2014-01-07 12:28:13

Udhëtimi i Papës në Tokën Shenjte: koment i nuncit Lazzarotto dhe i Patrikut Twal


“Do të jetë për të gjithë një çast shprese”: kështu e komenton nunci apostolik në Izrael e legati papnor në Jeruzalem e Palestinë, imzot Giuseppe Lazzarotto, lajmin e udhëtimit të Papës Françesku në Tokën Shenjte, nga 24 deri më 26 maj. “Papa Bergoglio – nënvizon nunci për agjencinë kishtare SIR – dëshiron të kujtojë takimin e Papës Pali VI me Patrikun Atenagora, 50 vjet më parë. Vetë Pali VI e pati quajtur atë përqafim “një shtytje parmende”, që dha mundësinë të lërohej terreni i dialogut, atëherë tepër i ashpër. Vërtet – vazhdon nunci – pas një viti, ai takim solli deklaratën e përbashkët, që anullonte çkishërimet reciproke të njëmijë vjetëve më parë, të cilat patën çuar në Skizmën e Madhe ndërmjet Kishës së Lindjes e asaj të Perëndimit”. Ati i Shenjtë, thotë imzot Lazzarotto në përfundim, dëshiron ta rinovojë impenjimin e atëhershëm, duke i dhënë një shtysë të re parmendës së dialogut.
Nga ana e tij, Patriku latin i Jeruzalemit, Fuad Tval deklaron, gjithnjë për agjencinë SIR, se shtegtimi i Papës Françesku do të jetë një vizitë lutjeje, por do të ketë edhe përmasa shoqërore e politike, sidomos përsa i përket jetës së bashkësive katolike në Lindjen e Mesme. “Përpjekjet e Papës për t’i dhuruar paqen këtij rajoni, – shton Patriku, duke kujtuar mijëra refugjatët sirianë në Jordani e në vendet fqinjë –së bashku me ato të sovranëve si mbreti jordanez Abdallah, janë të dukshme e të vazhdueshme. Shpresojmë – uron imzot Tval – që pas 65 vjetësh dhune e pushtimi, izraelitët e palestinezët të gjejnë udhën e drejtësisë e të jetojnë në paqe. Prania e Papës, thellësia e fjalëve të tij, ndikimi botëror i vizitës, besoj se do të prekin ndërgjegjet. Do të jenë tri ditë, në të cilat do të lartohet fort thirrja për paqe e dialog – përfundon Patriku i Jeruzalemit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.