Më 6 janar është solemniteti i Dëftimit të Zotit. Mbretërit e ardhur nga Lindja
ndjekin yllin që i çon tek Krishti. Hyji ndez në shpirtin e çdo njeriu yllin që çon
drejt takimit me Birin e tij të bërë njeri. Më 7 janar përkujtohet Shën
Raimondi i Penjafortit. U lind në një familje fisnike katalanase (Spanjë) në 1175.
E la rangun e lartë klerikal (ishte kanonik i katedrales së Barcelonës), për të hyrë
në urdhrin e domenikanëve, që sapo kishin mbërritur në Barcelonë. Në 1234 Papa deshi
ta emëronte kryeipeshkëv të Tarragonës, por ai nuk pranoi. Megjithatë, vëllezërit
e tij e zgjodhën Epror të Përgjithshëm të Urdhrit, prandaj udhëtoi në gjithë Evropën
për të mbështetur domenikanët në predikimin e Ungjillit. Vdiq në Barcelonë në viti
n 1275. Më 8 janar përkujtohet Shën Severini. U lind në Itali rreth vitit
410, në një familje fisnike romake. U bë murg dhe iu kushtua tërësisht kujdesit fetar
e shoqëror për njerëzit nevojtarë në një zonë të perandorisë së atëhershme, ku sot
takohen Austria, Gjermania dhe Zvicra. Severini i ktheu banorët e asaj zone në fenë
e krishterë, themeloi disa kisha dhe kuvende dhe, edhe pse nuk e kishte pushtetin
formal për ta bërë këtë gjë, vendosi një taksë, që shërbente vetëm për të ndihmuar
të varfrit. Jetoi dhe vdiq i varfër. Më 9 janar përkujtohet Shën Adriani
nga Kantërbëri. U lind në Afrikë dhe u bë abat në Neridë. Kur Papa, Shën Vitaliani,
e thirri për ta bërë Kryeipeshkëv të Kantërbërit, nuk e pranoi emërimin dhe e këshilloi
Papën të caktonte kryeipeshkëv Teodorin e Tarsit, i cili u bë me të vërtetë njëri
prej ipeshkvinjve më të mëdhenj të Kishës angleze. Adriani u bë këshilltar i kryeipeshkvit
dhe abat i manastirit të Shën Pjetrit e Palit, në shkollën e të cilit dha mësim për
më se dyzet vite. Vdiq afër Kantërbërit në vitin 710. Më 10 janar përkujtohet
Shën Aldo. Nuk njihet me saktësi epoka në të cilën jetoi, por mendohet rreth vitit
njëmijë. Sipas traditës, qe heremit dhe nxjerrës karboni në Karbonia, pranë Pavisë.
Qe varrosur në Pavi, në kapelën e Shën Kolombanit, prej ku e zhvendosën në bazilikën
e shën Mikelit, prandaj kulti i tij u zhvillua në këtë qytet. Më 11 janar
përkujtohet Shën Liberata, bija e konsullit romak dhe guvernatorit të verilindjes
së Gadishullit Iberik në vitin 122 Lucius Catelius Severus. E ëma, Kalsia, lindi nëntë
binjakë. Nga marrja e një lindjeje kaq të pazakontë, vendosi t’i mbyste foshnjat në
det. Caktoi për këtë punë shërbëtoren e vet, e cila nuk u bind. Atëherë i pagëzoi
me emrat Gjinevra, Viktoria, Eufemia, Gjermana, Marina, Marciana, Bazilisa, Kuiteria
e Liberata dhe u caktoi si edukatore Silën, e cila nderohet gjithashtu si shenjtore.
Më vonë, pas shumë peripecish, vdiqën të gjitha të martirizuara nën perandorin Adrian.
Trupi i Shën Liberatës ruhet në Katedralen e Siguencës (Spanjë). Më 12 janar
është e diel, Solemniteti i Pagëzimit të Zotit tonë Jezu Krishtit.