2014-01-07 14:10:13

Urimet e Papës Françesku për Kishat Lindore, që kremtuan sot Krishtlindjen


Kishat e krishtera Lindore, që ndjekin kalendarin julian, kremtuan sot Krishtlindjen. Dje, në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku u uroi festën ortodoksëve dhe katolikëve të ritit lindor, duke u dhënë guxim për të ardhmen e duke iu lutur Zotit të mos i lëshojë dore në sprova. Vërtet, si në Rusi, ashtu edhe në Lindjen e Mesme, gjendja nuk është e qetë. Ditët e kaluara ka pasur atentate në Kaukaz e në Egjipt, por fatmirësisht, lindja e Shëlbuesit të botës i bashkon besimtarët dhe mban larg terrin e së keqes. Në Egjipt, Krishtlindje e blinduar, por e qetë, ndërsa për Rusinë, na flet pedagogu i historisë dhe i kulturës ruse në Institutin Papnor Lindor, don Stefano Caprio:
Kisha ortodokse e priti Krishtlindjen dhe ardhjen e dritës së Betlehemit, sipas traditës: zjarri i Betlehemit u ndez në Kishën e Lindjes së Krishtit; sidomos rusët janë shumë të lidhur me këtë traditë. Në nivelin e shoqërisë civile, ndihen përgatitjet për Olimpiadën e Soçit, që do të mbahet pas pak – gjallëri e madhe në mesin e këtij dimri rus. Nga ana tjetër, ndjehet edhe zia pas atentateve të fundit terroriste në Volgograd, që i bashkuan njerëzit me emocion rreth viktimave e familjarëve të tyre.
A mund të na flisni më shumë për këto fakte kronike, që e prishën bukurinë e festës së Krishtlindjes, por edhe atë të Vitit të Ri?
Sigurisht. Nga kjo pikpamje, atmosfera është mjaft tragjike, sepse atentatet në jug të Rusisë, në zonën e Kaukazit, shkaktuan rreth 30 viktima. U kthyem para 15 vjetësh, kur filluan atentatet e mëdha terroriste në Çeçeni, në veri të Kaukazit. Ishte fillimi i fazës së gjatë të qeverisjes së Vladimir Putin, i cili erdhi në pushtet me premtimin e luftës kundër terrorizmit. Sot, pas shumë vjetësh, Rusia është më e qetë nga pikpamja civile e shoqërore, më e fortë politikisht, më e pasur e madje, edhe më e pasur me fe, sepse Kisha ortodokse e ka përforcuar pozitën e saj materiale e shpirtërore. Prandaj, përgjigjia e besimtarëve është me e fuqishme dhe më e ndjerë.
Cila është simbologjia e Krishtlindjes ortodokse?
Festa është e krishterë, prandaj simbologjia është e përbashkët me të gjitha Kishat e krishtera: agjërimi para Krishtlindjes, që përkon me traditën latine të Ardhjes, megjithëse ortodoksët e ndjekin më shumë se katolikët. Nata e Krishtlindjes festohet ndërmjet 6 e 7 janarit, sepse përkon me 25 dhjetorin e kalendarit julian. Por në nivelin civil ndiqet kalendari gregorian, prandaj Krishtlindja ortodokse vjen menjëherë pas festës së Vitit të Ri. Kemi kështu një kundërshti ndërmjet agjërimit, që kërkon Kisha, dhe drekave e darkave të bollshme të Vitit të Ri.








All the contents on this site are copyrighted ©.