2014-01-05 11:40:31

Toka e shenjtë. Patriku Tual: “Të punojmë për një paqe të drejtë e të qëndrueshme


“Toka jonë e Shenjtë ka nevojë për vëllazërim ndërmjet popujve, ndërmjet hebrenjve, të krishterëve e myslimanëve. E dijmë mirë se shumë gra e burra vullnemirë punojnë me gjithë zemër për një tokë më vëllazërore, për një paqe të drejtë, të qëndrueshme, të sigurt. Paqe për të gjithë”. Kështu u shpreh patriku latin i Jeruzalemit, imzot Fuad Tual, duke kremtuar të mërkurën e kaluar, në Qytetin Shenjt, solemnitetin e së Shenjtnueshmes Mari, Nënë e Zotit. “Thirrja jonë, si të krishterë, kujtoi patriku, kërkon të vihemi në shërbim të vëllezërve tanë, të viseve tona, për të dhënë ndihmesën tonë në zhvillimin e tyre. Në planin shoqëror e humanitar, shumë shoqata katolike punojnë bujarisht për t’i ndihmuar banorët e Gazës dhe refugjatët e shumtë sirianë, që vijnë në dioqezën tonë. Krishti i ngjallur na bën thirrje ta përhapim paqen në këtë tokë të rrënuar nga konfliktet, që nuk pushojnë prej vitesh, shtoi imzot Tual, duke i nxitur, në vijim, të krishterët, të sigurojnë një paqe të qëndrueshme, pa a braktisur fenë, duke ua hapur zemrat edhe të tjerëve. Patriku i ftoi të krishterët të jenë të fortë në fe e të qartë në shprehje, që t’i dëgjojnë e t’i kuptojnë të gjithë. Fryma e vëllazërimit duhet të përshkojë bashkëpunimin tonë në misionin për të mirën e përbashkët, larg çdo rivaliteti e zilie, shtoi. E pastaj u ndalua më pas tek tema e familjes, të cilën e quajti qeliza e parë, ku nis fryma e vëllazërimi. Kam besim në ju të gjithë në vitin e ri, vit nën shenjën e familjes, kujtoi Patriku Tual, duke pasur parasysh Sinodin e jashtëzakonshëm të tetorit 2014, kushtuar kësaj teme. Familja, tha në përfundim prelati, mund të marrë pjesë në krijimin e një humanizimi të ri, një vëllazërimi të ri, që i kundërvihet globalizimit të indiferencës. Kisha jonë duhet t’i shikojë sfidat baritore të familjes, në kontekstin e ungjillëzimit, siç fton edhe dokumenti parapërgatitor i Sinodit”.









All the contents on this site are copyrighted ©.