2014-01-06 15:40:57

Mesha e Dëftimit të Zotit: Mbretërit Dijetarë na mësojnë ta ruajmë fenë nga e keqja, me “dinakëri shenjte”


“Të kërkojmë dritën e Zotit, me dritat tona të vogla e të mos kënaqemi me një jetë mediokre”. Është porosia kryesore e homelisë së Meshës, me të cilën Papa Françesku kremtoi, sot paradite, në Bazilikën e Vatikanit, Solemnitetin e Dëftimit të Zotit, që ndër ne njihet edhe si Festa e Ujit të Bekuar. Papa i ftoi besimtarët të përdorin po atë ‘dinakëri’ shpirti, që i ndihmoi Mbretit Dijetarë ta gjejnë e ta adhurojnë Jezusin, duke iu shmangur pusive të Herodit.RealAudioMP3

Dëftimi i Zotit është dritë, që kërkohet me ngulm, deri në zbulimin e një drite më të madhe, rrezatuese, që e ndryshon përgjithmonë jetën. E në këtë Dëftim, ndeshemi me disa simbole: atë të errësirës më të thellë, që ndoshta maskohet si dritë, por në realitet intrigon, pa e vrarë fare ndërgjegjja, vetëm e vetëm për të mbrojtur privilegjet e veta. Me simbolin e yllit, pastaj, por edhe të Herodit; të udhës, por edhe të pengesave, siç i ndodh gjithnjë njeriut në kërkim të fesë. Këto simbole i shtjelloi Françesku në homelinë e parë të solemnitetit të 6 janarit, si papë. Vëmendjen kryesore ia kushtoi protagonistëve, Mbretërve Dijetarë. Ylli, që u duk në qiell, pohoi, i vë për udhë, në kërkim të dritës së madhe të Krishtit:
Mbretërit Dijetarë e ndjekin besnikërisht këtë dritë, që ua pushton shpirtin, dhe takojnë Zotin. Udha e Mbretërve është simbol i fatit të çdo njeriu: jeta jonë është shtegtim. Ecim, të ndriçuar nga dritat, që na tregojnë udhën, për të gjetur të vërtetën e plotë e dashurinë që, për ne të krishterët, është Jezusi”.
Edhe të krishterët e sotëm, vërejti Papa, e kanë yllin e vet, Ungjillin, i cili duhet lexuar, duhet medituar, për ta takuar Jezusin e për të provuar dashurinë e Tij. Por, në kërkim të kësaj udhe, mund të ndodhë që, për një çast, të mos e shikosh më yllin, siç u ndodhi Mbretërve, kur u ndeshën me hijen e një Herodi dyshimtar e thellësisht të shqetësuar, për shkak kumtit të lindjes së një mbreti të vogël, të brishtë, por gjithsesi, për të, i rrezikshëm, sepse rival:
“Në të vërtetë Jezusi nuk erdhi për ta rrëzuar atë, surratin e mjerë, por Princin e kësaj bote. E megjithatë, mbreti e këshilltarët e tij ndjejnë si lëkunden skelat e pushtetit të tyre, druhen se do të përmbysen rregullat e lojës, se do të çirren maskat e do të duken fëtyrat e tyre të vërteta. Mbarë bota, e ngritur mbi sundimin, suksesin, pasjen, korrupsionin, vihet në krizë nga një Foshnjë! E Herodi arrin deri atje, sa t’i mbytë fëmijët. Një Atë i Kishës i drejtohet Herodit gjakatar, me fjalët: “Ti u mbyt fëmijëve trupin, sepse frika ta mbyt zemrën”. E kështu, pra, nisi të ketë frikë, të çmendej nga frika”.
Nëse errësira e mendësisë së botës ua zhduku për një çast Yllin nga sytë, larg nga ky ndikim ogurzi, Mbretërit Dijetarë e rigjetën dritën e, duke ecur në gjurmët e saj, arritën deri në Betlehem. E pikërisht mbi sjelljen e Tre Mbretërve në çastin kur do të riktheheshin në shtëpi, tërhoqi vëmendjen Papa Françesku. Mbi dinakërinë e tyre ‘shenjte’, që i shpëton nga rreziku i kurtheve të Herodit:
Ata, me këtë ‘dinakëri shenjte’ ruajtën fenë. E edhe ne duhet ta ruajmë fenë. Ta ruajmë nga kjo errësirë. Por shumë herë duhet ta ruajmë edhe nga terri, i maskuar si dritë, apo jo? Sepse edhe djalli, thotë Shën Pali, nganjëherë vishet si engjëlli i dritës. E në këtë rast duhet ‘dinakëria shenjte’, për ta ruajtur fenë, për ta shpëtuar nga kënga e sirenave, që të thonë: ‘Pa shiko, sot duhet të bëjmë këtë e atë…’. Po feja është hir, është dhuratë. Ne na takon ta ruajmë me këtë ‘dinakëri të shenjtë’, me lutje, me dashuri, me bamirësi”.
E jo vetëm. Në sjelljen e Mbretërve Dijetarë, vijoi Papa, mund të shikojmë edhe një aspekt tjetër shumë të dobishëm:
“Na mësojnë të mos kënaqemi me një jetë mediokre, pa peshë, por të joshemi gjithnjë nga e mira, e vërteta, e bukura, nga Zoti, që është e gjithë kjo, në mënyrë përherë e më mahnitëse! E na mësojnë të mos gënjehemi nga dukja, nga ajo, që për sytë e botës është e madhe, e ditur, e pushtetshme. Nuk duhet të ndalemi aty! Duhet ta ruajmë fenë”.
Ta ruajmë, përsëriti Papa, përtej kufijve të mendësisë së botës, për të shkuar drejt Betlehemit, atje ku, në thjeshtësinë e një shtëpie, në rrethinat e qytetit të vogël, ndërmjet nënës e babait plot me dashuri e fe, ndriçon Dielli i zbritur nga lart, Mbreti i universit.








All the contents on this site are copyrighted ©.