2014-01-09 15:12:43

Evangelii gaudium - Përmbledhje (III)


Jemi gjithnjë në kapitullin e parë të Thirrjes apostolike Evangelii Gaudium dhe, pasi kemi përmbledhur paragrafët, ku Papa flet për nevojën e përtëritjes së zellit misionar në Kishë, duke kujtuar se veprimtaria baritore ka nevojë për guxim e shpirt krijues, vijojmë leximin e paragrafëve, në të cilët flitet për thelbin e kumtit ungjillor dhe caqet njerëzore, brenda të cilëve zhvillohet misioni kishtar. “Puna baritore në prizmin misionar – shkruan Papa – nuk ka maninë e përçimit të shumë doktrinave pa lidhje me njëra-tjetrën, të cilat përpiqemi t’ua imponojmë të tjerëve, duke u mëshuar fort. Kur caktohet një synim baritor dhe një stil misionar, që përfshin të gjithë, pa përjashtime e pa shkapërcime, kumtimi përqendrohet tek thelbësorja, tek ajo që është më e bukura, më madhështorja, më tërheqësja dhe, në të njëjtën kohë, më e domosdoshmja. Parashtrimi thjeshtohet, pa humbur kështu thellësinë dhe vërtetësinë, dhe, duke u thjeshtuar, bëhet më bindës e rrezatues” (n.35).
Thjeshtim do të thotë nxjerrje në pah e thelbit të Ungjillit, që shpesh herë mbetet i fshehur nën shtresat e disa traditave kishtare të vjetra, të cilat kanë qenë të dobishme në kohën e tyre, por nuk ka më arsye të zënë një vend të rëndësishëm në predikimin e sotëm. Edhe Shën Agostini e Shën Toma i Akuinit kanë folur për hierarkinë e virtyteve morale dhe të urdhëresave hyjnore e kishtare. Koncili II i Vatikanit flet për hierarkinë e të vërtetave doktrinarë katolike, si në fushën e dogmës, ashtu edhe në atë të moralit. Për këtë arsye, Papa thotë se “në kumtimin e Ungjillit duhet të ekzistojë përpjesëtimi i duhur. Përpjesëtimi kuptohet, kur shohim sa shpesh flitet për disa tema dhe për theksin që u jepet gjatë predikimit. Për shembull, nëse një famullitar, gjatë vitit liturgjik, flet dhjetë herë mbi pastërtinë dhe vetëm dy ose tre herë mbi dashurinë dhe mbi drejtësinë, krijohet shpërpjesëtim. Në këtë mënyrë, mbeten në hije pikërisht ato virtyte që duhej të ishin më të pranishme në predikim dhe në katekezë. E njëjta gjë ndodh kur flitet më shumë për ligjin sesa për hirin, më shumë për Kishën, sesa për Jezu Krishtin, më shumë për Papën, sesa për Fjalën e Hyjit” (n.38).
Hiri, Jezu Krishti dhe Fjala e Hyjit janë thelbi i kumtit të fesë sonë. Të tjerat, përfshirë moralin e fesë së krishterë, burojnë nga ky thelb. Duhet të kujdesemi për thelbin dhe të nxjerrim në pah vlefshmërinë dhe bukurinë e tij, për të siguruar qëndrueshmërinë e rrjedhojave praktike të doktrinës së fesë: “Kur predikimi i rri besnik Ungjillit, shfaqet qartë qendërsia e disa të vërtetave dhe del në pah se predikimi i moralit të krishterë nuk është etikë stoike dhe është më shumë sesa përpjekja për t’u lartuar. Nuk është as një filozofi e thjeshtë praktike, as një katalog mëkatesh dhe gabimesh” (n. 39).
Ungjilli shprehet më së miri, në jetën e besimtarit dhe të Kishës, me anë të dashurisë: “Veprat e dashurisë për të afërmin janë shfaqja më e përsosur e dukshme e hirit të padukshëm të Shpirtit të Shenjtë” (n. 37). Dashuria burimore nuk është dashuria jonë, por ajo e Hyjit për ne. Feja është ajo përvojë, që na lejon të pranojmë dhe të shijojmë dashurinë e Hyjit dhe na jep forcën t’i përgjigjemi asaj me një stil jete, që nuk përfaqëson thjesht një doktrinë, por “forcën tërheqëse” të Ungjillit.
Për ta përçuar gëzimin e Ungjillit, duke iu përgjigjur nevojave të kohës dhe në përkim me kërkesat e njeriut bashkëkohor, Kisha ka nevojë të përparojë në aftësinë për ta interpretuar Fjalën e zbuluar dhe për ta kuptuar të vërtetën më në thellësi. Për këtë shërbejnë egzegjeza, teologjia dhe filozofia, por edhe shkencat shoqërore: “Linjat e ndryshme të mendimit filozofik, teologjik e baritor, nëse harmonizohen nga Shpirti, me respekt dhe dashuri, mund ta ndihmojnë Kishën të rritet, sepse e ndihmojnë të shtjellojë më mirë thesarin e pasur të Fjalës” (n. 40). Papa thotë se doktrina shkëmbore e pandryshueshme, pa nuanca e pa larmi, nuk e çliron tërë begatinë e pashtershme të Ungjillit, prandaj duhet të përpiqemi “të kërkojmë e të shprehim të vërtetat që nuk ndryshojnë me një gjuhë që na lejon të njohim mirë risinë e tij (Ungjillit) të përhershme” (n. 41).
Kujdesi i tepërt për të ruajtur në mënyrë teknike doktrinën e drejtë, mund ta mbyllë shtegun që çon tek përmbajtja thelbësore e kumtit të fesë: “Nganjëherë, duke dëgjuar një gjuhë krejtësisht ortodokse, ajo që besimtarët marrin, për shkak të gjuhës që përdorin dhe kuptojnë, është diçka që nuk përkon me Ungjillin e vërtetë të Jezu Krishtit” (n. 41).
Dëshira për t’i përçuar të vërtetat e fesë në mënyrë sa më të kuptueshme për njerëzit e sotëm, nuk mund të na bëjë të mendojmë se përmbajtja e kumtit të krishterë është lehtësisht e kuptueshme: “Feja e ruan gjithmonë anën e kryqit, ndonjë anë të errët, që nuk e dobëson lidhjen me të. Ka disa gjëra, që kuptohen dhe vlerësohen vetëm duke u nisur nga kjo lidhje, që është simotra e dashurisë, dhe shkon përtej qartësisë me të cilën mund të pikasen arsyet dhe argumentet” (n. 42).
Normat dhe urdhëresat kishtare, që dikur mund të kenë qenë të dobishme për fenë, por që sot mund të jenë të vjetra dhe të tejkaluara “nuk duhet të kemi frikë t’i rishikojmë” (n. 43). Shën Toma i Akuinit na kujton se urdhëresat, që u dha Krishti Apostujve, janë shumë pak dhe Shën Agostini thotë se Kisha nuk duhet të nxjerrë shumë rregullore, “për të mos e rënduar jetën e besimtarëve”.
Ungjillëzimi, pra, zhvillohet “brenda caqeve të gjuhës e të rrethanave” (n. 45). Duhen mbajtur parasysh këto caqe, për të mos u mbyllur kurrë në vetësigurinë e ngurtë të doktrinës dhe për të kërkuar gjithmonë rrugë më të përshtatshme për përçimin e Ungjillit.








All the contents on this site are copyrighted ©.