Papa në Engjëllin e Tënzot: Zoti i thërret të gjithë, edhe atë, që nuk e kërkon, për
të bërë pjesë në popullin e Tij
Në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa
Françesku kujtoi përsëri solemnitetin e sotëm të Dëftimit të Zotit, duke theksuar
se ky solemnitet vë në dukje shëlbimin universal, që solli Jezusi, e njëkohësisht
dëfton lëvizjen e dyfishtë të Hyjit drejt botës e të mbarë njerëzimit, drejt Zotit.
Në përfundim, përshëndetja drejtuar Kishave Lindore, që nesër kremtojnë Krishtlindjen
dhe kujtimi i Ditës së sotme Misionare të Fëmijëve.
Krishti, që
u dëftohet njerëzve, dhe shëlbimi, që i solli mbarë njerëzimit. Ky është kuptimi i
solemnitetit të sotëm, nënvizoi Papa, e u ndal tek episodi i Ungjillit, përshkruar
mrekullisht bukur edhe nga Papa i nderit, Benedikti XVI, në librin e tij kushtuar
fëmijërisë së Jezusit. Episod, në të cilin shikojmë lëvizjen e dyfishtë, tërheqjen
reciproke ndërmjet njeriut e Zotit: “Kjo festë na bën të shikojmë
një lëvizje të dyfishtë: nga njëra anë, lëvizjen e Zotit drejt botës, drejt njerëzimit;
gjithë historinë e shëlbimit, që arrin kulmin në Jezusin; e nga ana tjetër, lëvizjen
e njerëzve drejt Zotit, që të kujton fetë, kërkimin e së vërtetës, shtegtimin e popujve
drejt paqes, paqes së shpirtit, drejtësisë, lirisë. Lëvizje e dyfishtë, e nxitur nga
tërheqja reciproke”. Fuqia tërheqëse e Atit drejt nesh, shpjegoi Papa,
është dashuria që ka për ne, për secilin nga bijtë e Tij. Me këtë dashuri Ai kërkon
të na çlirojë nga e keqja, nga sëmundjet, nga çdo formë e vdekjes. Por edhe ne kemi
dashuri e dëshirë për gjithçka është mirësi, vërtetësi, bukuri, jetë. Kemi dashuri
reciproke, pra, e hallka kryesore lidhëse e saj, është Jezusi, pa harruar se është
Zoti ai, që na fton gjithnjë, na fton e na prin: “Por kush e merr nismën?
Zoti, gjithnjë. Dashuria e Zotit i paraprin gjithnjë dashurisë sonë. Ai e bën gjithnjë
hapin e parë. Na pret, na fton, por nisma është gjithnjë e Tija”. Prej
këndej, ftesa, drejtuar edhe të largtëve, të vihemi për udhë, duke ndjekur dritën,
në gjurmët e Mbretërve Dijetarë: “Kisha është e tëra brenda kësaj
lëvizjeje të Zotit drejt botës: gëzimi i saj është Ungjilli, reflektimi për dritën
e Krishtit. Kisha është populli i atyre, që e kanë provuar këtë tërheqje, e kanë në
shpirt, në zemër, në jetë. Do të më pëlqente, sinqerisht e, do të më pëlqente t’u
thosha atyre, që janë larg nga Zoti e nga Kisha, t’u thosha me respekt, atyre që janë
të druajtur e indiferentë: Zoti të thërret edhe ty, të thërret të jesh pjesë e popullit
të Tij, dhe e bën këtë me respekt e dashuri të madhe! Zoti të thërret. Zoti të kërkon.
Zoti të pret, ty, që në këtë çast nuk beson ose je larg . Kjo është dashuria e Zotit”. Papa
u lut që Kisha të zbulojë gëzimin e ungjillëzimit e të komunikimit të dashurisë së
Zotit mbarë popujve. E pastaj iu lut Marisë të na ndihmojë që të gjithë të jemi dishepuj
e misionarë, yje të vegjël, që pasqyrojnë dritën e Zotit. Në përfundim të lutjes
së Engjëllit të Tënzot, përshëndetja dhe urimet, drejtuar mbarë besimtarëve të Kishave
Lindore, që e kremtojnë nesër Krishtlindjen: “U drejtoj urimet më
të përzemërta vëllezërve e motrave të Kishave Lindore, që kremtojnë nesër Krishtlindjen
e Shenjtë. Paqja, që Zoti i dhuroi njerëzimit me lindjen e Jezusit, Fjalës së mishëruar,
i përforcoftë të gjithë në fe, shpresë e dashuri e u dhëntë ngushëllim bashkësive
të krishtera e Kishave, që kalojnë çaste prove”. Së fundi, një mendim për
Ditën e sotme Misionare të Fëmijëve, propozuar nga Vepra e Fëmijërisë së Shenjtë si
dhe falënderimi drejtuar gjithë fëmijëve, që bashkëpunojnë në misionin e Kishës e
bëhen protagonistë të solidaritetit vëllazëror me bashkëmoshtarët. “Të gjithëve,
u uroj gëzuar festën e Dëftimit të Zotit. Drekën e mirë e mirupafshim!”.