2014-01-05 13:36:26

Papa do të shtegtojë në Tokën e Shenjtë nga 24 deri më 26 maj


Sot, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, në praninë e një morie shtegtarësh, të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, pavarësisht nga koha e keqe, e zbutur nga atmosfera gazmore, tipike për kohën e Krishtlindjes, Papa njoftoi se nga 24 deri më 26 majin e ardhshëm “në dashtë Zoti” do të shtegtojë në Tokën e Shenjtë. Në katekizëm, pastaj, pohoi se Krishtlindja na dëfton dashurinë e pakufishme të Zotit për ne.RealAudioMP3

Papa Françesku, pra, do të bëjë në Tokën e Shenjtë shtegtimin e tij të dytë ndërkombëtar të papnisë. Qëllimi kryesor, theksoi, është përkujtimi i takimit historik të Papës Pali VI me Patrikun Atenagora, pikërisht më 5 janar, 50 vjet më parë:
“Etapat e shtegtimit do të jenë tri: Amman, Betlehem, Jeruzalem, tri ditë. Pranë Varrit të Shenjtë, do të kremtojmë një Takim Ekumenik me të gjithë përfaqësuesit e Kishave të krishtera të Jeruzalemit, së bashku me Patrikun e Kostandinopojës, Bartolomeu. Që tani ju kërkoj të më shoqëroni me uratë në këtë shtegtim, që do të jetë shtegtim lutjeje”.
Në katekizëm komentoi Ungjillin e kësaj së diele, në të cilin Gjoni pohon se “Fjala u bë njeri e erdhi të banojë ndër ne”:
“Në këto fjalë, që vijojnë të na mrekullojnë pambarimisht, është i tërë Krishterimi! Hyji u bë i vdekshëm, i brishtë si ne, mori natyrën tonë njerëzore, me përjashtim të mëkatit, e mori mbi vete edhe të gjitha mëkatet tona, si të ishin të Tijat. Hyri në historinë tonë, u bë plotësisht Zoti-me-ne! Lindja e Jezusit, atëhere, na tregon se Hyji deshi të njësohej me çdo burrë e çdo grua, me secilin nga ne, për të na dhënë jetën e gëzimin e Tij”.
Krishtlindja, vijoi Papa, na dëfton dashurinë e pamasë të Zotit për njerëzimin. Që këtu buron edhe entuziazmi, shpresa e ne të krishterëve, që në varfërinë tonë, e dimë se duhemi, se na do vetë Zoti. Me lindjen e Jezusit, lindi edhe një botë e re, por edhe një botë, që mund të rinohet vazhdimisht:
Zoti është gjithnjë gati të ngjallë njerëz të rinj, ta pastrojë botën nga mëkati, që e plak, e prish. Sado të jetë historia njerëzore e ajo personale e secilit nga ne e tronditur nga vështirësitë e ligështitë, besimi në Mishërimin na thotë se Zoti është solidar me njeriun e me historinë e tij. Kjo afërsi e Zotit me njeriun, me çdo njeri, me secilin nga ne, është dhuratë, që nuk shteron kurrë”.
Në misterin e Mishërimit të Birit të Hyjit, vijoi Papa, është edhe një aspekt i lidhur me lirinë njerëzore, lirinë e secilit nga ne, që jemi mëkatarë e nevojtarë në kërkim mëshire, por që shpesh herë na pëlqen më mirë të ngujohemi në gabimet e në mëkatet tona. Po Jezusi është durimtar. Jezusi di të presë. Na pret gjithnjë:
Ky është mesazh shprese, mesazh shëlbimi, i lashtë e gjithnjë i ri. E ne jemi të thirrur ta dëshmojmë me gëzim këtë mesazh të Ungjillit të jetës, të Ungjillit të dritës, të shpresës e të dashurisë. Sepse mesazhi i Jezusit është ky; jetë, dritë, shpresë, dashuri”.
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa nënvizoi se javët e kaluara i erdhën, nga të katër anët e botës, urime për Krishtlindjen e për Vitin e Ri:
Do të më pëlqente, por për fat të keq është e pamundur, t’u përgjigjesha të gjithëve. Prandaj dëshiroj t’i falënderoj nga zemra, posaçërisht fëmijët, për vizatimet e tyre të bukura. Janë të bukura, vërtet! Fëmijët bëjnë vizatime të bukura. Të bukura, të bukura, të bukura! I falënderoj, pra fëmijët. E edhe të rinjtë, të motuarit, familjet, bashkësitë famullitare e rregulltare, shoqatat, lëvizjet e grupet e ndryshme, që më shprehën dashuri e afërsi. U kërkoj të gjithëve të vijojnë të luten për mua; kam nevojë, e të luten për këtë shërbim ndaj Kishës”.Në përfundim, Papa i përshëndeti me dashuri të gjithë shtegtarët e pranishëm e, posaçërisht, Shoqatën italiane të Mësuesve Katolikë:
“Ju inkurajoj në punën tuaj edukative; është tepër e rëndësishme”.







All the contents on this site are copyrighted ©.