2014-01-07 13:35:02

Papa: duhet ta vemë zemrën në provë, për të dëgjuar Jezusin, jo profetët e rremë


I krishteri di ta ruajë zemrën, për të dalluar atë që vjen prej Hyjit nga ajo që vjen prej profetëve të rremë. Kështu pohoi Papa Françesku në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës, e para pas festave të Krishtlindjes. Papa theksoi edhe një herë se rruga e Jezusit është rruga e shërbimit dhe e përvujtërisë, rrugë që të gjithë të krishterët janë të thirrur ta ndjekin.
“Qëndroni në Zotin”. Papa Françesku e shtjelloi homelinë duke u nisur nga kjo thirrje e Gjonit Apostull, që gjendet në leximin e parë. Një “këshillë jete”, vërejti Ati i Shenjtë, që Gjoni e përsërit në mënyrë “gati obsesive”. Apostulli tregon “njërin nga kujdeset e të krishterit, që dëshiron të qëndrojë në Zotin: të dijë çfarë ndodh në zemrën e vet”. Për këtë bën thirrje që të mos i zëmë besë çdo shpirti, por t’i marrim në shqyrtim shpirtrat. Është e domosdoshme të dimë t’i “dallojmë shpirtrat”, të dallojmë nëse diçka në ndihmon “të rrimë në Zotin apo na largon prej tij”. “Zemra jonë – shtoi Papa – ka gjithmonë dëshira, ka ëndje, ka mendime”. Por, pyeti, “a janë prej Zotit, apo disa prej tyre na largojnë nga Zoti?” Ja, atëherë, pse Gjoni Apostull na fton t’i vëmë në provë mendimet dhe dëshirat:
“Nëse kjo shkon në drejtimin e Zotit, kështu do të ecësh mirë, por nëse nuk shkon... Vini shpirtrat në provë, për të parë a vijnë vërtet prej Hyjit, sepse shumë profetë të rremë kanë ardhur në botë. Profetë, ose profeci, ose parashtrime: ‘Mua ma ka ënda të bëj këtë gjë!’. Por kjo gjë nuk të çon tek Zoti, të largon prej tij. Për këtë arsye është e domosdoshme mbikëqyrja. I krishteri është një burrë apo një grua që di ta mbajë zemrën nën mbikëqyrje. E shumë herë zemra jonë, me shumë gjëra që shkojnë e vijnë, duket si tregu i krahinës: aty gjen gjithçka, gjithçka... Eh jo! Duhet të provojmë – kjo është nga Zoti, kjo jo – për të qëndruar në Zotin”.
Cili është, atëherë, kriteri për të kuptuar nëse një gjë vjen nga Krishti apo nga antikrishti? Shën Gjoni, pohoi Papa, ka një ide të qartë e të thjeshtë: Çdo shpirt që e njeh Jezu Krishtin, të ardhur në trupin njerëzor, vjen prej Hyjit. Cilido shpirt që nuk e njeh Jezusin, nuk vjen prej Hyjit: është shpirti i antikrishtit”. Por çfarë do të thotë, atëherë, të pranosh që Fjala ka ardhur në trupin njerëzor?” Do të thotë, pohoi Papa, “të pranosh rrugën e Jezu Krishtit”, të pranosh se Ai, “duke qenë Hyj, zbriti, u përul” gjer në “vdekje në kryq”:
“Ajo është rruga e Jezu Krishtit: ulja, përulja, madje edhe poshtërimi. Nëse një mendim, nëse një dëshirë të çon në atë rrugë të përvujtërisë, të përuljes, të shërbimit ndaj të tjerëve, vjen nga Jezusi. Por, nëse të çon në rrugën e krenarisë, të kotësisë, të mburrjes, në rrugën e mendimit abstrakt, nuk vjen nga Jezusi. Të kujtojmë tundimet e Jezusit në shkretëtirë: të tria propozimet që i bën djalli Jezusit janë propozime që synonin ta largonin nga kjo rrugë, nga rruga e shërbimit, e përvujtërisë, e poshtërimit, e dashurisë. Me dashurinë që shprehet me jetë, apo jo? Të tria tundimeve Jezusi u thotë jo: ‘Jo, kjo nuk është rruga ime!’”.
Në fund Papa i fton të gjithë të mendojnë çfarë ndodh në zemrën e secilit. Çfarë mendojmë e ndjejmë, çfarë duam:
“Shpesh herë zemra jonë është një rrugë, të gjithë kalojnë aty... Duhet vënë në provë. A zgjedh gjithmonë gjërat që vijnë nga Hyji? A e di cilat janë ato që vijnë nga Hyji? A e di kriterin e vërtetë, për t’i dalluar mendimet e mia, dëshirat e mia? Ta mendojmë këtë gjë e të mos e harrojmë se kriteri është Mishërimi i Fjalës. Fjala ka ardhur në trupin njerëzor: ky është Jezu Krishti!Jezu Krishti, që u bë njeri. Hyji, që u bë njeri, u ul, u përul për dashuri, për të na shërbyer të gjithëve. Dhe Gjoni apostull na dhëntë hirin të dimë çfarë ndodh në zemrën tonë e të kemi urtinë të dallojmë çfarë vjen nga Hyji e çfarë nuk vjen nga Hyji”.








All the contents on this site are copyrighted ©.