2014-01-07 15:08:32

Intervista e Papës me Atë Spadaron - Si e kupton njeriu vetveten


Si e kupton njeriu vetveten
Në vijim të intervistës së Papës me Atë Spadaron, copëza e sotme merret me njeriun dhe mënyrën si e kupton ai vetveten. Në numrin e kaluar të kësaj interviste, Papa e përshkruan jezuitin si njeriun e kufijve, prandaj Atë Spadaro e pyet si duhen trajtuar kufijtë e sotëm kulturorë, sidomos ato të antropologjisë bashkëkohore.
E pyes atëherë Papën, nëse kjo qëndron dhe si qëndron edhe për kufirin kulturor, siç është ai i sfidës antropologjike. Antropologjia, që ka mbajtur parasysh kisha, si pikë referimi dhe gjuha me të cilën e ka shprehur, mbeten një referim i fortë, fryt i urtisë dhe përvojës shekullore. Megjithatë, njeriu të cilit Kisha i drejtohet, duket sikur nuk i kupton më, ose nuk mendon se janë të mjaftueshme. Filloj të arsyetoj mbi faktin se njeriu e interpreton vetveten ndryshe nga si e interpretonte në të kaluarën, me kategori të ndryshme. Kjo ndodh edhe për shkak të ndryshimeve të mëdha në shoqëri dhe sepse njeriu e ka studiuar vetveten më gjerësisht...
Në këtë pikë Papa ngrihet dhe shkon e merr Breviarin nga tryeza e punës. Breviari është në latinisht, i konsumuar nga përdorimi. E hap tek Shërbesa e Leximeve, Feria sexta (dita e gjashtë), domethënë e premtja e javës XXVII. Më lexon një kalesë nga Commonitorium Primum i Shën Vinçencit nga Lerën: ita etiam christianae religionis dogma sequatur has decet profectuum legës, ut annis scilicet consolidetur, dilatetur tempore, sublimetur aetate (“Edhe dogma e fesë së krishterë duhet të ndjekë këto ligje. Përparon, duke u përforcuar me kalimin e viteve, duke u zhvilluar me rrjedhën e kohës, duke u thelluar me përparimin e moshës”).
E kështu Papa vijon: “Shën Vinçenci i Lerënit e krahason zhvillimin biologjik të njeriut me përçimin nga një epokë në tjetrën të depositum fidei, që rritet e përforcohet me kalimin e kohës. Ja, kuptimi i njeriut ndryshon me kohën dhe kështu edhe ndërgjegjja e njeriut thellohet. Të mendojmë kohën kur skllavëria ishte e lejueshme dhe dënimi me vdekje pranohej pa asnjë problem. Pra, thellohemi në të kuptuarit e së vërtetës. Egzegjetët dhe teologët e ndihmojnë Kishën për ta pjekur gjykimin e vet. Edhe shkencat e tjera dhe zhvillimi i tyre e ndihmojnë Kishën në këtë thellim të të kuptuarit. Ka norma dhe urdhëresa kishtare të dorës së dytë, që dikur ishin të dobishme, por që tani e kanë humbur vlerën ose domethënien. Vështrimi i doktrinës së Kishës, si një shkëmb që duhet ruajtur pa nuanca, është i gabuar”.
“Tek e fundit, në çdo epokë njeriu mundohet ta kuptojë e ta shprehë më mirë vetveten. Pra, me kohën, e ndryshon mënyrën e pikasjes së vetvetes: një gjë është njeriu që shprehet duke gdhendur Nike-në (Fitoren) e Samotrakës, e tjetër gjë është Caravaggio, tjetër gjë është Chagal e, prapë, tjetër gjë është Dali. Edhe format e shprehjes së të vërtetës mund të jenë shumëformëshe dhe kjo gjë mund të jetë e domosdoshme për përçimin e mesazhit ungjillor në domethënien e tij të pandryshueshme”.
“Njeriu është në kërkim të vetvetes dhe, sigurisht, në këtë kërkim, mund të bëjë gabime. Kisha ka jetuar kohëra gjenialiteti, siç ka qenë, për shembull, koha e tomizmit. Por jeton edhe kohët e dekadencës së mendimit. Për shembull: nuk duhet ta ngatërrojmë gjenialitetin e tomzmit me tomizmin dekadent. Unë, fatkeqësisht, e kam studiuar filozofinë me manualet e tomizmit dekadent. Pra, kur mendon mbi njeriun, Kisha duhet të priret nga gjenialiteti, jo nga dekadenca”.
“Kur nuk vlen një shprehje e mendimit? Kur mendimi nuk e mban më parasysh njerëzoren, ose kur madje edhe ka frikë nga njerëzorja, ose gënjehet për sa i përket vetes së vet. Është mendimi i mashtruar, që mund të përshkruhet si Uliksi përballë këngës së sirenave, ose si Tannhäuser, i rrethuar në një orgji me satirë e bakantë, ose si Parsifali, në aktin e dytë të veprës wagneriane, sipas regjisë së Klingsor-it. Mendimi i Kishës duhet të gjejë gjenialitetin dhe të kuptojë më mirë si e sheh njeriu vetveten sot, për të zhvilluar e për të thelluar mësimin e Kishës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.