2014-01-05 11:40:14

Pakistan: Marshim ndërfetar për paqen


Mijëra të krishterë e myslimanë marshuan krah për krah në shumë qytete të Pakistanit për paqen dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Pjesëmarrësit në Marshimin e solidaritetit 2014 kërkuan forcimin e politikës së jashtme, reformat strukturore dhe përmirësimin e sistemit arsimor. Manifestuesit shprehën gjithashtu solidaritetin me viktimat e dhunës fundamentaliste, që është lëshuar me tërbim kundër pakicave fetare. Morën pjesë avokatë, udhëheqës fetarë të krishterë e myslimanë, politikanë, arsimtarë, gazetarë dhe studiues, me një synim: fillimin e një programi për paqen dhe solidaritetin.
Sipas rrjetit “Bashkimi për paqen”, që e ka organizuar këtë marshimin në shumë vende, politika e jashtme e Pakistanit është nën diktatin e disa fuqive të huaja, prandaj nuk i zihet besë. Ajo duhet të ngutet për të kapur dinamikat e reja botërore, duhet të përkrahë bashkëjetesën paqësore të Pakistanit me vendet e afërta dhe duhet të zhvillojë marrëdhëniet, duke përdorur kanalet diplomatike. Ekonomia pakistaneze është në grahmat e fundit, drejtësia ka nevojë për reforma të ngutshme dhe terrorizmi islamik është duke u përhapur me shpejtësi. Në shtatorin e kaluar, një sulm terrorist kundër një kishe në Peshavar shkaktoi rreth njëqind viktima. Marshuesit i kërkuan shtetit ndëshkimin e rreptë të të gjithë autorëve të akteve të dhunës, ushtruar në emër të fesë apo të ideologjive.








All the contents on this site are copyrighted ©.