhjen e Mbretërisë së Krishtit përmes impenjimit në universitete e në shkolla të larta. Duke shqyrtuar gjithë këtë realitet, na u duk se fizionomia, përshpirtëria e këtij Instituti ishte mjaft e qartë dhe e përcaktuar mirë.
Si punuat, me bashkëpunëtorët tuaj, për ta përballuar situatën e krijuar?
Filluam duke u bërë të njohur legjionarëve ç’kishin thënë Vizitatorët. Në konferenca të ndryshme në Romë, ku ishin 400-500 legjionarë, studentë e meshtarë, paraqitëm vërejtjet e Vizitatorëve. Këto konferenca regjistroheshin dhe u dërgoheshin të gjithë qendrave të Legjionit dhe të lëvizjes “Regnum Christi”, e cila është shumë e përhapur se vetë Legjioni. Mund të themi se patëm ndarjen në dy grupe: njëri, që theksonte faktin se qeverisja e Institutit ishte kompromentuar aq sa s’mund të pritej asgjë e mirë prej tij; e tjetri, që s’e shihte të nevojshme ndryshimin, pasi mendonte se çdo gjë e legjionarëve ishte pozitive. Por, këta kishin rënë në kurthin tepër të rrezikshëm, ku pati rënë edhe vetë Themeluesi! E përshkuam këtë udhë, duke u ndeshur me problemet e krijuara nga sjellja e Themeluesit me viktimat e tij. U ndeshëm edhe me probleme ekonomike, sepse Legjionarët nuk janë kaq të pasur sa mendohet. Gjendja ekonomike ishte keqësuar si për shkak të krizës botërore, ashtu edhe sepse fama e humbur e kishte zvogëluar ndjeshëm numrin e studentëve në kolegjet e tyre e për pasojë, edhe të ardhurat. Problemi kryesor ishin tekstet kushtetuese, me të cilat u punua më shumë. Duheshin rishikuar, sidomos në disa pika kyçe. …Ishte e nevojshme të ripohonim se autoriteti nuk është arbitrar, por ushtrohet në gjirin e Këshillit. Kushtetuta parashikonte një autoritet tepër të shpërndarë e të copëzuar, me elemente të shumta pasigurie. …Pastaj, punuam me eprorët, të cilët fillimisht, i lamë në postin e tyre, pasi edhe ne vetë duhet ta njihnim më mirë realitetin. Gjithsesi, eprorët mund të vendosnin e të punonin vetëm nën kontrollin tonë.
Në rezultatet, që keni paraqitur, ju pohoni se në thelb, Legjioni dhe Levizja “Regnum Christi” reaguan pozitivisht e me gatishmëri për të hyrë në udhën e përtëritjes. Ç’mbetet akoma për të bërë?
Dua të nënvizoj se puna jonë u përqëndrua kryesisht mbi eprorët, sepse kjo ishte tema kryesore, rreth së cilës u diskutua, sidomos përsa i përket Themeluesit, që ishte epror e madje, epror absolut! Mjafton të mendojmë se ai bëntë si të donte vetë e as që pyeste për Këshillin! Prandaj, problemi kryesore ishte edukimi i vetë legjionarëve me një formë qeverisjeje, në të cilën eprorët të ishin transparentë e të respektonin rregullat e Kishës. …U kapërcyen edhe tensionet e brendshme, të cilat nuk janë zhdukur plotësisht, por shumica është një mendje. …Më duket se shumica i bindet Kishës: nuk i dëgjova kurrë të mërmërisnin kundër autoritetit të Kishës, ose kundër nesh, që na kishin vënë për kontroll.








All the contents on this site are copyrighted ©.