2014-01-08 13:49:52

Tryezë e rrumbullakët për Evangelii Gaudium


Evangelii Gaudium, një tekst që na shtron pyetje. Kritere për leximin e Thirrjes së parë apostolike të Papës Françesku. Tryezë e rrumbullakët pranë Universitetit Gregorian në Romë.
Si të marrim në dorë Thirrjen e parë apostolike të Papës Françesku? Cilat janë temat themelore? Cilat janë kriteret për ta lexuar. Për këtë do t flitet më 14 janar pranë Universitetit Papnor Gregorian në Romë, në orën 17.00, gjatë tryezës së rrumbullakët të organizuar nga Departamenti i Teologjisë Morale.
Duke iu përgjigjur ftesës për ta zhvilluar përsiatjen teologjike “në mënyrë ndërdisiplinore dhe gjithëpërfshirëse” (Evangelii Gaudium n. 134), takimi do të drejtohet nga një grup docentësh të fakulteteve të ndryshme të Gregorianës. Debatin do ta udhëheqë jezuiti Atë Miguel Yáñez (Migel Janjeth), drejtor i Departamentit të Teologjisë Morale. “Megjithëse do të marrin pjesë profesorë të lëndëve të ndryshme – shpjegon atë Jáñez – tryeza e rrumbullakët organizohet nga departamenti ynë, sepse marrëdhënia ndërmjet ungjillëzimit e moralit është njëra ndër problematikat në themel të Evangelii Gaudium. Perspektiva e këtij dokumenti është në vijimësi të plotë me atë të Koncilit II të Vatikanit, ku pranohet se, në të vërtetat e doktrinës katolike, ka një rend të gjërave të rëndësishme (Unitatis Redintegratio n.11), përfshirë mësimet morale, të cilat duhen themeluar mbi thirrjen e besimtarëve në Krishtin (Optatam Totius n. 16)”.
Ndër temat e shumta të shqyrtuara në këtë dokument të Papës, do të thellohen veçanërisht ekleziologjia, dialogu dhe strukturat e Kishës, Kisha “e varfër për të varfrit”.
Do të flasin Don Dario Vitali (“Sensus fidelium” dhe Populli i Hyjit), Atë Joseph Xavier, S.I. (Drejt një shëmbëllimi të ri të Kishës), Atë Paolo Benanti, T.O.R. (Kumtimi i Ungjillit përballë sfidave të reja kultorore: dialog me antropologjitë e panjohura dhe vlerat e reja), Don Rocco D’Ambrosio (Të flasësh dhe të komunikosh me njerëzit), Atë Felix Körner, S.I. (Feliks Kërner, Dialogu ndërfetar), Atë Diego Alonso-Lasheras, S.I. (Ungjillëzimi, ekonomia dhe e mira e përbashkët), Atë René Micallef, S.I. (Problemi i mërgimeve) dhe Atë Miguel Jáñez, S.I. (Vendimi për të parapëlqyer të varfrit).








All the contents on this site are copyrighted ©.