2014-01-06 18:00:51

Papa Françesku, për vizitë në Shpellën e Betlehemit me personazhe të gjalla, në një famulli romake. Flet famullitari


"Rroftë Jezusi, rroftë Jozefi, rroftë Maria!" Me këto fjalë, në Solemnitetin e Dëftimit të Zotit, Papa Françesku përshëndeti sot pasdite, besimtarët e shumtë mbledhur në kishën romake të shën Alfons Maria de’Liguorit, në Justiniana pranë Romës. Ati i Shenjtë shkoi për të parë Shpellën e Betlehemit, krijuar nga besimtarët me personazhe të gjalla. Një vizitë private, përgjigje për letrën, që besimtarët e kishës i dërguan Atit të Shenjtë, duke e ftuar për këtë rast. Në këtë Shpellë Betlehemi, karakteristike për Italinë, filluar si traditë në Greçio nga shën Françesku, merrnin pjesë rreth 200 figurantë. I shoqëruar nga kardinali vikar i Romës, Agostino Valini, Papa Bergolio pa stendat e përgatitura, u lut në formë private e pastaj, përshëndeti të gjithë, sidomos të sëmurët e fëmijët, në rreshtin e parë. Në orën 17.40, para se të largohej, i siguroi besimtarët se "Jezusi mbetet gjithnjë me ne" e u kthye në Vatikan. Në mikrofonin tonë, famullitari i kishës, don Dario Pompeo Criscuoli:
Rasti për ta ftuar Papën qe pikërisht Betlehemi me personazhe të gjalla, ku janë përfshirë shumë njerëz të famullisë, por edhe protagonistë të tjerë. Duhet të them se të gjithë u përgjigjën me entuziazëm ndaj ftesës sonë dhe u impenjuan jashtëzakonisht, sidomos disa artizanë të famullisë e një arkitekt shumë i zoti. Shumë zdrukthëtarë, kovaçë… e pastaj, të rinj e fëmijë, secili me rolin e vet: nga engjëlli tek bariu, e kështu, secili pati vendin e vet në këtë Shpellë Betlehemi.
Si ju lajmëroi Papa se do të vinte?
Sigurisht që na çuditi, sepse më telefonoi vetëm para tri ditësh, prandaj na u desh të organizonim gjithçka në shumë pak kohë. U përgatitëm edhe shpirtërisht, me kremtimin e Eukaristisë, së bashku me ipeshkvin dhe me lutje e adhurim, me këngë, lexime të Biblës e të shkrimeve të Atit të Shenjtë. Kur ua thashë besimtarëve të famullisë, shpërthyen në britma gëzimi, sepse e duan shumë Papën Françesku e mezi ç’prisnin ta shihnin nga afër.
Ç’fryte prisni pas kësaj vizite?
Frytet janë gjithnjë ato të kthimit të zemrave kah Zoti. …që njerëzit ta njohin Krishtin e të fillojnë një udhë rizbulimi të dobësive të tyre e të dashurisë së Hyjit në jetën e përditshme.








All the contents on this site are copyrighted ©.