2014-01-06 15:41:56

Krishtlindja, në kryevepra proze. Gabriele d’Anunzio “Historia e Mbretërve Dijetarë” (Emisioni XXXIII)


Në emisionin XXXIII e të fundit të rubrikës “Krishtlindja, në kryevepra proze”, Gabriele d’Anunzio me rrëfimin simbolik:”Historia e Tre Mbretërve Dijetarë”.RealAudioMP3

Gabriele d’Anunzio (12.03.1868 - 01.03.1938), shkrimtar, poet, dramaturg, aviator ushtarak, politikan e gazetar, është simbol i dekadentizmit italian dhe hero i luftës. Krijimtaria e tij arriti kulmin ndërmjet viteve 1889-1924, kur e quajtën “Vate”, domethënë Profet. I diskutueshëm dhe i diskutuar shumë gjatë gjithë jetës, la një mori veprash si “Poemë Parajsore”, “Ngadhënjimi i vdekjes”; “Një këngë e re”; “Ndoshta po, ndoshta jo”, “Shiu në pishnajë” e, ndërmjet tregimeve të shkurtra, edhe këtë rrëfenjë, titulluar “Historia e tre Mbretërve Dijetarë”:

Nata ishte pa hënë; po fusha mbarë fekste nga një dritë e bardhë, si drita e hënës së plotë, sepse Hyjnia kish lindur; e rrezet e dritës vërshonin mal më mal e luginë më luginë. Krishti Fëmijë qeshte ëmbëlsisht, me krahë të hapur drejt qiellit, si në adhurim; e kau e gomari e ngrohnin me frymën, që bëhej avull në ajrin e ngrirë. Zoja e Shën Jozefi herë pas here shkëputeshin për një çast nga kundrimi e përkuleshin për ta puthur kërthinin.
Ia behen, pastaj, barinjtë, nga fusha e nga mali. Ngarkuar me dhurata; e erdhën edhe Mbretërit Dijetarë. Ishin tre: Mbreti Plak, Mbreti i Ri e Mbreti Arap.
Si mbërrijti lajmi i mirë i lindjes së Jezusit u mblodhën bashkë.
E njëri tha:
- Lindi një Mbret tjetër. Do të shkojmë ta takojmë?
- Shkojmë, u përgjigjën të tre një zëri.
- Po çfarë do t’i dhurojmë??
- Ar, kem e mirrë!
E u nisën e ecën e udhës zunë të haheshin njëri me tjetrin, nga që nuk vendosnin cili nga të tre duhet t’i afrohej i pari Mbretit të ri e t’i vinte te këmbët dhuratën.
I pari donte të ishte ai, që sillte arin. E thoshte:
- Ari vlen shumë më tepër se kemi, e mirra. Prandaj paria më takon mua, domethënë, arit...
Dy të tjerët, kundërshtuan sa kundërshtuan e më në fund u dorëzuan; si mbërritën në shpellë, i pari hyri Mbreti i ngarkuar me ar.
U gjunjëzua tek këmbët e Foshnjës: e pranë tij ranë në gjunj edhe dy të tjerët, me kem e me mirrë.
Jezusi e mbështeti dorën njomzake mbi kokën e Mbretit, që i dhuroi arin, si të donte t’ia ulte kreninë. S’e deshi arin. Mori vetëm kemin e mirrën, e tha: - Ari nuk është për mua.
E fundi i kësaj historie mund të tregohet edhe në vargje:
...Ndodhi, pra mrekullia
Lulja e Marisë buloi,
Ushton sot melodia
Njerëzimi mbarë lulëzoi.

Atëherë, kënduan engjëjt;
Bota u tund nga kori:
Se erdhën Baldasari, E Gaspri e Melkiori!







All the contents on this site are copyrighted ©.