2014-01-08 13:52:59

Kryeipeshkvi sirian Hindo: “Gjeneva 2” të mos e shndërrojë vendin në shtet islamik


Të krishterët e Sirisë shpresojnë që Konferenca “Gjeneva 2” të hapë perspektiva demokracie, lirie e barazie. E pikërisht për këtë arsye, janë kundër vendosjes së Sheriatit, që do t’u impononte rangun e “pakicës së mbrojtur”. Flet qartë për agjencinë kishtare Fides, kryeipeshkvi siro-katolik Jacques Behnan Hindo, titullar i heparkisë së Hassakè-Nisibi.
Të krishterët, shpjegon kryeipeshkvi, shohin qartë se grupet e Armatës së Lirë Siriane, që më parë konsideroheshin të moderuara, janë bashkuar nën flamurin islamik e duan vendosjen e Sheriatit në Siri. Sipas tij, SHBA-të, Arabia Saudite dhe Turqia favorizojnë krijimin e një gjendjeje të ngjashme me atë të Egjiptit, ku erdhën në fuqi Vëllezërit Myslimanë. Në Siri, thotë imzot Hindo, të krishterët nuk janë konsideruar kurrë pakicë, por qytetarë me të drejta të barabarta, protagonistë të historisë së përbashkët. E ka fjalë të hidhura edhe për ata, që i akuzojnë të krishterët se mbështesin regjimin e Bashar al-Asadit. “Fillimisht – deklaron kryeipeshkvi – manifestimet kundër qeverisë kërkonin liri, demokraci, fundin e korrupsionit. Pastaj, erdhën nga jashtë për të na e vjedhur revolucionin. Por, populli sirian nuk do barbarizma e tirani të veshura me fjalët e fesë. E ndër dy të këqiat, është njerëzore të zgjedhësh gjithnjë më të voglën”.








All the contents on this site are copyrighted ©.