2014-01-08 15:45:58

Papa në audiencën e përgjithshme: Pagëzimi duhet kujtuar gjithnjë, sepse na mbush me shpresë


Pagëzimi nuk është formalitet, por akt, që duhet kujtuar gjithnjë, sepse sjell në jetën e të krishterit dhuratën e shpresës, që askush nuk mund ta shuajë. Me këto mendime e nisi Papa Françesku audiencën e përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, duke hapur një cikël të ri katekizmi, kushtuar Sakramenteve.RealAudioMP3

Ndërmjet datave më të rëndësishme të jetës, i krishteri ka një, që nuk duhet harruar kurrë; një, që është vërtet e bukur, madje ‘ e lume’, datën e Pagëzimit. Është, pra, një datë, që duhet kujtuar e, nëse është e nevojshme, duhet nxjerrë vazhdimisht në dritë, duke gërmuar në skutat e kujtesës. Me një buzagaz, që tashmë e njohin të gjithë, nën rrezet e diellit të vakët dimëror, që ndriçonte fort Sheshin e Shën Pjetrit, duke u kujtuar besimtarëve stinët e ngrohta, që nuk janë larg, Papa rinisi misionin e katekistit, për t’i kujtuar turmës së audiencave të së mërkurës, një nga datat më të rëndësishme në jetë: atë të ditës, kur u pagëzuan. Sepse, përsëriti disa herë, dita e Pagëzimit është ditë e madhe feste:
“Të mos e dish këtë datë, do të thotë ta shlyesh nga kujtesa atë, që bëri Zoti për ne, do të thotë ta harrosh dhuratën, që morëm. Atëherë kjo ditë e madhe katandiset në një ngjarje, që ndodhi në të kaluarën, e jo me vullnetin tonë, por të prindërve, e që, prandaj, nuk ka pikën e ndikimit mbi të sotmen. Duhet, prandaj, ta zgjojmë kujtesën e Pagëzimit tonë”.
Po a është i domosdoshëm ky zgjim, ky kujtim i njërës nga ngjarjet më të mëdha në jetën e të krishterit? Është vërtet i nevojshëm Pagëzimi, për të jetuar si të krishterë e për të ndjekur gjurmët e Jezusit? - pyeti Papa, duke zbritur me realizëm, siç e ka zakon, në pozitat e atyre, që nuk e kanë sigurinë e fesë:
“Nuk është formalitet! Është akt, që e prek deri në thellësi jetën tonë. Nuk është i njëjtë njeriu i pagëzuar, me njeriun e papagëzuar. Ne, me Pagëzimin, zhytemi në gurrën e pashterrshme të jetës, në vdekjen e Jezusit, prova më e lartë e dashurisë, që njeh mbarë historia; e, falë kësaj dashurie, mund të jetojmë një jetë të re, jo më nën pushtetin e vdekjes, por në bashkim me Zotin e me vëllezërit”.
Të jesh i pagëzuar në Krishtin, vijoi Papa, duke bërë të vetat fjalët e Shën Palit, do të thotë të vishesh me Krishtin, sepse gjithsa pagëzohen në Krishtin, me Krishtin vishen (Gal. 3, 26-28). Kështu njeriu bëhet krejt i ri, pavarësisht nga kufizimet e tij njerëzore, nga ligështitë e tij. Njeriu mbushet me një shpresë të re:
“Me shpresën e ecjes në udhën e shëlbimit, për gjithë jetën. E këtë shpresë asgjë e askush nuk mund ta shuajë. Sepse, shpresë që nuk zhgënjen. Kujtojeni, është e vërtetë kjo: shpresa në Zotin nuk të zhgënjen kurrë. Falë Pagëzimit, jemi të aftë për të falur e për t’i dashur edhe ata, që na fyejnë e na bëjnë keq; të aftë për ta parë fytyrën e Jezusit, në fytyrën e më të fundmit ndërmjet njerëzve, në fytyrën e varfanjakëve”.
Pagëzim do të thotë edhe të bëhesh pjesëtar i një bashkësie dymijëvjeçare, anëtarët e së cilës janë të lidhur me hallka të pakëputshme dashurie e ku dhurata e një Sakramenti është gjithnjë akt, që flet për ndarje të përbashkët e për unitet. Prandaj, pohoi Papa:
“...askush nuk mund të pagëzojë vetveten! Askush! Mund ta kërkojmë, ta dëshirojmë Pagëzimin, por duke pasur gjithnjë nevojë për ndokënd, që të na e dhurojë këtë Sakrament, në emër të Zotit. Sepse Pagëzimi është dhuratë, që falet në një kontekst përkujdesi e fryme vëllazërore. Gjithnjë, në të gjithë rrjedhën e historisë, njëri pagëzon tjetrin; tjetri, tjetrin; është zinxhir. Zinxhir Hiri(...)- Akt, që të bën bir të Kishës”.
Në përfundim të katekizmit e të përmbledhjes së tij në gjuhët kryesore të botës, Papa Françesku përshëndeti grupet e ndryshme, të pranishme, me një mendim të posaçëm për fëmijët e sëmurë të Institutit Italian të Kërkimeve Shkencore e të Mjekimit të Tumoreve, të Milanos. Më pas, një përshëndetje tejet e përzemërt, futbollistëve të Sampdoria-s, të cilët ia paraqiti kardinali Baganasco(Banjasko), kryeipeshkëv i Gjenovës, si dhe artistëve të Cirkut të Artë, të Liana Orfeit. Papa i duartrokiti, duke qeshur, gjatë numrave të një shfaqjeje të vogël, përgatitur për të e dhënë në tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit. Pikërisht në atë vend ku, dymijë vjet më parë, ngrihej një cirk, shumë i lashtë, i nisur nga Kaligola e i përfunduar nga Neroni, ku jepeshin shfaqje nga më mizoret. Ku u kryqëzua edhe Papa i parë, Shën Pjetri. E ku sot është një nga gurrat e Pagëzimit më të famshme në botë.








All the contents on this site are copyrighted ©.